“Dhuratat e Ungjillit në Guam”, Për Forcën e Rinisë, janar 2023.
Dhuratat e Ungjillit në Guam
Në një ishull të detit, Françeska gjen miqësi dhe ngushëllim nëpërmjet ungjillit.
Me plazhet e tij, ujërat e qeta dhe shpellat e lashta, ishulli i Guamit tingëllon si një vend pushimi ëndrrash, por është një ditë normale në jetën e 15-vjeçares Françeska N.! Asaj i pëlqejnë shumë plazhet e bukura. “Është zbavitëse të shkosh dhe të eksplorosh natyrën.”
Lindur dhe rritur në Guam, asaj i pëlqen të bëjë gjëra në ambiente të jashtme. “Jam person që i pëlqen ambientet e jashtme, kështu që nuk më pëlqen të rri brenda”, – thotë ajo. Asaj i pëlqen shumë të vozitë me rrema në oqean, të zhytet me tub ajri dhe të bëjë ecje në natyrë me prindërit dhe dy motrat e saja. Atyre u pëlqen në veçanti të shkojnë në një vend me shpella të lashta.
“Jam shumë e lidhur me motrat e mia. Ato janë shoqet e mia më të mira”, – thotë ajo. Motra e saj më e madhe po frekuenton shkollën në Havai. “Mediat shoqërore janë një faktor madhor për të na ndihmuar që të komunikojmë me njerëz”, – shpjegon Françeska. Asaj i pëlqen të ketë marrëdhënie të ngushta dhe të mbetet në kontakt me njerëzit.
Një Shembull për të Tjerët
Ajo është gjimnaziste në vit të dytë në një shkollë katolike për vajza, ku dhe është e vetmja anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Të qenit e vetmja anëtare e Kishës në shkollën e saj ishte pak frikësuese në fillim, por ajo është mësuar me faktin që shihet ndryshe. Për më tepër, të tjerët rreth saj mendojnë se është gjë e lezetshme që është pjesë e një feje tjetër.
Për shembull, miqtë e saj po pinin kafe në orarin e drekës një ditë dhe Françeska mundi t’u shpjegonte atyre Fjalën e Urtësisë.
Françeska gjithashtu zgjedh të mos flasë në mënyrë të pahijshme edhe pse të tjerët në shkollën e saj e bëjnë këtë gjë. Ajo thotë: “Jam tunduar shumë herë më parë, por diçka që më mban të fortë është marrëdhënia vetjake me Atin Qiellor nëpërmjet lutjes”. Ajo shton: “Nuk duhet t’i bëj këto gjëra, sepse është gjë e gabuar dhe sepse unë e dua Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin”.
Gjetja e Miqve
Ndonjëherë mund të të bëjë të ndihesh e vetmuar të jesh e vetmja anëtare e Kishës në shkollë. Kur ishte në vit të parë, Françeska u ndje shumë e vetmuar gjatë pandemisë dhe nuk kishte shumë shoqe. E kishte me siklet që t’u fliste prindërve për këtë, por kur u lut, u ndje e nxitur t’u tregonte atyre se si po ndihej.
Si familje, vendosën të luteshin që ajo të gjente shoqe tek të cilat mund të mbështetej. Mrekullisht, sapo e mbaruan lutjen, dëgjuan një trokitje në derë. Doli se ishte një shoqja e saj nga një lagje tjetër dhe kishte sjellë biskota. Françeska e dinte se Ati Qiellor e kishte dëgjuar lutjen e saj.
Kunji i Françeskës përfshin anëtarë nga Guami dhe nga ishuj të tjerë. Lagjja e saj ka vetëm një grup të vogël të rinjsh, por lagjja e saj është si një familje. Anëtarët janë të lidhur dhe kjo e inkurajon që ajo të shkojë në kishë çdo të diel. Ata janë një ndikim i madh dhe shembuj në jetën e saj.
Françeska ka gjetur gjithashtu forcë në orën mësimore të seminarit. “Seminari është një nga çastet kyç të jetës sime”, – thotë ajo. “Kur shkoj në seminar, ndihem sikur më ikin të gjitha shqetësimet.”
Asaj i pëlqen të ndjekë seminarin, qoftë në internet apo fizikisht, dhe nuk mungon asnjëherë në një orë mësimore përveç nëse është e detyruar. Ajo thotë se javët e saj shkojnë shumë më mirë ngaqë zgjedh të shkojë në seminar. Nëse ka kaluar një javë stresuese, ajo sigurohet të shkojë në seminar sepse atje ndien paqe.
Të rinjtë e të rejat bëjnë aktivitete gjithashtu dy deri në tri herë në muaj. Françeska madje planifikoi njërin prej tyre – një mbrëmje me lojëra tavoline dhe një lojë me shkrimet e shenjta. Nuk kanë pasur mundësi që të takohen shpesh gjatë pandemisë, ndaj kur takohen, ata kalojnë shkëlqyeshëm.
Të rejat madje bënë edhe një material filmik muzikor ku filmuan veten duke sinkronizuar buzët me këngën e Kishës për rininë “Good Day” [“Ditë e Mbarë”] dhe e publikuan në internet për të shprehur dashuri dhe ngritur moralisht të tjerë. “Media shoqërore vërtet që mund t’i bashkojë të gjithë, sidomos gjatë kohëve të vështira kur nuk mund të shihemi përballë.”
Pritja me Padurim për të Shkuar në Tempull
Në konferencën e përgjithshme të tetorit 2018, u lajmërua tempulli i Jigos në Guam. Françeska thotë: “Të rinjtë e të rejat ishte aq të emocionuar – të gjithë ne jemi lutur për të”. Pas kësaj, ajo e ndoqi me dëshirë të madhe ndërtimin dhe priti për tempullin e tyre, i cili u përfundua në maj të vitit 2022.
Atyre u është dashur gjithnjë të udhëtonin në Filipine për udhëtimet e tempullit në të shkuarën. Për të paguar udhëtimet, mblidhnin para duke shitur ushqime të gatuara në shtëpi dhe duke larë makina. Për shkak se është një udhëtim i gjatë, ata planifikonin që të zgjaste rreth një javë. Françeska është e emocionuar që mund të shkojë në tempull më shpesh dhe të marrë bekime që vijnë si rrjedhojë e pagëzimit për paraardhësit e saj.
Ngushëllim nëpërmjet Lutjes
Françeska thotë se priret të shqetësohet shumë, por lutja e ka ndihmuar atë. “Lutja është vërtet e fuqishme! Thjesht fakti që i flas Atit Qiellor, më ngushëllon vërtet. Ai më dëgjon dhe mund të më ndihmojë.”
“Kur lutem, nuk është se përgjigjja më vjen aq thjesht”, – thotë ajo. “Është thjesht ndjenja e udhërrëfimit që më ndihmon; ajo ndjenjë e pranisë së Tij dhe e dashurisë së Tij. Ajo më ngushëllon dhe më bën të ndihem shumë më mirë.”
Këshilla e saj për të rinjtë e të rejat e tjera është: “Lutjuni Atit Qiellor. Flitini Atij. Kjo gjë ju ndihmon shumë.”
Ajo thotë se edhe nëna e saj është natyrë që shqetësohet, por është edhe një mbështetje e madhe. “Nëna ime është një bekim nga Ati Qiellor dhe ajo më ka udhëzuar shumë.”
“Familja është një bekim i madh”, – thotë ajo. “Mendoj se t’i hapesh familjes ose një miku nëse po kalon diçka emocionale, është e rëndësishme.”
Françeska dëshiron që gjithsecili t’i shohë bekimet e përditshme të Zotit. “Bekimet e përditshme mund të jenë kaq të thjeshta. Vajtja në shkollë është një bekim madhor. Ka shumë mrekulli të bukura nëse e gjejmë kohën t’i vëmë re. Jam shumë mirënjohëse që e kam ungjillin në jetën time.”