Miku
Festa e Përkryer e Papás
Janar 2024


“Festa e Përkryer e Papás”, Miku, janar 2024, f. 18–19.

Festa e Përkryer e Papás

Po sikur shiu të mos pushonte?

Kjo histori ndodhi në Samoa.

alt text
alt text

Re të errëta, të zymta rrinin pezull në qiell. Aleksi ua nguli sytë me inat.

BUUM!

Gjëmuan më shumë bubullima. Pika shiu të mëdha e të rënda përplaseshin kudo.

Aleksi tundi kokën. S’dukej mirë. Aspak mirë. Nganjëherë në Samoa, binte shi pa pushim për ditë me radhë. Por ai donte që ditëlindja e gjyshit të tij të ishte e përkryer!

Aleksi shkoi në dhomën e tij dhe u gjunjëzua pranë shtratit të tij.

“Atë i Dashur Qiellor”, – tha ai. “Të lutem largoje shiun nesër gjatë festës së ditëlindjes së Papás [gjyshit]. I kemi shpërndarë ftesat tashmë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.”

Kur Aleksi u ngrit, ai pa mamin dhe babin që po qëndronin në pragun e derës së tij. Ata po buzëqeshnin.

“Shpresoj mos ta kesh problem që ta dëgjuam lutjen”, – tha mami.

Aleksi buzëqeshi. “S’ka problem. Dua vetëm që nesër të jetë një ditë e veçantë për Papán. Nuk do të jetë njësoj po të na duhet të qëndrojmë brenda. Nuk do të kishim vend për të kërcyer!”

Babi ia shtrëngoi supin Aleksit. “Sido që të jetë moti, Papá do ta dijë se sa shumë ti e do atë.”

Mëngjesin tjetër, mami dhe babi i kërkuan Aleksit të bënte lutjen familjare. Po binte ende shumë shi. Dhe ende nuk dukej se do të pushonte.

“Të lutem bekoje shiun që të largohet në kohën e festës”, – tha ai. “Dhe të lutem të na bekosh të gjithëve që t’ia kalojmë mirë. Veçanërisht Papán!”

Aleksi e vështroi qiellin gjithë mëngjesin. Për një kohë të gjatë, asgjë nuk ndryshoi. Por më pas ndodhi diçka e mrekullueshme.

“Shiko!” – bërtiti Aleksi. “Një copë qielli i kaltër!” Familja e tij doli me vrap në oborr. Retë kishin filluar të largoheshin.

Për pak orë, retë u larguan të gjitha! Edhe pellgjet në tokë ishin tharë. Aleksi nxitoi të zbukuronte oborrin. Papá dhe të ftuarit e tjerë do të mbërrinin këtu së shpejti.

Kur Papá mbërriti aty, u befasua. Pa dritat, shiritat shumëngjyrësh dhe gjithë të ftuarit. “Gjithçka duket bukur”, – tha ai. “Shumë faleminderit!”

Festa qe aq zbavitëse sa e kishte shpresuar Aleksi. Ata kërcyen këngët e parapëlqyera të Papás. Ushqimi ishte i shijshëm – veçanërisht buka e ëmbël me arrë kokosi. Aleksi madje arriti të këndonte me Papán.

Pjesa më e bukur, sidoqoftë, qe kur erdhi koha për Siva Taualuga‑n. Ky kërcim interpretohej gjithmonë nga njeriu më i rëndësishëm i ditës. Dhe, s’do mend, që ai ishte Papá!

Papa u ngrit për të kërcyer, por pastaj pa Aleksin. “Eja kërcejmë bashkë, Aleks!” – thirri Papá. Aleksi hop u ngrit dhe kërceu pranë Papás. Shpejt u ngritën të kërcenin edhe të gjithë të tjerët.

alt text
alt text

Papá u përkul që ta përqafonte Aleksin. “Sot më ke bërë të ndihem tepër i veçantë”, – tha Papá. “Kjo ishte festa e përkryer e ditëlindjes.”

Pasi mbaroi festa, Aleksi vështroi qiellin lart. Retë e dendura të zeza ishin kthyer. Shiu filloi sërish të binte çurg mbi ta. Por këtë herë, Aleksi nuk e kishte problem. Ai e dinte se Ati Qiellor e kishte ndihmuar motin të ishte i mirë aq kohë sa duhej për festën e Papás.

“Të falënderoj për motin e mirë”, – u lut Aleksi. “Dhe të falënderoj për një Papá kaq të mrekullueshëm.”

Historia në formatin PDF

Ilustrimet nga Augusto Zambonato