2023
Një Kohë për të Kërcyer
Shtator 2023


“Një Kohë për të Kërcyer”, Për Forcën e Rinisë, shtator 2023.

Një Kohë për të Kërcyer

Këta të rinj gjetën gëzim nëpërmjet mposhtjes së frikës dhe shfaqjes së talenteve të tyre tek të tjerët.

Pamja
i ri dhe e re duke kërcyer

Fotografitë nga Cristy Powell

Katërmbëdhjetëvjeçarët Emo’onaha Y. dhe Xheks C. kanë të përbashkët të paktën një gjë: të dy ata interpretuan figura vallëzimi në një shfaqje variete në konferencën e FSY‑së, në Provo të Jutës.

Të kërcenin të vetëm përballë mijëra të rinjve nuk qe e lehtë për asnjërin prej tyre. Por ndërsa u përpoqën t’i zhvillonin dhe shfaqnin talentet e tyre, ata morën zbulesë dhe qenë në gjendje të rriteshin në mënyra që i kanë ndihmuar “të bëhe[n] më shumë si Jezu Krishti dhe … ta bë[jnë] më të mirë veten, njerëzit e tjerë e madje botën” (Zhvillimi Vetjak: Libër Udhëzues për Rininë [2019], f. 1).

Kërcimi me Rrathë nga Emo’onaha

Emo’onaha vendosi ta shfaqte talentin e saj të kërcimit me rrathë, gjë që është pjesë e kulturës së saj amerikane vendase. “Një nga shoqet e mia që shkoi në FSY përpara meje, më tha se kishte një shfaqje talentesh dhe se unë duhet të interpretoja”, – thotë ajo.

“Isha pak nervoze, kështu që u përpoqa të mos përqendrohesha tek turma.” Mirëpo ishte disi e vështirë kjo gjë! “Mund t’i dëgjoja të gjithë ata duke brohoritur”, – thotë ajo. “Ishin aq të zhurmshëm saqë mezi e dëgjoja muzikën, kështu që mezi ia dola që të mbaja ritmin!”

Emo’onaha ka punuar fort për t’u bërë e zonja në kërcimin me rrathë. Ajo thotë: “U desh vërtet një kohë e gjatë për ta mësuar”. Por sa më shumë ushtrohej, aq më shumë mësonte rreth vetes.

Pamja
fotografitë e një të reje që bën kërcimin amerikan vendas

Histori e Treguar Nëpërmjet Talentit

Kërcimi me rrathë është një formë e një tregimi të historisë vetjake. “E nis me një rreth që përfaqëson fillesat e tua, dhe pastaj vazhdon duke i shtuar rrathët për të treguar më shumë gjëra rreth jetës sate. Gjatë interpretimit tim, mund të shihni një flutur, një shqiponjë dhe një lopçar”, – thotë Emo’onaha. “Kur jam duke treguar historinë time, ndihem sikur po tregoj historinë e njerëzve prej të cilëve kam mësuar, dhe përvojat që kam pasur.”

Emo’onaha është nga fiset çejene dhe arapahoe të Oklahomës, si dhe nga fiset fort pek siu dhe asiniboin. Ajo thotë: “Më parë ndihesha shumë ndryshe nga gjithë të tjerët”, dhe nganjëherë “prej kësaj ndihesha në siklet”. Mirëpo kërcimi me rrathë e përkrah individualitetin. Secili kërcimtar krijon koreografinë e vet dhe “kjo është çfarë e bën atë aq unike dhe personale për ty”, – thotë ajo.

Talentet Mund të Forcojnë

Emo’onaha ndihet më pranë Perëndisë kur lutet, lexon shkrimet e shenjta dhe përpiqet ta ndjekë Jezu Krishtin. Ajo gjithashtu ndihet pranë Perëndisë kur përpiqet të përmirësohet në talentet e saj. “Kur marr rrathët dhe vallëzoj, mund të ndiej gëzim.” Ajo rekomandon: “Gjeni gjëra që i pëlqeni shumë dhe gjeni njerëz të mirë të cilët do t’ju ndihmojnë që të mund t’i përdorni talentet tuaja për të forcuar veten dhe të tjerët. Shërbimi ndaj të tjerëve mund t’ju ndihmojë gjithashtu që ta forconi dëshminë tuaj për Jezu Krishtin.”

Kërcimi Irlandez me Xheksin

Xheksi ishte tejet nervoz në lidhje me shfaqjen e talentit të tij, kërcimit irlandez në shfaqjen variete të FSY‑së. “Isha shumë, shumë i tmerruar. Aq i tmerruar sikur isha brenda një grope me gjarpërinj”, – thotë ai. “Bëra një lutje të shpejtë para se të dilja përpara. Ende isha i tmerruar, por pastaj filloi muzika. U hoqa sikur nuk ishte askush atje dhe thjesht fillova të kërceja.”

Xheksi kërcente dhe i lëvizte këmbët sipas stilit tradicional irlandez. Mirëpo duke parë fytyrën e skuqur të Xheksit, shumica e njerëzve ndoshta nuk do ta merrnin me mend se kishte bërë një rrugëtim të gjatë për të arritur deri aty.

Pamja
fotografitë e një të riu që bën kërcimin irlandez

Zhvillimi i një Talenti për të Ndihmuar në Mbajtjen e Stresit nën Kontroll

“Në vitin 2020 isha vërtet i stresuar dhe madje me mendime për vetëvrasje”, – thotë Xheksi. “U shtrova në një spital për shëndetin mendor për një muaj. Zbulova se kisha meningjit pediatrik të trurit dhe mësova se isha autik. Ishte vërtet shumë e vështirë.”

Sapo Xheksi mori trajtim mjekësor për shëndetin e tij mendor, nëna e tij e inkurajoi që të gjente një veprimtari fizike për ta ndihmuar që ta mbante stresin nën kontroll. Ai vendosi të kërkonte zbulesë vetjake lidhur me atë që mund të bënte.

“U luta për këtë dhe kërkova ndihmë”, – thotë ai. “M’u kujtua që tezja ime jepte mësim për kërcimet irlandeze. Kështu që e fillova klasën pikërisht përpara shfaqjes sonë të madhe të Krishtlindjes. M’u desh të mësoja gati pesë kërcime për dy javë, ndaj ishte qejf”, – thotë me të qeshur Xheksi. Shpejt kërcimi irlandez u bë një bekim i madh në jetën e tij. “Më ndihmoi vërtet me nivelet e mia të stresit dhe ndjenjat e errëta”, – thotë ai.

Shfaqja e Talentit të Tij

Në FSY, shoqëria e Xheksit e pyeti nëse ai kishte ndonjë talent që mund ta interpretonte në shfaqjen variete. Kështu që ai vallëzoi në trotuar për ta. Kur ata i thanë se duhet të interpretonte, mendimi i parë i Xheksit ishte: “O, jo”. Por vendosi që ta shfaqte talentin e tij edhe pse kishte frikë.

Tani që Xheksi e ka parë veten në materialet filmike duke interpretuar në FSY, veçse qesh. “Në fillim të interpretimit kisha një fytyrë krejtësisht serioze”, – thotë ai. “Por pastaj njerëzit filluan të brohoritnin dhe fillova të buzëqeshja.”

Për të rinjtë e të rejat që kanë vështirësi, Xheksi jep këtë këshillë: “Më mirë të flisni për këtë me dikë sesa ta fshihni siç bëra unë. Zoti e di kush jeni dhe Ai do të jetë pranë jush. Zoti dëshiron t’ju ndihmojë.”

Mbi të gjitha, Xheksi ndien se të mësuarit e kërcimeve irlandeze ka qenë një bekim nga Ati Qiellor.

Pamja
e re dhe i ri duke kërcyer

Ti Je Unik

Nuk i dihet kurrë – kur ti i drejtohesh Zotit, ndoshta edhe ti do të frymëzohesh për të zhvilluar një talent të ri.

Ashtu si Emo’onaha dhe Xheksi, Fryma e Shenjtë mund të të ndihmojë që t’i dallosh talentet. Teksa i zhvillon këto talente dhe i shfaq ato, mund të gjesh ndihmë teksa përpiqesh fort të bëhesh më shumë si Shpëtimtari.

Çfarë talentesh mund të zhvillosh dhe shfaqësh?

Shtyp në Letër