2023
Jo Vetëm një Ditë e Mirë Stërvitjeje
Nëntor 2023


“Jo Vetëm një Ditë e Mirë Stërvitjeje”, Miku, nëntor 2023, f. 14–15.

Jo Vetëm një Ditë e Mirë Stërvitjeje

Ajo zonja nuk ishte në humor të mirë. A mund ta ndihmonte Ismaeli?

Kjo histori ndodhi në Bolivi.

alt text

Ismaeli buzëqeshi ndërsa doli jashtë në rrezet e diellit. Ai dhe Papá [babi] po shkonin në park. Ndërsa ecnin, Ismaeli kishte kapur Papán për dore dhe mbante topin e tij të futbollit. Ismaelit i pëlqente të kalonte kohë me Papán, veçanërisht kur luanin futboll!

Kur arritën në park, Ismaeli vështroi përreth. Një zonjë po shkulte barin e keq pranë fushës së futbollit. Një familje po ecte në trotuar. Por askush nuk po luante në fushën e futbollit. Ismaeli dhe Papá do të kishin gjithë atë vend për t’u stërvitur!

“Gati për të luajtur?” – pyeti Papá.

“Po!” Ismaeli vrapoi sa më shpejt që mundi drejt fushës. Ai bëri kalim piketash me zigzage, gjuajtje penalltish dhe goditje nga këndi.

Papá e gjuajti topin fort. Ai kaloi pikërisht mbi kokën e Ismaelit!

“E kap unë”, – tha Ismaeli. Ai vrapoi drejt cepit të fushës dhe e mori topin. E pa zonjën që ishte ende duke gërmuar dheun. Dukej e lodhur.

“Tani do të jem unë portieri”, – thirri Papá. “Ta shohim a mund të shënosh!”

Ismaeli u kthye me vrap dhe e gjuajti topin drejt portës. Papá u zgjat për ta ndaluar, por për pak nuk arriti.

“Goooool!” – brohoriti Ismaeli kur topi preku rrjetën.

Shpejt kishte kaluar një orë fiks. “Është koha për të shkuar në shtëpi”, – tha Papá.

Ismaeli ktheu kokën për të parë gruan që po shkulte barin e keq. Të punosh në diell nuk është aq qejf sa të luash futboll, mendoi ai. Ai dëshironte t’ia ngrinte humorin asaj. Pastaj i erdhi një ide.

“Papá, a nuk mendon se ajo zonja po bën një punë të mirë?” – e pyeti ai.

“Çfarë?” Papá hodhi sytë nga gruaja. “Ah, po.”

“Mendoj se duhet të shkojmë t’ia themi!” – tha Ismaeli.

“Epo, duhet të nxitojmë për në shtëpi. Mamá [mami] po na pret”, – tha Papá.

Ismaeli e pa gruan të fshinte ballin. Ndjenja se duhej t’i fliste u bë më e fortë. “Unë vërtet ndiej se duhet t’ia themi”, – tha ai. E kapi Papán për dore dhe shkoi drejt saj.

alt text

“Mirëmëngjesi, zonjë”, – tha Ismaeli duke e përshëndetur me dorë.

Gruaja nuk i ngriti sytë. “Ç’dëshironi?”

Ismaeli e kuptoi se ajo nuk qe fort e lumtur. Por kjo nuk e ndali. “Doja të të thoja që po bën një punë të shkëlqyer!”

Këtë herë gruaja i ngriti sytë për ta parë.

Ismaeli buzëqeshi. “Faleminderit që kujdesesh për parkun!”

Gruaja ia ktheu buzëqeshjen. “Faleminderit”, – tha ajo. Pastaj ajo buzëqeshi edhe më shumë. “Faleminderit shumë.”

Ismaeli ndjeu lumturi ndërsa ecte për në shtëpi me Papán.

“Mendoj se ajo që i the ishte e rëndësishme për të”, – tha Papá. “Gëzohem që ia vure veshin ndjenjës që pate.”

“Edhe unë.” Ismaeli u mendua për një çast. Më pas ai pyeti: “A mendon se ishte Fryma e Shenjtë?”

Papá pohoi me kokë. “Nganjëherë Fryma e Shenjtë na jep një mendim për të ndihmuar dikë. Dhe kjo është pikërisht ajo që bëre ti.”

Ismaeli vuri buzën në gaz. Biseda me zonjën qe veç diçka e vogël, por ai ia bëri më të mirë ditën. Fakti që ia vuri veshin Frymës së Shenjtë ia bëri ditën më të mirë edhe atij!

alt text here

Ilustrimet nga Jennifer Bricking