2023
Njeri i Dashur për Perëndinë
Shtator 2023


“Njeri i Dashur për Perëndinë”, Për Forcën e Rinisë, shtator 2023.

Eja, Më Ndiq

1 Korintasve 11

Njeri i Dashur për Perëndinë

Në planin e Perëndisë për lumturinë, çdo e re dhe i ri ka qëllim hyjnor, secili prej jush është njeri i dashur dhe i nevojshëm.

Pamja
Plaku Gong me të rinj e të reja

Imagjino se si do të ishte muzika nëse secili instrument do të tingëllonte njësoj. Po sikur çdo tast i pianos të nxirrte të njëjtën notë muzikore ose nëse secili zë në një kor të ishte identik? Kjo do ta bënte muzikën shumë të mërzitshme!

Për fat të mirë, veglat muzikore dhe zërat e korit ndryshojnë në tingull dhe ton. Tastet në piano ofrojnë shumë melodi dhe koret mundësojnë harmoni të larmishme. Kornot, bastubat, violinat dhe timpanet, secila vegël i shton një tingull të veçantë harmonisë së një orkestre.

Pikat e Forta dhe Dhuratat

Ashtu si me muzikën, Ati Qiellor gëzohet për talentet, personalitetet dhe përvojat e larmishme të secilit prej fëmijëve të Tij, duke qenë secila/i një bijë ose bir i dashur. Cilatdo qofshin rrethanat e tua, kudo ku jeton mes kombeve, fiseve dhe popujve, Ati Qiellor kremton potencialin tënd të pafundmë dhe se cili mund të bëhesh nëpërmjet bindjes, hirit dhe dashurisë.

Pamja
i ri duke luajtur në tastierë

Me dashuri të madhe, Ai të fton të zbulosh identitetin tënd hyjnor dhe të përmbushësh qëllimin tënd hyjnor. Ai të inkurajon t’i zhvillosh dhuratat e tua shpirtërore, karakter të perëndishëm dhe mundësi të pamasa. Dhe të ofron mundësi të përditshme që të mësosh t’i shohësh dhe t’u shërbesh njerëzve rreth teje, siç do të bënte Jezu Krishti.

Në planin hyjnor të Perëndisë, ne vijmë në këtë botë nëpërmjet një nëne dhe një ati. Familjet kanë nevojë për të dy ata. Së bashku, si partnerë të barabartë, prindërit ushqejnë shpirtërisht dhe sigurojnë për familjet e tyre. Në shtëpitë tona, etërit dhe bashkëshortët janë për të kryesuar me dashamirësi, zemërbutësi dhe dashuri të pashtirur – cilësi të drejta që burrave dhe grave u nevojiten në të gjitha marrëdhëniet. Qiejt vajtojnë kur, në cilëndo marrëdhënie, ka keqtrajtim, sundim ose detyrim të çfarëdo lloji, nga burrat ose gratë. Bindja, durimi [i perëndishëm], dashamirësia dhe njohuria e kulluar, janë cilësi si të Krishtit që secili prej nesh i synon.

Sigurisht, askush nuk është i përkryer – as ndonjë familje gjithashtu. Cilatdo qofshin rrethanat e tua, nderoji prindërit e tu dhe duaje familjen tënde, familjen që ke dhe familjen që do të kesh një ditë. Shpëtimtari ynë mund të të ndihmojë që t’i kuptosh, falësh dhe inkurajosh njerëzit rrotull teje. Teksa bën më të mirën tënde, Zoti do të të ndihmojë dhe udhërrëfejë. Të lutem, kujto se qëndrimi yt përpara Zotit dhe në Kishën e Tij përcaktohet nga karakteri dhe drejtësia jote vetjake në mbajtjen e besëlidhjeve të tua me Perëndinë.

Pamja
sakramenti

Priftëria dhe Plani i Perëndisë

Perëndia na do më shumë dhe na njeh më mirë sesa e duam apo e njohim ne veten. Autoriteti i Tij i priftërisë jepet për të bekuar të gjithë fëmijët e Tij. Vëllezër të denjë e mbajnë priftërinë, por ata nuk janë priftëria. Presidenti Rasëll M. Nelson na mëson se priftëria “është po aq domethënëse për [gratë] sa ç’është për cilindo burrë”. Priftëria u jep burrave dhe grave “të drejtë të përdorin … të gjitha thesaret shpirtërore që Zoti i ka për fëmijët e Tij”1.

Pamja
të rinj e të reja para një kompjuteri

Shërbimi së Bashku

Në Kishën e Zotit, ne këshillohemi në këshilla teksa shërbejmë së bashku. Në këshillat tanë, udhëheqësit kërkojnë përshtypje dhe ide nga të gjithë, përfshirë të rejat dhe të rinjtë. Në secilin rast, ne marrim vendime më të mira dhe kemi sukses më të madh në shërbimin ndaj Zotit, teksa i vlerësojmë kontributet e njëri-tjetrit dhe punojmë së bashku, si vëllezër dhe motra në punën e Tij.

Në lagjet dhe degët tona, klasat i udhëheqin të rejat dhe kuorumet të rinjtë. Në këshillin e lagjes për rininë, udhëheqësit tanë të rinisë e ndihmojnë secilin të ri e të re të lidhet me qiellin, me udhëheqësit tanë të Kishës dhe të rinj e të reja të tjera. Si shoqërues shërbestarë ndaj të rriturve, të rinjtë dhe të rejat tona japin ndihmesë dhe bekojnë shumë vetë. Në shërbimin tonë, të gjithë ne qëndrojmë së bashku.

Pamja
të rinj dhe të reja duke shërbyer së bashku

Çfarë bekimi është që të rinjtë e të rejat shërbejnë si dëshmitarë të ordinancave të ungjillit të rivendosur! Ju jeni dëshmitarët për pagëzimet, si për pagëzimet për të gjallët ashtu edhe për pagëzimet për paraardhësit në tempull. Ju shërbeni edhe në vende të tjera në shtëpinë e Zotit.

Bekimet e Besëlidhjes me Perëndinë

Individualisht, çdo e re dhe i ri bën besëlidhje të shenjta me Perëndinë. Kur nderohen me besnikëri, besëlidhjet tona me Perëndinë, sjellin bekimet e Tij – më të mëdha nga sa mund të imagjinojmë. Besëlidhjet tona me Perëndinë mund t’i shenjtërojnë dëshirat dhe veprimet tona. Besëlidhjet tona dhe Shlyerja e Krishtit mund të na ndihmojnë që të bëhemi si një fëmijë i Perëndisë: i përulur, i duruar, plot me dashuri (shih te Mosia 3:19). Në gjithçka që bëjmë, ne e fillojmë me Jezu Krishtin. Ne zgjedhim Atë të parin ndër zgjedhjet tona të shumta dhe e vëmë Atë të parin në çdo zgjedhje që bëjmë.

Pamja
Jezu Krishti

Shih te Shpëtimtari

Ti mund të përjetosh ndjenja të gëzuara, të ngrohta në zemrën tënde teksa e vë Jezu Krishtin në qendër të të mësuarit të ungjillit, shërbimit, veprimtarive dhe zhvillimit tënd vetjak dhe ndërsa zgjedh të mirën. Përpjekjet e tua të përqendruara te Krishti mund të jenë ngazëlluese dhe shpërblyese ndërsa i ndihmon të tjerët me dhembshuri dhe dashuri të çiltër.

Gjëra të jashtëzakonshme ndodhin kur të rinjtë dhe të rejat e duan Zotin dhe shërbejnë së bashku në unitet dhe harmoni. Kjo është e vërtetë për seminarin, veprimtaritë e rregullta për rininë dhe FSY-në.

Pamja
e re

Me dashuri të pafundme, Ati ynë Qiellor e fton çdo të re e të ri “të vij[ë] tek ai dhe të marr[ë] pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai” (2 Nefi 26:33).

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti të duan. Ata do të të ndihmojnë dhe bekojnë që të jesh vërtet i/e lumtur. Të lutemi, zgjidhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, të parin. Mirëbesoji Perëndisë dhe ji një në Jezu Krishtin me njerëzit përreth teje. Si një fëmijë i dashur i Perëndisë, ti mund të lidhesh dhe të kesh përkatësi në komunitetin e shenjtorëve që është Kisha e Tij e rivendosur – Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Njeriu që je dhe ai që po bëhesh, është i nevojshëm në botën e sotme. Çfarë ndryshimi mund të sjellësh në familjen tënde, në kishën e Tij të rivendosur dhe në botë!

Me Jezu Krishtin, të gjitha gjërat e mira janë të mundshme. Me Jezu Krishtin, të gjitha gjërat e vërteta do të ndodhin, në kohën e caktuar dhe mënyrën e Perëndisë. Si një prej dëshmitarëve të Tij të veçantë, unë dëshmoj dhe premtoj.

Shënim

  1. Rasëll M. Nelson, “Thesaret Shpirtërore”, konferenca e përgjithshme e tetorit 2019 (Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 77).

Shtyp në Letër