“Provat”, Miku, nëntor 2023, f. 30–31.
Provat
Xheredi e dinte se Jezu Krishti mbante anën e tij.
Kjo histori ndodhi në Francë.
Xheredi ecte me top përqark fushës. Lojtarët vraponin përreth tij; këpucët e tyre kërcitnin mbi dysheme.
“Jam i lirë!” – thirri Gabrieli.
Xheredi ia pasoi topin Gabrielit dhe vazhdoi të vraponte. Më pas, Gabrieli ia pasoi atij topin sërish. Xharedi e gjuajti topin drejt koshit.
HOOP!
U bë kosh!
“Të lumtë, Xhered”, – i tha trajneri pas ndeshjes. “Siç e di, janë provat për ekipin krahinor për dy javë.”
Xheredi vuri buzën në gaz. Vetëm pak lojtarë ftoheshin të bënin prova për atë ekip.
“Provat do të jenë ditën e diel”, – tha trajneri. “A mendon se mund të vish?”
Entuziazmi i Xheredit u zhduk po aq shpejt sa ç’i erdhi.
“Të dielën?” – pyeti Xheredi.
“Po. A është problem?”
Xheredi u mendua. Ky ishte rasti që ai të luante në një ekip vërtet të mirë! Por të dielat ishin dita kur ai shkonte në kishë dhe përqendrohej te Shpëtimtari.
“Të dielat janë ditë të veçanta për mua”, – tha Xheredi. “Por do të flas me prindërit për këtë.”
Atë natë, Xheredi u ul në shtratin e tij me prindërit. Ai e hidhte topin e basketbollit në ajër ndërsa mendohej. “Dua vërtet të jem te provat për ekipin”, – i tha ai mamit dhe babit. “Por nuk dua ta bëj të dielën. E di se Perëndia është më i rëndësishëm sesa basketbolli.”
“Çfarë mund të bëjmë për të të ndihmuar?” – e pyeti mami.
Xheredi e rrotulloi topin që kishte në dorë. “A mund të bëjmë një lutje së bashku?”
E la topin e basketbollit dhe u gjunjëzua me mamin dhe babin. “I dashur Atë Qiellor”, – tha ai, “unë dua shumë, shumë të jem te provat për këtë ekip basketbolli. Por provat janë ditën e diel! E di se e diela është dita që ta kushtoj Ty. Çfarë mund të bëj?”
Pas lutjes, Xheredi pati një ndjesi ngushëlluese.
“Si ndihesh?” – e pyeti mami.
“Nuk do të shkoj nëse provat janë të dielën”, – tha ai. “Por kam një ndjesi se gjithçka do të shkojë mirë.”
Dy ditë më vonë, mami i Xheredit mori një mesazh me postë elektronike. Aty thuhej se tani provat do të ishin të shtunën!
Xheredi mund të shkonte në prova dhe ta mbante të shenjtë ditën e Shabatit! Ai e dinte se Ati Qiellor e kishte dëgjuar lutjen e tij.
Gjatë dy javëve në vijim, Xheredi u stërvit për basketbollin sa më shumë që mundi. Kur dita e madhe erdhi, Xheredi dha më të mirën e vet. Ai vrapoi shpejt mes sulmeve, shënoi në pjesën më të madhe të gjuajtjeve të topit dhe brohoriti për shokët e ekipit.
“Lojtarët vijues do të vazhdojnë provat për ekipin”, – tha trajneri pas pjesës së parë. “Ju lutem, mbani vesh për emrin tuaj.”
Xheredit i rrihte zemra fort. Trajneri thirri një emër. Pastaj një tjetër. Dhe një tjetër. Xheredi ndjeu tek filloi t’i zbehej shpresa se do ta merrnin në ekip.
Shpejt trajneri e përfundoi listën. Ai nuk e kishte thirrur emrin e Xheredit. Xheredi nuk do të kalonte në pjesën tjetër të provave.
Xheredi u ul në stolin jashtë palestrës dhe ia nguli sytë këpucëve të tij. Ishte ushtruar fort. Por ndihej sikur i gjithë mundi i kishte shkuar dëm.
Kur mami e mori, Xheredi tundi kokën. “Nuk më morën në ekip.”
Mami e mbështolli me një përqafim të fortë. “Më vjen keq që nuk shkoi si deshëm”, – tha ajo.
Xheredi mori frymë thellë. Më pas, i erdhi një mendim ngushëllues.
“Gjërat nuk do të shkojnë gjithmonë siç dua unë”, – tha ai. “Por Jezu Krishti e di saktësisht se si ndihem. Ai është në anën time.”
Mami buzëqeshi. “Ke të drejtë. Ai vërtet e di se si ndihesh.”
Xheredi ia ktheu buzëqeshjen. Ai ishte ende i trishtuar, por u ndje më mirë ngaqë e dinte se Shpëtimtari e kuptonte se si ndihej. Xheredi e dinte se Jezusi do ta donte dhe përkrahte gjithnjë atë.