“Mrekullia Absolute”, Për Forcën e Rinisë, janar 2023.
Eja, Më Ndiq
Mrekullia Absolute
Ka një mrekulli që është më e rëndësishmja se të gjitha ato.
Me Perëndinë, të gjitha gjërat janë të mundshme (shih Lluka 1:37; Filipianëve 4:13). Por a mund të lutesh mirëfilli për çdo gjë dhe ta realizosh? Përse disa njerëz përjetojnë mrekulli ndërkohë që për disa të tjerë nuk duket kështu? Çfarë nënkupton për ju e gjithë kjo?
Tri mrekulli të lashta, tri mrekulli bashkëkohore dhe një mrekulli absolute na mësojnë pak më shumë.
1
Mrekulli e Lashtë
Maria duhet të jetë befasuar shumë kur engjëlli Gabriel i tha se ajo do të ishte nëna e Shpëtimtarit. Nuk mund të ishte e mundshme. Por engjëlli i Perëndisë shpjegoi se Jezusi do të ishte Biri i Perëndisë dhe tha: “Sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme” (Lluka 1:37). Dhe engjëlli kishte të drejtë. Maria lindi Shpëtimtarin e botës.
Mrekulli Bashkëkohore
Dy misionare që shërbenin në Meksikë, kalonin përditë një rrugë me shumë trafik. Ndonjëherë prisnin 10 minuta para se mund të kalonin dhe zakonisht u duhej të vraponin! Më pas takuan një anëtare pak aktive, shumë të moshuar, shumë të ngadaltë . Ajo dëshironte të shkonte në kishë me to, por ja tek vjen dhe pjesa e pamundur, asaj do t’i duhej të kalonte rrugën me shumë trafik. Dhe jo, misionaret nuk mund ta mbanin në krahë për të kaluar në anën tjetër (ndonëse atyre u shkoi ndërmend një gjë e tillë!) Por pastaj ndodhi një mrekulli. “Kur arritëm te rruga”, – thotë njëra nga misionaret, “nuk po kalonte asnjë makinë. Ne mundëm të ecnim shumë ngadalë dhe e kaluam rrugën shëndoshë e mirë.”
E pamundur? Mendoje Sërish!
Me Perëndinë të gjitha gjërat janë të mundshme (madje edhe ato të pamundurat!)
2
Mrekulli e Lashtë
Na ishte një burrë “i paralizuar”. Ai besonte se Shpëtimtari mund ta shëronte atë. Por Jezusi ishte i rrethuar nga shumë njerëz dhe ishte e vështirë t’i afroheshe. Por çfarë bëri burri? Miqtë e tij e ulën atë me shtratin e tij nga çatia e një shtëpie për ta arritur Shpëtimtarin. Jo, ajo me siguri nuk ishte shumë e lehtë. Por ai dhe miqtë e tij duhet të kenë pasur shumë besim. Dhe e morën shpërblimin, Jezusi ia fali mëkatet këtij burri dhe e shëroi atë (shih Lluka 5:17–26).
Mrekulli Bashkëkohore
Ela W. po luante me miqtë në park kur disa nga miqtë e saj humbën kafshën e tyre shtëpiake, një kameleon. Kjo mund të duket si diçka jo aq madhore. Por mos harro se kameleonët ndryshojnë ngjyrë që t’i përshtaten ambientit. Pasi kërkoi për ca kohë, Ela vendosi se ishte koha të lutej me besim. Ata mundën ta gjenin shpejt kameleonin në një pemë. “Sapo dikush e mori në krahë, ne i bëmë një lutje falënderimi Atit Qiellor”, – thotë Ela.
Mrekullitë Vijnë nëpërmjet Besimit te Jezu Krishti
E pamundura është gjithmonë e mundur për Perëndinë. Mirëpo nevojitet të kemi besim te Shpëtimtari (ose të paktën një dëshirë për të besuar) dhe për të vepruar sipas atij besimi, që të ndodhin mrekullitë.
3
Mrekulli e Lashtë
Elizabeta dhe Zakaria qenë të martuar prej shumë vitesh, por nuk kishin fëmijë. Ndonjëherë mund të jenë ndier sikur lutjet e tyre me besim, nuk po merrnin përgjigje. Dhe si përfundim, atyre u kaloi mosha për të pasur fëmijë. Por më pas një engjëll iu shfaq Zakarias dhe i tha atij se Elizabeta do të lindte një fëmijë. (Fakt zbavitës: fëmija si përfundim ishte Gjon Pagëzori!) Në fund, e pamundura u bë e mundur. Por Elizabetës dhe Zakariës iu desh të prisnin për një kohë shumë të gjatë (shih Lluka 1).
Mrekulli Bashkëkohore
Lindsi M. vuante nga epilepsia. “Çdo mëngjes, i lutesha Atit Qiellor që të m’i hiqte krizat”, – thotë Lindsi. Por nuk m’u larguan. Ndërkohë që Lindsi priste të shërohej, ajo mori bekime priftërie, të cilat i sollën paqe. Dhe vetë ajo paqe ishte një mrekulli. “Kur i drejtohemi Atit tonë Qiellor, Ai pa dyshim që do të jetë aty për ne, duke bërë mrekulli dhe duke dhënë ngushëllim”, – thotë ajo. Lindsi më në fund bëri një operacion që e ndihmoi për krizat e saj.
Mrekullitë Vijnë sipas Vullnetit të Perëndisë
Perëndia mund të bëjë gjithçka. Ti mund të kesh besim të madh. Por mrekullitë vijnë sipas kohës dhe vullnetit të Atit Qiellor dhe sipas mënyrës së Tij. Kërkoni mrekulli të tjera gjatë rrugës, si paqe dhe forcë për të duruar.
Mrekullia Absolute
Kemi folur shumë për mrekullitë. Por kemi një mrekulli që është më e madhja dhe më e rëndësishmja se të gjitha këto. Kjo mrekulli ndodhi kur Biri i Perëndisë erdhi në tokë si foshnjë, më vonë dha mësim e shëroi dhe më pas dha jetën e Tij. Jezu Krishti mori mbi veten e Tij mëkatet, hidhërimet dhe dobësitë tona. Mrekullia e Tij përfshin tri ditët në varr dhe pastaj një ringjallje që solli jetën pas vdekjes për të gjithë ne. Ajo mrekulli ndryshon gjithçka.
Është e lehtë të fiksohesh te përpjekja për të pasur besim në një mrekulli të caktuar. Dhe kjo mund të jetë e vështirë kur ne nuk e dimë vullnetin e Atit Qiellor. Kështu që, në vend që ta përqendrosh besimin te një mrekulli që e dëshiron, përqendroje atë te mrekullia e Shlyerjes së Shpëtimtarit. Ki besim se asgjë nuk është e pamundur për Perëndinë, përfshirë edhe atë për të cilën po lutesh. Por ki edhe besim se vullneti i Tij është më i mirë se i yti. Nëse lutjet e tua nuk marrin përgjigje në mënyrën që shpreson, Ai do të të forcojë dhe do të të ndihmojë të durosh.
Mësimi Absolut që Marrim
Ndërsa e përqendron besimin te Jezu Krishti, ti do të kuptosh se çfarë do të thotë se të gjitha gjërat janë të mundura për Perëndinë. Do të besosh se Ati Qiellor mund t’u përgjigjet lutjeve të tua dhe do t’i mirëbesosh vullnetit të Tij dhe do të marrësh paqen e Tij kur gjërat nuk shkojnë siç i ke planifikuar. Pra, vendose besimin te Jezu Krishti. Ai është mrekullia. Dhe të gjitha gjërat janë të mundura për Të.