2023
Ndihesh i Stresuar, në Ankth apo i Trishtuar?
Shtator 2023


“Ndihesh i Stresuar, në Ankth apo i Trishtuar?”, Për Forcën e Rinisë, shtator 2023.

Ndihmë për Jetën

Ndihesh i Stresuar, në Ankth apo i Trishtuar?

Ja tek janë disa gjëra që mund të bësh për këtë.

Pamja
matës me ngjyra dhe shprehje fytyre të ndryshme

Prova e Stresit

Sa i/e trishtuar apo i/e stresuar ndihesh?

Nëse po përjeton ndjenja si humbja e shpresës, panik ose depresion apo ankth për një kohë të gjatë, të lutemi, kërko ndihmë duke biseduar me një të rritur të besuar. Mund të provosh gjithashtu disa këshilla nga pjesa me të verdhë (veçanërisht këshillat bazë), por nganjëherë mund të të nevojitet më shumë ndihmë dhe kjo është normale.

Nëse ke mendime për vetëvrasje, kërko ndihmë menjëherë. Vihu në kontakt me shërbimin telefonik vendor të ndihmës për urgjencat, komisariatin e policisë ose spitalin.

Është normale të kesh ankth, të jesh i/e trishtuar ose i/e stresuar nganjëherë. Këto emocione shpesh nxiten nga rrethanat e jetës dhe vijnë e ikin ndërsa jeta ndryshon. Provo disa këshilla që mund të të ndihmojnë!

Këshillat Bazë

  • Drejtoju Atit Qiellor. Ai i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të tua. Ai do të të ndihmojë të përballesh me sfidat që të vijnë në jetë.

  • Përqendrohu te Jezu Krishti. “Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë.”1

  • Shërbeju të tjerëve. “Kur jepemi në shërbim të të tjerëve, zbulojmë vetë jetën tonë dhe vetë lumturinë tonë.”2

  • Mbaje shpirtin tënd të shëndetshëm. Lexoji shkrimet e shenjta çdo ditë, frekuento tempullin kur është e mundur, merr sakramentin, mbaji besëlidhjet dhe pendohu çdo ditë. Kërko bekime priftërie kur të të nevojiten.

  • Mbaje trupin tënd të shëndetshëm. Fli mjaftueshëm, bëj ushtrime fizike dhe bindju Fjalës së Urtësisë.

Nëse Ndihesh në Ankth

  • Përqendrohu tek e tashmja. Nuk të ndihmon fakti që shqetësohesh për të ardhmen ose stresohesh për të shkuarën. Çasti aktual është e vetmja gjë që mund të ndryshosh vërtet.

  • Gjej kohë për t’u qetësuar. “Nuk është e nevojshme që një njeri duhet të vrapojë më shpejt sesa ai ka fuqi” (Mosia 4:27).

  • Mendo pozitivisht. Ndjenjat negative mund të shkaktohen nga mendimet negative. Të mendosh pozitivisht mund të të ndihmojë të jesh më pak i/e frikësuar ose në ankth.

Nëse Ndihesh i/e Trishtuar

  • Dije se sprovat janë pjesë e planit. Përjetimi i rrethanave të vështira nuk do të thotë medoemos se po bën ndonjë gjë të gabuar. Mirëbeso se Ati Qiellor do të të forcojë dhe se sfidat e tua do të veprojnë së bashku për të mirën tënde (Doktrina e Besëlidhje 90:24; shih edhe te Romakëve 8:28; Doktrina e Besëlidhje 122:5–9).

  • Përqendrohu te mirënjohja. Shkruaji gjërat për të cilat je mirënjohës/e çdo ditë dhe sigurohu që ta falënderosh Atin Qiellor (shih te Doktrina e Besëlidhje 98:1).

  • Bëj gjërat që të pëlqejnë. Kalo kohë me miqtë dhe familjen, provo një hobi të ri, dëgjo muzikë lartësuese ose planifiko një veprimtari zbavitëse.

Kur Ndihesh se Nuk Je Mjaftueshëm i/e Mirë

  • Dije se nuk është nevoja të jesh i/e përsosur. “Këtu në vdekshmëri përsosja është ende ‘e mbetur pezull’.”3 Mos e krahaso veten me të tjerët, në jetën reale ose në mediat shoqërore.

  • Foli vetes me dashamirësi. Ji dashamirës/e me veten siç do të ishe me një mik/e. Fryma e Shenjtë do të të flasë gjithashtu me dashamirësi dhe nuk do të të përqeshë ose përçmojë.

  • Dije se Shpëtimtari e plotëson pjesën e mbetur. Jezu Krishti vdiq për mëkatet tona dhe mori mbi Vete dhembjet, sëmundjet dhe dobësitë tona (shih tek Alma 7:11–12). Nëse jemi të përulur, Ai ka premtuar që të “bëj[ë] që gjërat e dobëta, të bëhen të forta” (Ethëri 12:27). Mund të mos jemi mjaftueshëm të mirë të vetëm, por mund të jemi mjaftueshëm të mirë me Të.

Përfundimi

Me gjasë do të kesh shumë ditë kur do të ndihesh me vetëbesim dhe gati për t’i përballuar sfidat e jetës. Pavarësisht se sa mirë ndihesh, sigurohu që të vazhdosh të ndjekësh këshillat bazë.

Lutju Atit Qiellor edhe kur jeta është e lehtë. Përqendrohu tek ajo që ka bërë Shpëtimtari për ty, si dhe tek jeta dhe mësimet e Tij, madje edhe kur gjërat po shkojnë mirë. Pastaj, kur të përjetosh emocione të vështira, do të jesh i/e përgatitur më mirë për t’i përballuar ato.

Shtyp në Letër