“Shkuarja drejt Ditëve më të Ndritura”, Për Forcën e Rinisë, janar 2023.
Ndihmë për Jetën
Shkuarja drejt Ditëve më të Ndritura
Për ata që i kanë mbijetuar keqtrajtimit, janë në dispozicion shpresa, ndihma dhe shërimi.
Një herë u nisa me avion mes një zone të mbushur me tym nga një zjarr që kishte rënë aty afër. Ndërsa avioni u ngrit nga toka, çamë përmes mjegullës së hirit drejt një qielli të kthjellët e me diell. E kuptova se dielli i shndritshëm dhe ajri i pastër kishin qenë aty gjatë gjithë kohës, por aftësia ime për t’i shijuar ato ishte bllokuar nga diçka jashtë kontrollit tim. Zjarri që kishte rënë, nuk ishte për fajin tim, por sidoqoftë ndikoi në jetën time.
Keqtrajtimi kështu është. Ata që e përjetojnë keqtrajtimin, nuk duhen fajësuar kurrë, por sidoqoftë duhet të përballen me pasojat e tij. Keqtrajtimi mund të na e mjegullojë ndjesinë e vlerësimit për veten dhe të na e bëjë të vështirë ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë. Mund të duhet pak kohë që të mbijetuarit të çajnë përmes resë së gënjeshtrave të Satanit, për t’u rilidhur me të vërtetat e përjetshme. Mirëpo shpresa, ndihma dhe shërimi janë në dispozicion në çdo hap të udhës!
Një Histori
Babai i Stejsit1 ishte keqtrajtues. Ai i tha asaj se ajo nuk do të ishte e zonja në asgjë kur të rritej. E bëri atë të ndihej e pavlerë.
Kur Stejsi u largua për të shkuar në kolegj, ajo ishte në gjendje që të mendonte më qartësisht. Filloi të shkonte sërish në kishë dhe e ndjeu dashurinë e Perëndisë ndaj saj dhe familjes së saj. Me kalimin e kohës, ajo gjeti më shumë paqe në ungjill dhe në marrëdhënien e saj me Shpëtimtarin.
Një numër i përllogaritur prej një miliard fëmijësh në mbarë botën do të përjetojnë ndonjë formë keqtrajtimi këtë vit.2 Ndoshta ti ose të tjerë që i njeh, po kalojnë një përvojë si ajo e Stejsit. Burimet vijuese mund të ndihmojnë.
Nëse po Përjeton Keqtrajtim
Nëse po të lëndojnë, të lutemi, tregoja dikujt atë që po të ndodh. Dije se Perëndia të do! Edhe pjesëtarët e drejtë të familjes, miqtë dhe anëtarët e Kishës në jetën tënde të duan po ashtu. Ata do të të qëndrojnë përkrah dhe do të të ndihmojnë që ta kapërcesh këtë.
Dhe të lutem të mos harrosh se: “Keqtrajtimi nuk ishte, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë faji [yt].… Nuk je… [ti] personi që ka nevojë të pendohet; nuk mban… [ti] përgjegjësi.”3
Dr. Sheldon Martini, terapist në Shërbimet Familjare të Kishës, thotë se mund të jetë e dobishme që të mbijetuarit të përqendrohen tek të vërtetat e përjetshme të së shkuarës, së tashmes dhe të së ardhmes së tyre.
-
E shkuara: “Për ty interesohen më shumë njerëz nga sa mendon”, – thotë Dr. Martini, duke vënë në dukje se para së gjithash ti je një fëmijë i prindërve qiellorë. Familja jote e përjetshme shtrihet shumë më tej se marrëdhëniet e tua tokësore. Dhe përveç forcës dhe ngushëllimit nga Ati Qiellor, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë, ti ke paraardhës të dashur në anën tjetër të velit që interesohen për ty dhe mund të të japin shërbesë.
-
E tashmja: “Është shumë në rregull ta duash veten tënde të tanishme”, – thotë Dr. Martini, pavarësisht se në cilën fazë të procesit të shërimit je. Është e natyrshme të ndihesh i/e zemëruar, zemërthyer apo i/e pështjelluar. Ji i/e duruar me veten.
-
E ardhmja: “Gjërat do të bëhen më mirë”, – thotë Dr. Martini. “Unë e di këtë sepse e njoh Shpëtimtarin. Ai shqetësohet për ty.” Bëj ç’është e mundur që të qëndrosh pranë Tij. Teksa e bën këtë, ti do të bëhesh më i/e aftë që ta largosh veten nga marrëdhëniet toksike dhe të bëhesh shumë më i/e aftë për ta ndier paqen dhe dashurinë e Tij.
Nëse Mendon se një Shok/Shoqe po Përjeton Keqtrajtimin
-
Pyete drejtpërdrejt: “A po të lëndon ndokush?”
-
Dëgjoje me kujdes atë që të thotë. Tregoji dashamirësi dhe dhembshuri.
-
Tregoji dikujt që mund të ndihmojë, si një mësuesi, prindi, këshilluesi në shkollë ose udhëheqësi të Kishës.
-
Vazhdo të jesh shok/shoqe me të. Trajtoje si zakonisht. Ndihmoje që të krijojë miqësi të tjera të shëndosha.
Vazhdo të Ecësh Përpara
Sot, Stejsi është një profesioniste e suksesshme me një familje të dashur të sajën. Disa ditë janë ende të vështira, por ajo ndien shumë lumturi dhe falje ndaj të tjerëve.
“Unë e di se Jezu Krishti mund t’i shërojë plagët tona”, – thotë Stejsi. Nëse ka një gjë që ajo do t’u thoshte të mbijetuarve të tjerë, është të kenë shpresë.
“Ka gjithnjë shpresë te Krishti”, – thotë ajo “edhe në mes të sprovave që duken sikur nuk do të mbarojnë kurrë”.
Pavarësisht se çfarë sfidash po kalon, vazhdo të ecësh përpara. Mbushe jetën tënde me mirësi dhe besim në çfarëdo mënyrash që të mundesh. Ditë më të bardha të presin!