“Titulli ‘Nxitja për Patatinën’”, Miku, janar 2024, f. 14–15.
Nxitja për Patatinën
Maja pati një ndjenjë të fortë që të kontrollonte përbërësit ushqimorë.
Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.
Maja i preu në feta luleshtrydhet dhe i hodhi te tasi i sallatës me fruta. Fruta ishte ushqimi i saj i parapëlqyer. Asaj i pëlqenin shumë tërë ngjyrat e ndezura. Dhe nuk i duhej kurrë të shqetësohej që po e hante atë!
Maja kishte shumë alergji ushqimore. Ajo duhej të bënte kujdes sepse ngrënia e ushqimit të gabuar mund ta sëmurte shumë rëndë. Kur ishte e vogël, piu pak qumësht lope pa dashje dhe pati vështirësi të merrte frymë. Iu desh të shkonte në spital. Nuk donte që kjo gjë t’i ndodhte prapë.
Nganjëherë ishte e vështirë që të hante gjëra të ndryshme nga miqtë dhe familjarët e saj. Por e dinte se ishte e rëndësishme për t’ia mbrojtur shëndetin.
Maja e çoi sallatën e frutave mbi banakun e kuzhinës. “Sallata është gati.”
Babi i ngriti sytë nga ena që po trazonte. “Shkëlqyeshëm! Të ftuarit tanë do të jenë këtu së shpejti.”
Maja dëgjoi një trokitje në derë dhe vrapoi për ta hapur atë. Familja Xhonson dhe misionarët i buzëqeshën asaj nga veranda. Xhonsonët ishin miq të familjes. Maja u gëzua që i pa sërish ata. E hapi gjerë derën që çdokush të hynte brenda.
Ndërkohë që po prisnin për darkën, njëri nga misionarët i tregoi Majës një rreng magjik. Ajo nuk e kuptonte dot se si ai po e nxirrte monedhën nga veshi i saj!
Shpejt erdhi koha për të ngrënë. Vëllai Xhonson bëri një lutje. Pastaj u rreshtuan të gjithë për të mbushur pjatat e tyre.
Kur erdhi radha e Majës, ajo mori një lugë të madhe me sallatë frutash. Anashkaloi ca ushqime që e dinte se kishin qumësht.
Pastaj mori një qese të madhe patatinash dhe i hodhi disa në pjatë. Dukeshin njësoj si ato patatinat që kishte ngrënë më parë. E futi një patatinë në gojë.
Por ndërsa filloi ta përtypte, pati një ndjesi të fortë. “Kontrollo përbërësit ushqimorë”, – i tha një zë në mendje.
Maja ndaloi së përtypuri. Ajo vështroi listën e përbërësve te qesja. Patatinat kishin qumësht brenda!
Maja mori një pecetë dhe e nxori nga goja patatinën aq shpejt sa mundi. Sytë iu mbushën me lot. Nuk e kishte kapërdirë. Por, a do të ndodhte ende diçka e keqe?
“Mami! Babi!” – nxitoi Maja te prindërit e saj. “Futa në gojë një patatinë me qumësht!”
“Nuk ka problem”, – tha mami. “Le të marrim ca ilaç.” Maja e piu ilaçin që i dha mami dhe mori frymë thellë disa herë. Babi e mbajti në krahë Majën ndërsa prisnin që të vepronte ilaçi.
Pas disa minutash, mami tha: “Si ndihesh?”
Maja ende kishte frikë. Por nuk po ndjente asgjë të keqe në trupin e saj. “Mendoj se jam mirë. Po, a mund të marr një bekim?”
“Sigurisht”, – tha babi. “Le t’iu kërkojmë misionarëve të ndihmojnë.”
Maja u ul në një karrige dhe babi e misionarët ia vunë duart mbi kokë. Ata e bekuan që ajo të ishte mirë me shëndet. Maja u ndje e qetë. Të gjitha ndjenjat e këqija iu larguan.
“Nga e dije se duhet t’i kontrolloje përbërësit ushqimorë te qesja?” – e pyeti mami.
“Ndjeva një paralajmërim nga Fryma e Shenjtë!”
Babi e përqafoi fort. “Jam kaq i lumtur që ia vure veshin.”
Maja tundi kokën. Ajo e dinte se Ati Qiellor e donte dhe kujdesej për të.