2023
4 Mënyra për ta Forcuar Familjen Tënde
Shtator 2023


“4 Mënyra për ta Forcuar Familjen Tënde”, Për Forcën e Rinisë, shtator 2023.

4 Mënyra për ta Forcuar Familjen Tënde

Mund ta forcosh familjen tënde që të jetë më e mira që mundet, duke e jetuar ungjillin e Jezu Krishtit.

Pavarësisht se sa e fortë është familja jote, gjithmonë mund ta forcosh pak më shumë. Këto ditë, duket sikur goditjet ndaj familjeve janë të vazhdueshme. Kjo ndodh sepse Satani e di që familjet janë thelbësore në planin e Atit Qiellor. Nëse ka ndonjë gjë që kundërshtari mund të bëjë për ta prishur jetën familjare, pa dyshim që do ta provojë.

Ndonëse asnjë familje nuk është e përkryer, familja jote ka një gjë që nuk e ka asnjë familje tjetër: ty! Dhe ti e ke ungjillin e Jezu Krishtit në anën tënde. Profetët dhe apostujt kanë dhënë mësim: “Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht”1.

Ja tek janë disa mënyra se si ungjilli i Zotit mund ta forcojë dhe të sjellë lumturi në familjen tënde:

  • Familjet mund të vulosen për gjithë përjetësinë.

  • Familjet mund ta shijojnë kohën që kalojnë së bashku, [me pjesëtarët] duke i dhënë shërbim njëri-tjetrit dhe duke përjetuar ndjenjën e përkatësisë dhe një ndjesi të identitetit hyjnor.

  • Familjet mund të mbështeten te fuqia e Jezu Krishtit për të zgjidhur keqkuptimet, grindjet dhe sfidat nëpërmjet pendimit, faljes dhe besimit.

Ja tek janë katër mënyra se si ti mund ta forcosh familjen tënde duke e jetuar ungjillin:

Pamja
njerëz duke u lutur

Ilustrimet nga Lai T. Sheng

1 Nxit Lutjen

Familjet bëhen më të forta kur luten së bashku. Lutjet mund ta bekojnë familjen tënde me paqe, dashuri dhe harmoni. Nëse lutja nuk është bërë zakon në familjen tënde, lutu që të dish se si mund ta ndihmosh familjen që të lutet së bashku. Ji gati që të veprosh sipas përgjigjeve që merr.

2 Shkoni në Kishë së Bashku

Në kishë ne mësojmë rreth ungjillit të Jezu Krishtit. Ne gjithashtu marrim sakramentin dhe besëlidhim me Perëndinë se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe gjithmonë ta kujtojmë Atë (shih te Mosia 18:8–10; Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79).

Frekuentimi i kishës si familje ndihmon për ta sjellë çdokënd më afër Perëndisë dhe njëri-tjetrit. Kërkon zotim që të shkojmë çdo javë, por Perëndia do të të bekojë për përpjekjet e tua. Nëse familja jote zgjedh të mos e frekuentojë kishën me ty, të lutemi, dije se pjesëmarrja jote do të të forcojë dhe ndihmojë që të gjesh mënyra të tjera se si ta forcosh familjen tënde.

Pamja
godinë e kishës

3 Jep Dashuri dhe Shërbe

Shpëtimtari dha mësim: “Doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve” (Gjoni 15:12). Iu thuaj familjarëve të tu se sa shumë i do ata – edhe nëse je i/e sigurt se e dinë atë gjë. Shprehja e dashurisë sate për familjen tënde nëpërmjet fjalës dhe veprimit e fton Shpirtin në shtëpinë tënde.

Shërbimi ndaj pjesëtarëve të familjes është një mënyrë e rëndësishme për ta treguar dashurinë tënde. Shërbimi ndaj të tjerëve së bashku gjithashtu i afron familjarët e tu më shumë me njëri-tjetrin dhe Atin Qiellor. Nuk ke pse të organizosh një projekt të madh shërbimi. Shërbimi mund të jetë i thjeshtë, i tillë si përgatitja e një vakti të parapëlqyer për një fqinj. Shërbimi si familje sjell gëzim, sepse siç lexojmë te shkrimet e shenjta: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17).

Pamja
një vajzë me gjyshen duke u përqafuar

4 Jetoje Ungjillin

Shumë familje kanë familjarë që nuk janë anëtarë të Kishës ose kanë vendosur të mos shkojnë më në Kishë. Pa përkrahjen e familjes, mund të jetë e vështirë që të marrësh pjesë në Kishë. Nëse familja jote është në një situatë të ngjashme, kujto se mund të jesh ende një forcë për mirë duke e jetuar ungjillin.

Lëre familjen tënde të shohë se ti e jetoni atë që beson. Nuk i dihet kurrë se kur ata po e shohin atë që po thua dhe bën. Kjo do të sjellë dritën e ungjillit në familjen tënde. Pavarësisht nga situata jote familjare, përpjekjet e tua të vazhdueshme për ta jetuar ungjillin mund të hapin derën që Shpirti ta udhërrëfejë, ndikojë dhe lartësojë familjen tënde dhe ta ndihmojë atë të vijë më pranë Shpëtimtarit, Jezu Krishtit.

Shtyp në Letër