“Shkrimet e Shenjta të Samit”, Miku, janar 2024, f. 10–11.
Shkrimet e Shenjta të Samit
Edhe Sami donte të lexonte.
Kjo histori ndodhi në Bolivi.
Papi [babi] përplasi duart në përfundim të mbrëmjes familjare. “Kam një ide për një synim familjar”, – tha ai. “Le ta lexojmë Librin e Mormonit së bashku çdo ditë.”
Vëllezërit më të mëdhenj të Samit, Andresi dhe Huani, tundën kokën me një buzëqeshje të madhe për atë ide.
“Në rregull!” – tha Andresi.
Edhe Sami ishte i emocionuar. Por pastaj atij iu kujtua diçka. Ai ngriti dorën. “Unë nuk di të lexoj. Si do t’ju ndihmoj?”
Huani ngriti supet. “Ti thjesht mund të dëgjosh.”
Vëllezërit e Samit dinin tashmë se si të lexonin. Por Sami ishte vetëm pesë vjeç. Nuk kishte mësuar ende të lexonte.
“Por edhe unë dua të ndihmoj!” – tha Sami me fytyrë të vrenjtur.
Mamá [mami] i dha Samit një përqafim. “Dhe do të ndihmosh”, – tha ajo. “Ka gjithmonë një mënyrë për të bërë atë që na ka urdhëruar Perëndia.”
Të nesërmen mbrëma, familja e Samit u mblodh për të lexuar Librin e Mormonit. Ata të gjithë kishin marrë shkrimet e shenjta vetjake, përveç Samit. Mamá i dha atij një libër me figura të tregimeve nga Libri i Mormonit.
“Ti nuk mund t’i lexosh ende fjalët. Por mund të lexosh figurat”, – tha ajo me një buzëqeshje.
Sami e mbante librin afër. Tani edhe ai mund të lexonte bashkë me familjen!
Ata lexuan të gjithë me radhë. Sami shikonte figurat që tregonin historinë. Kur i vinte radha, ai u tregonte të tjerëve atë që shihte te figurat. Tregonte aq hollësi sa mundte.
Teksa ditët kalonin, Sami donte të lexonte gjithnjë e më shumë. Mamá e mësoi atë se si tingëllonte çdo shkronjë. Pastaj i tregoi atij se si t’i shqiptonte fjalët. Muaj më vonë, Sami nuk kishte edhe aq nevojë për librin me figura. Në vend të tij, ai lexonte fjalën e fundit të çdo vargu që lexonte familja e tij. Mamá e lexonte fjalën e para dhe Sami e përsëriste më pas.
Në fillim, ata lexuan me ngadalë. Iu duhej një kohë e gjatë që të arrinin në fund të çdo kapitulli. Andresi dhe Huani shfrynin kur i vinte radha Samit. Por prapë lexuan si familje.
Pak e nga pak, Sami lexoi gjithnjë e më shumë. Ai lexoi një fjalë të një vargu, pastaj dy fjalë, pastaj tre. Pastaj filloi të lexonte një varg të tërë!
Afër përfundimit të synimit të tyre, Sami mund të lexonte vetë nga pak vargje. Leximi i tij ishte përmirësuar shumë. Edhe dashuria e tij për Librin e Mormonit ishte shtuar.
Në fund, familja e Samit e mbaroi Librin e Mormonit. Iu deshën dy vjet! Tani Sami ishte shtatë vjeç dhe kishte mësuar të lexonte shumë mirë.
“Përgëzime!” – tha Papi. “Ia dolëm!”
Sami gëzonte me familjen e tij. Ai i kishte ndihmuar ta mbaronin Librin e Mormonit!
Huani e përqafoi fort Samin. “Cili do të jetë synimi yt për dy vitet e ardhshme?”
Sami buzëqeshi. Qëndroi drejt e tha: “Do ta lexoj përsëri Librin e Mormonit!”