2023
Premtimi Ynë për të Qenë një Dritë
Janar 2023


“Premtimi Ynë për të Qenë një Dritë”, Për Forcën e Rinisë, janar 2023.

Eja, Më Ndiq

Mateu 3

Premtimi Ynë për të Qenë një Dritë

Jezu Krishti është Drita e Botës. Le të bëjmë ç’të mundemi për ta shpërndarë dritën e Tij.

pagëzime

Turma njerëzish erdhën nga e gjithë bota për të parë njeriun në shkretëtirë, i cili vishte rroba të bëra me flokët e devesë dhe hante karkaleca dhe mjaltë. Ata qenë të interesuar për të dëgjuar mësimet e tij mbi Shpëtimtarin, pendimin dhe pagëzimin. Pasi e dëgjonin atë, shumë njerëz dëshironin të pagëzoheshin. Ai i pagëzoi ata që ishin penduar. Emri i këtij njeriu ishte Gjon Pagëzori.

Një ditë, ndërsa Gjoni po pagëzonte njerëz në lumin Jordan, Jezu Krishti erdhi dhe i kërkoi të pagëzohej. Gjoni u shtang. Ai e dinte se Jezusi u ishte bindur gjithnjë urdhërimeve të Perëndisë dhe nuk kishte nevojë të pendohej. Në fakt, ai mendoi se Jezusi duhet ta pagëzonte atë (shih Mateu 3:14)! Jezusi shpjegoi se Perëndia i kishte urdhëruar të gjithë njerëzit që të pagëzoheshin, ndaj edhe Ai duhej të pagëzohej për të dhënë shembullin. Gjoni pranoi dhe e pagëzoi Jezusin në lumin Jordan.

Pagëzimi i Jezusit na mëson se edhe ne duhet të pagëzohemi. Kur u pagëzove, bëre një besëlidhje dhe tregove gatishmërinë tënde për ta ndjekur shembullin e Shpëtimtarit, jo vetëm në pagëzimin tënd, por gjithmonë.

Premtimet dhe Mundësitë

Në pagëzim, ti bën një besëlidhje me Perëndinë dhe premton se do të marrësh mbi vete emrin e Jezu Krishtit (shih Mosia 5:8–10). Ti premton gjithashtu se do t’i zbatosh urdhërimet e Tij, të qëndrosh si dëshmitar i Perëndisë “në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9) dhe t’i shërbesh Atij (shih Mosia 18:8–10; Doktrina e Besëlidhje 20:37).

Çdo javë në kishë, ti e përtërin këtë besëlidhje kur e merr sakramentin (shih Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79). Më pas “duhet të shko[sh] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit” (2 Nefi 31:20).

Gjatë rrugës, do të kesh shumë mundësi për ta ndjekur shembullin e Shpëtimtarit dhe për të treguar dashurinë tënde për Të dhe për njerëzit rreth teje. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka thënë: “Kemi fqinjë për të bekuar, fëmijë për të ruajtur, të varfër për të ngritur moralisht dhe të vërtetën për ta mbrojtur. Kemi gabime për të ndrequr, të vërteta për të shpërndarë dhe të mira për të bërë. Me pak fjalë, duhet të bëjmë një jetë prej dishepulli të përkushtuar.”1

Një Dritë për Njerëzit në Nevojë

Shembulli ynë i përkryer, Shpëtimtari gjithmonë i deshi dhe u shërbeu të tjerëve dhe “e përshkoi vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38).

Në kohë të vështira, Jezu Krishti është Drita që “shkëlqen në errësirë” (Gjoni 1:5). Ai na ka mësuar gjithashtu që të jemi një dritë. Ai tha: “Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart – atë që më keni parë duke bërë” (3 Nefi 18:24).

Si pjesë të besëlidhjes sate të pagëzimit, ti premtove që të “je[sh i] gatshëm të mba[sh] barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta” dhe “të vajto[sh] me ata që vajtojnë; … dhe të ngushëllo[sh] ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:8–9).

Kur ndesh dikë që ndihet i trishtuar apo i shkurajuar, mund të jetë e dallueshme se si ta ndihmosh. Megjithatë, ka raste të tjera, kur nuk do të dish ç’të thuash apo të bësh. Në ato çaste, ti përsëri mund ta hapësh zemrën. Mund t’i dëgjosh e t’i përkrahësh ata.

Teksa i do dhe u shërben të tjerëve, drita e Shpëtimtarit bëhet më e ndritshme brenda teje dhe do të ta ndriçojë rrugën përpara. Ajo do të tërheqë edhe të tjerë gjithashtu që po e kërkojnë dritën e Shpëtimtarit. Duke shkuar përpara dhe duke i mbajtur premtimet që ke bërë në pagëzim, do të gjesh shumë mënyra se si mund ta bësh këtë botë më të mirë dhe më të ndritshme.