2023
Hiqni Dorë dhe Dëgjoni
Shtator 2023


“Hiqni Dorë dhe Dëgjoni”, Për Forcën e Rinisë, shtator 2023.

Hiqni Dorë dhe Dëgjoni

Kisha një plan për të përmbushur ëndrrat e mia. Por kur hoqa dorë dhe e lejova Zotin të më udhërrëfente në shtegun tim, u bekova në mënyra të bukura.

Pamja
peizazh

Ilustrimi nga Michael Mullan

Pak përpara se të mbushja 17 vjeçe, u shpërngula në San‑Françisko të Kalifornisë në SHBA, për të shkuar në shkollën e arteve. Ëndërroja që të bëhesha një piktore ilustruese për kompaninë Disney.

Në kolegj, mësova më shumë se artin. Mësova rreth asaj se kush isha për Atin tim Qiellor. Nuk isha më në shtëpi. Nuk i kisha më prindërit që të më zgjonin për të më çuar në kishë çdo të diel. Askush s’kishte si ta dinte a po e jetoja apo jo ungjillin. Por e dija se kisha nevojë për Të. Kontrollova për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në një numërator telefonik. Kur hyra në ndërtesën e Kishës dhe dëgjova që po këndohej himni “E Di, Jeton Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 74), u ndjeva si në shtëpi. Fillova të kuptoja se ç’vlerë kishte ungjilli për mua dhe se çfarë doja vërtet.

Bëjeni Zotin Numrin Një në Jetën Tuaj

Në atë pikë, doja ta përfshija Atin tim Qiellor në gjithçka që bëja. Për shembull, fillova ta pyesja Atë se çfarë mendonte për planet e mia të karrierës dhe ku duhet të isha. Ndërsa u luta dhe bëra këto pyetje, fillova të ndihesha se kisha nevojë të isha diku tjetër.

M’u thye pak zemra. I kisha vendosur të gjitha ëndrrat dhe fokusin tim te plani im. Mendova se e dija saktësisht se ku do të shkoja dhe çfarë do të bëja. Por tani, e dija se doja që Zoti të ishte numri një në jetën time dhe kjo për mua kishte më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër. Ndonëse e dija se shtegu im mund të ishte i ndryshëm nga ai që kisha përfytyruar, e ndjeva dashurinë e Tij për mua dhe i mirëbesova urtësisë së Tij.

Ai më drejtoi të shkoja në Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho dhe Universitetin “Brigam Jang” në Provo të Jutës, për të përfunduar diplomat e mia në ilustrim. Përpara se të diplomohesha, bëra një stazh në një studio vendore lojërash. Rreth një vit më vonë, pasi u punësova me kohë të plotë, për hab, studion e bleu kompania Disney, gjë që solli mundësi të reja dhe rritje profesionale.

Kur hiqni dorë nga ajo që mendoni se duhet ta keni, Zoti do t’ju bekojë në kohën e duhur me atë që vërtet do t’ju bëjë të lumtur. Nuk do ta dini kurrë se ku do t’ju shpjerë Zoti. Thjesht hiqni dorë dhe dëgjoni.

Vendosini të Parat Gjërat e Para

Gjatë shkollës, m’u desh të gjeja kohën ndërmjet orëve mësimore, detyrave të shkollës dhe përgjegjësive në Kishë. M’u desh të zbuloja se cilat ishin përparësitë e mia. A të shkoj të vizitoj njerëz për t’u dhënë shërbesë apo të studioj për këtë provim? A t’i lexoj shkrimet e shenjta tani apo të mbaroj këtë detyrë të shkollës?

Sa herë që e vija Zoti të parin dhe bëja punën që Ai më kishte thirrur të bëja, gjërat gjithmonë rregulloheshin, madje kisha më shumë kohë. Ai i mban gjithmonë premtimet e Tij. Kur vëmë Zotin të parin, gjithçka tjetër zë vendin e vet.

Kur shkova në universitet për t’u diplomuar, u përballa me të njëjtat zgjedhje. Në atë kohë isha presidente e Të Rejave në lagje. Një ditë, m’u desh të zgjidhja a të studioja për një provim apo të ndihmoja të rejat të planifikonin një aktivitet. Zgjodha të rejat. Në kohën e lirë që kisha, u luta dhe studiova sa më mirë të mundja. Në njëfarë mënyre e kalova provimin dhe me notë më të mirë nga ç’e prisja.

Lejojeni Atë t’ju Udhërrëfejë

Ati Qiellor do t’ju udhërrëfejë. Ai ju do dhe e di saktësisht gjendjen në të cilën ndodheni. Ai e di saktësisht se çfarë do t’ju bekojë më së shumti dhe kur.

Në jetën time, gjërat kanë ndryshuar dhe janë zhvendosur disi. Por Ai ka qenë aty gjatë gjithë kohës. Teksa e kam ndjekur udhërrëfimin e Tij kundrejt meje, gjërat kanë rrjedhur bukur. Jo siç e prisja, por bukur.

Ai dëshiron që të jetë pjesë e jetës sonë. Nëse thjesht mund ta lejojmë Atë në jetën tonë, ka surpriza të mrekullueshme që e presin secilin prej nesh. Çfarë tjetër ka Ai në ruajtje për ju që as nuk mund ta shihni?

Shtyp në Letër