2023
Besim në Errësirë
Janar 2023


“Besim në Errësirë”, Për Forcën e Rinisë, janar 2023

Besim në Errësirë

Këtu janë disa sugjerime që më kanë ndihmuar për pyetjet dhe dyshimet.

shpellë

Fotografia nga Getty Images

Kur isha djalosh, familja ime vinte shpesh të vizitonte parkun kombëtar të Basenit të Madh në Nevada të SHBA-së. Një gjë mbresëlënëse në park janë shpellat Leman.

Një udhërrëfyes turistik të çon thellë në shpellë dhe në një pikë të caktuar ai i fik të gjitha dritat. Ti përjeton errësirë të plotë. Është një ndjesi e keqe dhe mendimi për të gjetur rrugën jashtë shpellës pa asnjë rreze drite është tronditës. Lumturisht, udhërrëfyesi e ndez sërish dritën dhe të prin jashtë shëndoshë e mirë.

Nganjëherë ne përballemi me pyetje e madje edhe dyshime për Kishën dhe dëshmitë tona. Mund të jetë një ndjenjë e keqe dhe pasigurie, si ajo e të qenit në një shpellë të errët.

Është normale të kesh pyetje dhe shqetësime. Gjëja që do të bëjë dallimin më të madh, është mënyra se si ti u qasesh atyre.

Këtu janë disa sugjerime që më kanë ndihmuar mua.

Ushtro Besim

Kam zbuluar se nëse u qasem pyetjeve dhe shqetësimeve me një qëndrim besimi, unë mund ta gjej gjithmonë një zgjidhje. “Besim nuk është që të kesh një njohuri të përsosur të gjërave” (Alma 32:21). Dhe “në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni, lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju” (Alma 32:27).

Bota do të të thotë se nëse nuk mund ta vërtetosh diçka me anë të një standardi shkencor, ajo nuk mund të jetë e vërtetë. Kjo nuk është mënyra e Zotit. Siç i tha Shpëtimtari Thomait, i cili nuk do të besonte pa i prekur vetë vurratat e Shpëtimtarit të ringjallur: “Mos ji mosbesues, por besues” (Gjoni 20:27).

Lyp, Kërko, Trokit

Fraza “lyp, kërko, trokit” përsëritet në shkrimet e shenjta (shih Mateu 7:7; Doktrina e Besëlidhje 88:63). Mënyra e Zotit për të na ndihmuar për pyetjet tona, është që ne t’i bëjmë pyetje Atij.

“Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia” (Jakob [Bibël] 1:5). Shko drejt e te burimi i gjithë së vërtetës. Perëndia të do dhe do të të ndihmojë.

Ji një Kërkues i së Vërtetës

Kam zbuluar se ata që e kërkojnë me sinqeritet dhe me përulësi të vërtetën, shpesh do të gjejnë përgjigje për pyetjet e tyre si përfundim. Nga ana tjetër, ata që thjesht kërkojnë të gjejnë të meta, vetëm sa do të largohen gjithnjë e më shumë nga e vërteta.

Ji një kërkues i së vërtetës. E vërteta ekziston dhe ti mund ta gjesh atë.

Krijo një Kuti me Qëllimin “Për të Marrë Përgjigje më Vonë”

Pra, çfarë të bësh nëse ke kërkuar përgjigje me përulësi dhe sinqeritet dhe ato thjesht duket se nuk vijnë?

E them përsëri, unë zgjedh t’i qasem kësaj me besim. Në mendjen time kam krijuar një kuti të vogël në një raft – si një sënduk të bukur thesari. Mbi të janë të shkruara fjalët: “Për të Marrë Përgjigje në një Datë të Mëvonshme”.

Sa herë që kam një pyetje ose shqetësim që nuk mund ta zgjidh, e shkruaj në një copë letre imagjinare, e palos mirë dhe e hedh në kuti. Pastaj e vendos sërish në raft.

kuti druri

Duke vepruar kështu, po veproj me besim se një ditë Zoti do të përgjigjet. Ndoshta do ta bëjë, ndoshta nuk do ta bëjë. Kjo varet nga Ai që ka urtësi të pafundme.

Meqë u përmend, disa nga pyetjet e mia kanë marrë përgjigje. Por shumë jenë ende brenda kutisë. Dhe për mua nuk ka problem.

Miqtë e mi të dashur në Krishtin, jini kërkues të së vërtetës.

Teksa besimi juaj rritet, Zoti do të jetë me ju. Dhe teksa i afroheni Atij me besim, Ai do t’jua zbulojë gjërat që keni nevojë t’i dini, në kohën e duhur.