“Dikush që e Kupton”, Miku, nëntor 2023, f. 26–27.
Dikush që e Kupton
Shokët e Blerit nuk e kuptonin se si është të kesh sëmundjen e Crohn-it.
Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.
“Nuk mund të vij te shtëpia jote sot”, – tha Bleri. U skuq e tëra nga turpi.
Shokët ia ngulën sytë. “Po ti the që do të vije!” – tha Semi.
“E di.” Bleri uli vështrimin te këmbët. “Nuk po ndihem shumë mirë. Më vjen keq.”
“Kështu the edhe herën e kaluar”, – tha Xhesika.
Bleri nuk dinte se ç’të thoshte. Ah sikur të mund të shkonte në shtëpinë e Semit. Por stomaku i dhembte shumë sot. Duhej të shkonte në shtëpi e të çlodhej.
Bleri kishte sëmundjen e Crohn-it. Kjo i shkaktonte dhembje stomaku dhe kishte shumë dhimbje. Stomaku i dhembte shumicën e ditëve disi më pak. Por disa ditë ishin më të këqija se të tjerat. Dita e sotme ishte një nga ato ditë. Ah sikur të mund t’i zgjidhte ditët kur kishte më shumë dhembje. Dukej sikur stomaku i dhembte më shumë sa herë që donte të bënte diçka argëtuese.
“Le të ikim”, – i tha Semi Xhesikës.
Kur Bleri shkoi në shtëpi, piu ilaçin e saj. Pastaj u përpoq të flinte. Por kishte dhembje të forta.
Mami dhe babi erdhën për ta parë si ishte. Babi u ul te shtrati. “Si ndihesh?”
“Mirë. Ilaçi më ndihmoi pak”, – tha Bleri.
“Më vjen keq që nuk munde të shkoje në shtëpinë e Semit”, – tha mami.
Bleri ndjeu se i dolën lot nga sytë. “Nuk është e drejtë! Shokët e mi nuk e kuptojnë si është kjo sëmundje.” Bleri i gjuajti murit me jastëk. “Thjesht dua të bëhem më mirë.”
Babi e përqafoi Blerin. “E di. A do të doje një bekim priftërie?”
Bleri pohoi me kokë. Bekimet zakonisht e ndihmonin të ndiente më tepër paqe.
Babi i vuri duart mbi kokën e Blerit dhe e bekoi atë që të çlodhej dhe të ndiente ngushëllim. Ishte një bekim i këndshëm. Ai e ndihmoi atë të kujtonte që Ati Qiellor e donte. Por ende ndihej e trishtuar prej shokëve të saj.
Pas bekimit, mami dhe babi i dhanë Blerit puthjen e natës së mirë. Ata u larguan që ajo të mund të flinte.
Bleri u shtri sërish dhe i mbylli sytë. Bekimi e kishte ndihmuar, por kishte ende dhembje.
Ajo u gjunjëzua pranë shtratit për t’u lutur. Fillimisht ishte njësoj si shumica e lutjeve të saj. Ajo i tha Atit Qiellor se për çfarë ishte mirënjohëse dhe kërkoi të ndihej më mirë. Por këtë herë ajo vazhdoi.
“Atë Qiellor, ndihem shumë e trishtuar. Më ka marrë malli të rri me shokët e mi”, – tha ajo. “Ndihem e vetmuar. Askush nuk e kupton sa dhembje kam përditë. Më merr malli për kohët përpara se të sëmuresha.”
Sa më gjatë lutej Bleri, aq më shumë e ndiente se Ati Qiellor po e dëgjonte lutjen e saj. Ajo nuk mund ta dëgjonte ose shihte Atë, por e ndjeu dashurinë e Tij. Ajo e dinte se Ai interesohej për atë që ajo kishte për të thënë. Bleri nuk donte që ajo ndjenjë të mbaronte.
Bleri u lut derisa i tha Atit Qiellor gjithçka që ndiente. Pastaj një mendim i erdhi në mendje. Shokët e Blerit mund të mos e dinin kurrë se si ndihesh kur ke sëmundjen e Crohn-it, por Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e dinin. Ata e dinin se sa shumë dhembje kishte dhe sa e vetmuar ndihej ajo. Ata do t’i gjendeshin gjithmonë pranë.
Bleri ndjeu sikur po e përqafonin fort. Pasi e mbaroi lutjen, ajo shkoi të gjente prindërit për t’u treguar atë që ndodhi.
“Pe ndonjë ëndërr të keqe?” – e pyeti mami.
Bleri buzëqeshi. “Jo. Isha duke u lutur.”
Mami dukej e befasuar. “U bë kohë e gjatë qëkurse të thamë natën e mirë. Ke qenë duke u lutur gjatë gjithë kohës?”
Vërtet zgjati aq shumë? Bleri pohoi me kokë. “Ishte sikur po më përqafonin fort. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e dinë se si ndihem. Për shkak të Tyre, unë nuk kam pse të ndihem e vetmuar!”