“Synimi për Leximin”, Miku, janar 2024, f. 36–37.
Synimi për Leximin
Andersit nuk i pëlqente të lexonte me zë.
Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.
Andersi e dëgjonte motrën e tij të lexonte gjatë studimit familjar të shkrimeve të shenjta. Ai u përpoq ta ndiqte në kompjuterin e tij të dorës. Por ishte e vështirë të përqendroheshe te fjalët.
Andersi e kishte gjithnjë të vështirë të lexonte. Vitin e kaluar, ai zbuloi se kishte disleksi. Disleksia është një çrregullim i të mësuarit që e bënte të vështirë të lexuarin. Truri i tij i ngatërronte fjalët e shkronjat dhe sytë i kapërcenin rreshtat nëpër faqe kur përpiqej të lexonte.
Motra e tij mbaroi së lexuari vargun e saj dhe vëllai i tij lexoi tjetrin. Por Andersi nuk lexoi. Nuk i pëlqente të lexonte me zë. Zmadhimi i fjalëve në kompjuterin e tij të dorës e ndihmonte disi. Mirëpo, atij nuk i pëlqente fare mënyra se sa ngadalë dhe çuditshëm lexonte. Ai bënte kaq shumë gabime! Atij i duhej të punonte kaq fort për diçka që dukej e lehtë për gjithë të tjerët.
Kur mbaruan së lexuari, familja e Andersit pa një material filmik. Ishte rreth programit “Fëmijët dhe Rinia”.
“Vendosni synime vetjake që ju tendosin dhe ju sfidojnë”, – tha Plaku Gong te materiali filmik. “Zbuloni talente, interesa dhe aftësi të reja.”*
Andersi mendoi për synimet që mund të vendoste. Ndoshta ai mund të mësonte se si të gatuante biskota. Ose të luante më mirë futboll!
Pastaj vështroi Librin e Mormonit mbi tryezë. Përmirësimi në lexim nuk tingëllonte një synim mjaft argëtues. Por ai dëshironte të ishte i aftë t’i lexonte shkrimet e shenjta me familjen e tij.
“E di se cili dua të jetë synimi im”, – i tha ai babit.
“Çfarë synimi?” – e pyeti babi.
Andersi mori Librin e Mormonit. “Dua të lexoj me zë një varg nga Libri i Mormonit çdo ditë.”
“Duket synim i shkëlqyer”, – tha babi. “Kur dëshiron të fillosh?”
“Pikërisht tani!”
Andersi shkoi në dhomën e tij dhe e mbylli derën. Ai nuk donte që ta dëgjonte asnjeri. Pastaj e hapi Librin e tij të Mormonit. Ai i ngatërroi disa nga fjalët, por iu desh vetëm një minutë për ta mbaruar vargun e parë. “Nuk ishte aq keq”, – mendoi ai.
Andersi lexonte nga një shkrim të shenjtë çdo ditë. Ishte e vështirë! Dhe as i dukej se po përmirësohej. Por vazhdoi të punonte në këtë gjë.
Pastaj një ditë në shkollë, mësuesja e tij tha: “Uau! Nuk mund ta besoj se sa shpejt po mëson.”
Andersi e ngriti vështrimin prej detyrave të tij të shtëpisë. “Vërtet?”
Ajo tundi kokën. “Po përmirësohesh kaq shumë.”
Andersi hodhi vështrimin te fjalët në letrën e tij. Ato ishin shumë më të lehta për t’u lexuar sesa kishin qenë më parë. Synimi i tij për t’u ushtruar me leximin e shkrimeve të shenjta po e ndihmonte edhe që të mësonte në shkollë.
Kur erdhi në shtëpi, ai u ngjit me vrap lart për të lexuar shkrimet e tij të shenjta. Kur i hodhi një sy faqes, fjalët ende i vinin rrotull. Por e kishte më të lehtë të kuptonte se çfarë thoshin.
Andersi ishte i emocionuar për studimin familjar të shkrimeve të shenjta atë mbrëmje.
“Ej, babi”, – tha ai. “A mund t’ju ndihmoj sot duke lexuar?”
Babi vuri buzën në gaz. “Do të më pëlqente shumë!”
Andersi e ndoqi me kujdes tekstin teksa vëllezërit dhe motrat e tij lexuan nga një varg secili. Kur i erdhi radha, ai e lexoi vargun me ngadalë për t’u siguruar që të lexonte saktë çdo fjalë. Pasi mbaroi së lexuari, ai ngriti vështrimin. Gjithsecili po i buzëqeshte atij.
Ndonëse nuk ishte një lexues i shkëlqyer, Andersi u ndje krenar për veten. Ai e dinte se kur përpiqej fort, Ati Qiellor do të ishte gjithmonë pranë për ta ndihmuar.