“Do ta Bëjmë Bashkë Këtë”, Miku, nëntor 2023, f. 40–41.
Do ta Bëjmë Bashkë Këtë
Eni kishte frikë të fillonte klasën e Të Rejave.
Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.
Eni prekte cohën e fustanit të saj. Ajo përpiqej t’i dëgjonte folësit. Por ende kishte ndjesi ankthi e lëmshi në stomak.
Sot ishte dita që Eni do të fillonte të shkonte tek Të Rejat. Ajo do të shkonte në klasë menjëherë pasi të mbaronte mbledhja e sakramentit. Të gjithë i thanë Enit se duhej të ishte entuziaste, por përkundrazi, ajo ishte e frikësuar.
Ajo vështroi Tamin, motrën e saj më të madhe. Tami kishte qenë tek Të Rejat prej tre vjetësh dhe i pëlqente shumë. Ajo gjithmonë i thoshte Enit sa bukur ishte. “Do të zësh shumë shoqe”, – i tha Tami. “Është ndryshe nga Fillorja. Është pothuajse sikur të jesh një e rritur.”
Por Eni nuk ishte si motra e vet. Tamit i pëlqente të njihte njerëz të rinj dhe e kishte të lehtë të zinte shoqe të reja. Eni ishte e heshtur dhe parapëlqente më mirë të lexonte ose vizatonte sesa të fliste me të tjerët.
Eni kishte edhe puçrra dhe kishte ndrojtje prej pamjes së vet. Ajo përdorte një krem të veçantë, i cili e ndihmonte. Por gungat e kuqe në lëkurën e saj thjesht nuk zhdukeshin.
Pas mbledhjes së sakramentit, Eni i tërhoqi këmbët zvarrë në korridor. “Nuk mund të shkoj tek Të Rejat sot”, – i tha ajo mamit dhe Tamit.
Mami u duk e shqetësuar. “Mendoja se e kishe me qejf të shkoje tek Të Rejat. Çfarë ndodhi?”
“Nuk njoh asnjërën nga ato vajzat më të mëdha.” Eni preku fytyrën. “Dhe ndoshta do të qeshin kur të më shohin.”
Mami i dha Enit një përqafim. “Kujto se Tami do të jetë aty gjithashtu.”
“Unë nuk jam si Tami”, – tha Eni. Ajo pa nga e motra. “Ti je e zonja për të folur me njerëzit.”
“E di që është e vështirë të shkosh në një klasë të re”, – tha Tami. “Por do ta bëjmë bashkë këtë. Edhe unë kisha frikë kur fillova të shkoja tek Të Rejat.”
Eni ia nguli sytë Tamit duke i hapur shumë. Tami dukej përherë shumë guximtare! Ajo madje kishte bërë prova për shfaqjen muzikore të shkollës dhe kishte fituar rolin kryesor. Eni nuk i bënte gjërat ashtu. Ajo thjesht përpiqej të mos e vinte re njeri.
“Por ti nuk ke frikë asnjëherë”, – tha Eni.
Tami buzëqeshi. “Sigurisht që frikësohem! Kisha frikë kur bëra provën për shfaqjen muzikore. A e di se ç’bëra?”
Eni tundi kokën.
“U luta dhe bëra më të mirën. Ndihmova fëmijët e tjerë gjithashtu. Më dukej sikur shumë prej tyre ishin të frikësuar njësoj si unë. Të ndihmuarit ndaj të tjerëve që të ishin guximtarë, më ndihmoi mua të jem guximtare.”
Eni u mendua për këtë. A mund të bënte edhe ajo atë që bëri Tami dhe t’i ndihmonte vajzat e tjera në klasën e saj që të mos kishin frikë?
“A mendon se mund të shkosh tek Të Rejat sot?” – e pyeti mami.
Eni mori frymë thellë. Pastaj pohoi me kokë. Ajo mund ta bënte.
Eni dhe Tami u futën në klasën e Të Rejave. Eni i vështroi vajzat e tjera. Disa prej tyre dukeshin në siklet siç ishte ajo. Xhuli përdridhte një tufë flokësh nëpër gisht ndërkohë që Erika hante thonjtë e gishtave.
Eni mendoi se si mund t’i ndihmonte. Ajo shkoi të ulej pranë Xhulit. “A ndihesh dhe ti në siklet?” – pëshpëriti Eni. “Do të shkojë mirë.”
Xhuli buzëqeshi dhe Eni ia ktheu buzëqeshjen. Eni ndjeu më pak frikë tani. Ndoshta klasa e Të Rejave mund të ishte vërtet e bukur.