“Të Falësh si Nefi”, Miku, janar 2024, f. 4–5.
Të Falësh si Nefi
Aizea nuk donte të mbetej përherë i zemëruar me Xhoshin.
Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.
Aizea vrapoi dhe ia gjuajti topin shokut të tij të skuadrës, Timothit. Ai vështroi teksa Timothi e vërtiti këmbën prapa dhe e gjuajti topin brenda në portë.
“Shënova!” – bërtiti Timothi teksa topi goditi rrjetën.
Aizea brohoriti. Ata kishin fituar ndeshjen!
Teksa po dilte nga fusha, ai u ndje shkëlqyeshëm! Por pastaj njëri nga djemtë në skuadrën tjetër, Xhoshi, e shau.
Aizea mbeti i shtangur dhe i lënduar. Nuk dinte se çfarë të thoshte. Ai i uli sytë në shesh dhe eci ngadalë drejt shokëve të tij të skuadrës.
“Ia dolëm!” – tha Timothi. “Pasim i shkëlqyer, Aizea.”
Por Aizea nuk ndihej shkëlqyeshëm. Jo pas asaj që i kishte thënë Xhoshi! Ai u ndje i trishtuar dhe i zemëruar.
Pjesën tjetër të ditës, Aizea ndjeu sikur një peshë e rëndë po e rrëzonte përtokë. Ai nuk e pëlqente më Xhoshin.
Atë mbrëmje, Aizea u ul me familjen e tij gjatë kohës së studimit të shkrimeve të shenjta. Ai u përpoq ta dëgjonte motrën e tij të lexonte. Por nuk mund të ndalonte së menduari për atë që tha Xhoshi.
Aizea shikoi nëpër faqet e Librit të tij të Mormonit. Ai ndaloi në një shkrim të shenjtë te 1 Nefi. Ishte rreth një rasti kur vëllezërit e Nefit u sollën keq me të.
“Dhe ndodhi që, unë ua fala çiltërsisht”, thoshte shkrimi i shenjtë.*
Nefi i fali vëllezërit e tij? – mendoi Aizea. Edhe pasi ishin treguar aq të këqij?
Aizea mendoi për Xhoshin. Ai nuk donte të mbante përherë mëri ndaj Xhoshit. Ishte vetëm 10 vjeç!
Aizea donte të ishte si Nefi. Ai mund ta falte Xhoshin, ashtu siç i fali Nefi vëllezërit e tij. Nëse Xhoshi do të thoshte prapë diçka të keqe, ai thjesht do t’i kërkonte që të mos e bënte më.
Ndjeu ngrohtësi dhe paqe brenda vetes. Ishte sikur Fryma e Shenjtë po thoshte: “Po bën gjënë e duhur”.
“Aizea, çfarë mësove nga këto shkrime të shenjta?” – e pyeti mami.
Aizea ngriti sytë. “Më fal, po lexoja një shkrim tjetër të shenjtë”, – tha ai. Ai i tregoi familjes së tij se çfarë ndodhi gjatë futbollit.
Mami dhe babi e tërhoqën Aizean për ta përqafuar. “Më vjen keq që Xhoshi është sjellë keq me ty”, – tha babi. “Ajo që të tha nuk është e vërtetë. Por është normale të ndihesh i lënduar nga kjo.”
Aizea buzëqeshi. “Faleminderit. Për një çast isha vërtet i zemëruar. Por tani që i lexova shkrimet e shenjta, nuk dua t’i mbaj inat. Dua ta fal. Dhe që tani ndihem më mirë!”
“Kjo është e mrekullueshme!” – buzëqeshi mami gjithashtu. “Të falësh nuk është përherë e lehtë. Por, ke të drejtë. Ia vlen.”
Aizea e uli vështrimin te shkrimet e tij të shenjta. Ato e kishin ndihmuar atë! Ajo pesha e rëndë e mëparshme ishte larguar. Në vend të saj, në zemër ndjeu ngrohtësi dhe shumë paqe.