2023
Ndiqe Dritën e Vërtetë
Janar 2023


“Ndiqe Dritën e Vërtetë”, Për Forcën e Rinisë, janar 2023.

Eja, Më Ndiq

Gjoni 1:1–5

Ndiqe Dritën e Vërtetë

Drita e Jezu Krishtit është gjithmonë aty për ty – dje, sot dhe përgjithmonë.

Jezu Krishti

Consider the Lilies [Vini Re Zambakët], nga Haley Miller

Ndërsa dielli perëndoi një të diel tjetër në vitin 1948, u gjenda duke ecur pranë lumit Trent, në Notingam të Anglisë. Në atë kohë isha një misionar 20-vjeçar. Kishte qenë një ditë e gjatë dhe rraskapitëse, por isha i lumtur dhe i kënaqur nga puna.

Teksa ecja përgjatë lumit, bëra një lutje në zemër. Me shpresën se do të ndieja udhërrëfim nga Zoti, e pyeta: “A po bëj atë që do Ti?”

Befas më pushtoi një ndjenjë e plotë paqeje dhe kuptueshmërie. Pikërisht në atë çast, arrita të kuptoja se Jezu Krishti më njihte dhe më donte. Nuk pashë as vegim dhe as dëgjova ndonjë zë, por nuk do të mund ta kisha ditur me më shumë fuqi realitetin dhe hyjninë e Krishtit edhe po të kishte qëndruar para meje dhe të thërriste emrin tim.

Nga ajo ditë e deri më sot, çdo vendim i rëndësishëm që kam marrë, është ndikuar nga njohuria ime se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Unë e dua Atë më thellësisht dhe më fort nga sa mund ta shprehin fjalët. Ai është Zoti im, Shpëtuesi im, Shëlbuesi im dhe miku im.

Me kalimin e viteve dhe nëpër gjithë botën pothuajse, unë kam dëshmuar për Shpëtimtarin. E di se Ai është Drita e vërtetë dhe e përjetshme që “shkëlqen në errësirë” (Gjoni 1:5). Është një privilegj për ne që të vijmë tek Ai, ta ndjekim Atë dhe të ndiejmë dritën e Tij në jetën tonë.

E Vërteta rreth Dritës

Çdo 24 orë dita kthehet në natë dhe nata në ditë. Kur ne përjetojmë errësirën e natës, nuk shqetësohemi se iku dielli. Ne e dimë se toka do të rrotullohet dhe dielli do të shkëlqejë sërish mbi ne. Mund të mos jemi në gjendje ta shohim apo ta ndiejmë gjithnjë dritën, por ajo është gjithmonë aty.

E njëjta gjë është e vërtetë edhe për anën shpirtërore. M’u kujtua kjo gjë shumë vjet më parë kur bashkëshortja ime Barbara dhe unë po vështronim të mahnitur qiellin gjatë natës. Miliona yje që pamë dukeshin jashtëzakonisht të ndritshëm dhe të bukur. Mendimet e mia më pas shkuan me mahnitje te Jezu Krishti.

“Ai ishte në fillim me Perëndinë” (Gjoni 1:2). Nën drejtimin e Atit Qiellor, Ai krijoi tokën dhe botët pa numër (shih Moisiu 1:33). Ai është fuqia që ndriçon diellin, hënën dhe yjet (shih Doktrina e Besëlidhje 88:7–10). Ai është burimi i dritës dhe i jetës për të gjitha gjërat (shih Gjoni 1:3–4; Doktrina e Besëlidhje 93:10). Ai shpalli: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gjoni 8:12).

Në kohën tonë, Satani po punon pa u ndalur për ta bllokuar dritën e Shpëtimtarit. Por nuk mund të jeni kurrë në një vend aq të errët saqë drita e Jezu Krishtit të mos mund të shkëlqejë për ju nëse do të vini tek Ai. Drita e Tij është gjithmonë aty.

mëngjesi, mesdita dhe nata

Ilustrimet nga Adam Nickel

Ai e Ndriçon Udhën Tonë

Si Biri i Perëndisë, Jezu Krishti kishte lavdi me Perëndinë Atin “para se të bëhej bota” (Gjoni 17:5). Ai ishte krejtësisht i bindur ndaj Atit të Tij (shih Gjoni 5:30) dhe ishte i gatshëm të vinte në tokë. Ai hoqi dorë nga lavdia e Tij për t’u lindur në një stallë të thjeshtë ku nëna e Tij “e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd” (Lluka 2:7).

Gjatë rinisë së Tij, Ai shkoi “të merre[j] me punët e Atit [të Tij]” (Lluka 2:49) dhe i mahniti ata që i dëgjuan mësimet e Tij. Gjatë shërbesës së Tij, Ai kishte fuqi të kryente mrekulli, të bekonte dhe të shëronte të sëmurët, të ngjallte të vdekurit dhe së fundi të siguronte Shlyerjen e pafundme.

Në çdo gjë që Shpëtimtari ka thënë dhe ka bërë, veçanërisht në flijimin e Tij shëlbues, Ai na ka treguar udhën për tek Ati ynë në Qiell. Shembulli dhe mësimet e Tij e ndriçojnë shtegun që ne duhet të ndjekim për t’u kthyer te shtëpia jonë qiellore.

Shpërndaje Dritën e Tij

Pasi ta kemi ndier dritën e Birit të Perëndisë në jetën tonë, ne duhet të përpiqemi fort që ta shpërndajmë atë dritë tek të tjerët. Më pëlqente shumë të isha misionar në Angli. Më pëlqente shumë të isha president misioni në Kanada. Dhe më pëlqen shumë thirrja ime e tanishme si një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetëve Apostujve, e cila më lejon të dëshmoj për Jezu Krishtin në mbarë botën.

Shpëtimtari dha mësim: “Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart – atë që më keni parë duke bërë” (3 Nefi 18:24).

Drita e Shpëtimtarit shkëlqen brenda nesh sa herë që ne lutemi dhe e kërkojmë fjalën e Tij në shkrimet e shenjta. Drita e tij shkëlqen kur duam si Ai, japim dëshmitë tona dhe japim shërbim vetëmohues. Kjo e davarit errësirën nga jeta jonë dhe tërheq të tjerë që po e kërkojnë dritën e Tij.

një vajzë dhe një djalë duke mbajtur dritën

Drita e Tij Zgjat Përgjithmonë

Drita e Jezu Krishtit është gjithmonë aty për ty. Asgjë, absolutisht asgjë, nuk mund t’ia kalojë asaj drite apo ta shuajë dritën e Tij. Ajo do të zgjatë përgjithmonë. Jezu Krishti “është drita dhe jeta e botës; … një dritë që është pa mbarim që nuk mund të errësohet kurrë” (Mosia 16:9).

Jam përjetësisht mirënjohës për përvojën që pata ndërsa isha një i ri misionar, kur arrita ta kuptoja vetë këtë. E di këtë më me siguri sot, ndërsa e kam përjetuar jetën me të gjitha sprovat dhe gëzimet e saj.

Nëse nuk di se ku të shkosh apo çfarë të bësh, kërko dritën e vërtetë të Birit të Perëndisë. Nëse je i gatshëm të vish tek Ai dhe ta ndjekësh dritën e Tij, Ai do të të prijë.