“4 Mënyra se si Jezu Krishti të Forcon”, Për Forcën e Rinisë, janar 2023.
4 Mënyra se si Jezu Krishti të Forcon
Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit.
Filipianëve 4:13
Në mbarë botën, të krishterët gjejnë gëzim te ky shkrim i shenjtë: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13).
Kur njerëzit e dëgjojnë këtë, disa prej tyre mund të mendojnë se kjo do të thotë se ata mund të kalojnë çdo sprovë, të fitojnë çdo lojë dhe t’u realizohet çdo dëshirë. Por nuk është kjo ajo që na mëson ky shkrim i shenjtë.
Ai u shkrua nga Apostulli Pal ndërkohë që ishte në burg. Si i burgosur, Pali nuk mund të bënte shumë, por e dinte se Jezu Krishti mund ta forconte të bënte atë që kishte më shumë rëndësi.
E njëjta gjë vlen edhe për ty!
1 Krishti të Forcon që Ti të Dish
Jezu Krishti të ka dhënë disa mënyra të rëndësishme se si mund të arrish të dish atë që është e vërtetë. Ai na ka mësuar të gjithëve që të lutemi gjithnjë (shih 3 Nefi 18:18) dhe të pyesim për të ditur atë që është e vërtetë (shih Moroni 10:4–5). Ti gjithashtu mund të gjesh dhe të dish atë që është e vërtetë nëpërmjet studimit tënd të shkrimeve të shenjta.
Lutja dhe studimi i shkrimeve të shenjta sjellin Shpirtin në jetën tënde. Shpirti mund t’i flasë “mendje[s] tënde dhe … zemrë[s] tënde” (Doktrina e Besëlidhje 8:2), “e mbush shpirtin tënd me gëzim” dhe e “ndriçon mendjen tënde” (Doktrina e Besëlidhje 11:13).
Në këto mënyra, ti mund ta “dëgjo[sh] Atë”, të dëgjosh fjalët e Shpëtimtarit dhe të ndjekësh atë që Ai ka thënë. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se ky është “modeli… për sukses, lumturi dhe gëzim në këtë jetë”1.
2 Krishti të Forcon që Ti të Bësh
Forca të vjen teksa përpiqesh fort t’i zbatosh urdhërimet dhe të bësh zgjedhje të mira që të çojnë në paqe e lumturi. Jezu Krishti të forcon që ta bësh këtë edhe kur ato zgjedhje janë të vështira për t’u bërë. Nganjëherë mund të bësh një zgjedhje të gabuar. Fatmirësisht, Shlyerja e Shpëtimtarit e bën të mundur pendimin. Për shkak të Jezu Krishtit, mund të bëhesh i pastër dhe të gjesh gëzim. Ai mund të të forcojë që të “bë[sh] më mirë dhe të je[sh] më [i] mirë”2 çdo ditë.
3 Krishti të Forcon që Ti të Kapërcesh
Ndërkohë që ishte në burg, Pali shkroi: “Unë jam mësuar të kënaqem në gjëndjen që jam.
Unë di të jem i përunjur dhe di të jetoj edhe në bollëk; në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar” (Filipianëve 4:11–12).
Me fjalë të tjera, Pali mësoi se, nëpërmjet Krishtit, ai mund t’i kapërcejë dhe të mësojë nga sprovat dhe sfidat e tij. Jezu Krishti mund të të forcojë që edhe ti të bësh po kështu.
Shpëtimtari vuajti “dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji”. Ai mori mbi Vete dobësitë tona që “ai të mund të dijë … se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:11–12). Pavarësisht nga ajo me të cilën përballesh, Jezu Krishti mund të të forcojë që të durosh dhe t’i arrish gjërat të cilat nuk do të ishe i aftë t’i bëje i vetëm.
4 Krishti të Forcon që Ti të Bëhesh
Jezu Krishti e ka bërë ringjalljen një realitet për të gjithë ne dhe Ai e bën jetën e përjetshme të mundur për të gjithë ata që pendohen, marrin ordinancat themelore dhe i bëjnë e i mbajnë besëlidhjet që lidhen me to. Pa Krishtin, nuk do të mund të përmbushnim atë që Ati Qiellor dëshiron më shumë, që ne të bëhemi më shumë si Ai dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, dhe të jetojmë me Ta përjetësisht.
Ti mund të bëhesh më shumë si Jezu Krishti teksa mëson prej Tij, mbështetesh tek Ai dhe i mirëbeson Atij dhe e ndjek shembullin e Tij. Kjo do të të prijë që të jetosh me më shumë besim, shpresë, dashuri hyjnore, durim, përulësi, dëlirësi dhe bindje. Të gjitha këto janë cilësi të Shpëtimtarit.
Teksa përpiqesh fort ta ndjekësh Jezu Krishtin, Ai do të jetë shpresa jote dhe drita jote që do të të udhërrëfejë që të bëhesh gjithçka që Ai e di se mund të bëhesh. Dhe me Palin, ti do të jesh në gjendje të thuash: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon”.