“Një Bashkëbisedim me Ailishin rreth Frymës së Shenjtë”, Miku, janar 2024, f. 40–41.
Një Bashkëbisedim me Ailishin rreth Frymës së Shenjtë
Ailishi është një vajzë 12 vjeçe nga Rajoni Lindor i Singaporit. Ne e pyetëm rreth asaj se si e ndihmon atë Fryma e Shenjtë.
Na trego rreth vetes tënde.
Më pëlqen shumë të lexoj e të luaj volejboll dhe lënda ime e parapëlqyer në shkollë është matematika. Ushqimi im i parapëlqyer është lazanja dhe ngjyra ime e parapëlqyer është e kuqja. Kur të rritem, shpresoj të bëhem avokate dhe të punoj në gjykatë.
Çfarë ndjesie të jep Fryma e Shenjtë?
Mua, Fryma e Shenjtë më jep ndjesinë sikur kam pranë vetes një shok të ngushtë. Më jep ndjesinë sikur Ai është dikush tek i cili mund të mbështetem kur i mbaj urdhërimet dhe besëlidhjet e mia me Atin Qiellor. Atë e konsideroj si udhërrëfyesin dhe shoqëruesin tim. Ai mund të më ndihmojë të bëj zgjedhje të mira.
Ç’këshillë do t’i jepje dikujt që nuk është i sigurt se e ka ndier Frymën e Shenjtë?
Nganjëherë edhe unë ndihem e pasigurt rreth asaj nëse po e ndiej Frymën e Shenjtë. Por nëse mendoheni mirë rreth asaj, i lexoni shkrimet e shenjta, luteni dhe ndiheni mirë për atë, kjo është Fryma e Shenjtë. Nganjëherë të dëgjuarit e Frymës së Shenjtë nuk është thjesht një ndjenjë. Mund të jetë një mendim ose ide gjithashtu. Nëse ndiheni ende të pështjelluar, gjithmonë mund t’i luteni e t’i kërkoni Zotit përsëri ndihmë.
Kur e ke ndier Frymën e Shenjtë?
Vitin e kaluar, luajta në një turne volejbolli. Isha nervoze, si shumica e shoqeve të mia të ekipit. Kur fillova të luaja, ekipi ynë i kishte humbur tashmë dy ndeshjet e para. Ishim të shkurajuara. Pastaj njerëzit që po e ndiqnin ndeshjen, thanë disa fjalë të pakëndshme, dhe u ndiem edhe më keq. Ne humbëm.
Kur më pyeti mami se si shkoi ndeshja, fillova të qaja. Isha tepër e zhgënjyer. Shkova në dhomën time, ku ishte mirë e qetë dhe bëra një lutje. Pasi u luta, u ndjeva në zemër më e qetë dhe më në paqe. E dija se Fryma e Shenjtë më kishte ngushëlluar dhe se Ai do të më ndihmonte gjithmonë. Me turneun tjetër që po afron këtë vit, e di se Ai do të jetë me mua ndërsa luaj.
Në ç’rast tjetër të ka ndihmuar Fryma e Shenjtë?
Fryma e Shenjtë më ka ndihmuar gjithashtu edhe kur kalova nga Fillorja tek Të Rejat. Isha e emocionuar që do të kaloja tek Të Rejat. Por, në të njëjtën kohë, u ndjeva mjaft nervoze. Isha edhe paksa e trishtuar që do të largohesha nga Fillorja.
Para orës sime të parë mësimore, bëra një lutje dhe i kërkova Atit Qiellor të më ndihmonte që të kënaqesha në klasën e Të Rejave. Ndjeva paqe në zemrën time kur shkela në klasën time të re. Isha gati për të mësuar. Më ndihmoi të kujtoja se Fryma e Shenjtë do të jetë gjithmonë i pranishëm për mua!