2023
Ndihma ndaj Vëllait të Vogël
Nëntor 2023


“Ndihma ndaj Vëllait të Vogël”, Miku, nëntor 2023, f. 16–17.

Ndihma ndaj Vëllait të Vogël

Askush nuk kishte kohë për Lashiën tani.

Kjo ngjarje ndodhi në Afrikën e Jugut.

alt text

Lashia u bë me një vëlla të vogël. Ai e kishte emrin Liam. Ai kishte flokë të errëta dhe duar e këmbë të vockla. Sa i lezetshëm ishte!

Por nganjëherë ardhja e një foshnjeje të re në familje ishte e vështirë. Mami dhe babi ishin gjithmonë të zënë tani. Liami qante shumë.

“Mami, a mund të më lexosh një tregim?” – pyeti Lashia.

“Duhet të laj Liamin në govatë”, – tha mami. “Ndoshta mund të lexosh një tregim me Arianën.”

Lashia u ul në dysheme me motrën e saj të vogël. Ato shfletuan faqet e një libri. Por nuk ishte njësoj pa mamin.

“Babi, a do të bëjmë një lojë?” – pyeti Lashia.

“Duhet të ndihmoj mamin për foshnjën përpara se të shkoj në punë”, – tha babi.

Lashia u vrenjt. Mami dhe babi nuk kishin asnjëherë kohë për të tani! Ata gjithmonë ishin duke ndihmuar Liamin.

Shpejt babi iku në punë. Mami e vuri në gjumë Liamin. Ajo u ul me Lashiën dhe Arianën në divan. Dukej e lodhur.

alt text

“Kemi qenë shumë të zënë me Liamin”, – tha mami. “A jeni ndier pak të vetmuara?”

Lashia pohoi me kokë. Ndjeu se po i vinte për të qarë.

Mami i përqafoi Lashiën dhe Arianën. “Liami ka shumë nevojë për ndihmë tani ngaqë është shumë i vogël. Ai nuk bën dot ende asgjë vetë, siç mund të bëni ju.”

“E di”, – tha Lashia.

“Por nëse do, mund të më ndihmosh të kujdesem për Liamin.” Mami buzëqeshi.

“Vërtet?” – pyeti Lashia. I pëlqeu ajo ide.

“Edhe unë?” – pyeti Ariana.

“Edhe ti”, – tha mami.

Shpejt Liami filloi të qante. Kur mami ia ndërroi pelenën, Lashia i solli letrat e lagura.

“Faleminderit”, – tha mami.

Të nesërmen, kur Liami bëri banjë, Lashia dhe Ariana zgjodhën një veshje të pastër që ta vishte ai. Ajo kishte kafshë të vogla të lezetshme! Ato ia sollën veshjen mamit që ajo të mund të vishte Liamin.

“Faleminderit”, – tha mami.

Lashia dhe Ariana menduan mënyra të tjera për të ndihmuar. Ato rregullonin shtretërit e tyre pa ua kërkuar njeri. Ndonjëherë rregullonin edhe shtratin e mamit dhe babit! Kur ishte koha e darkës, ato ndihmonin babin në kuzhinë.

“Faleminderit”, – thoshin mami dhe babi.

Kur Liami qante, Lashia përpiqej ta ndihmonte atë të ndihej më mirë. Ajo e mbante atë në krahë dhe i fliste me zë të butë. Liami nuk mundej ende të thoshte faleminderit. Por një ditë ai i buzëqeshi fort Lashiës!

Lashia ia ktheu buzëqeshjen. Ajo qe e gëzuar që mund ta ndihmonte vëllanë e saj të vogël dhe mamin dhe babin gjithashtu!

alt text here

Ilustrimet nga Shawna J. C. Tenney