2023
Tre Mësime nga Vitet e Adoleshencës të Jozef Smithit
Shtator 2023


“Tre Mësime nga Vitet e Adoleshencës të Jozef Smithit”, Për Forcën e Rinisë, shtator 2023.

Tre Mësime nga Vitet e Adoleshencës të Jozef Smithit

Shikoni se ç’mund të mësoni nga përvojat e Profetit 200 vjet më parë.

Pamja
i ri

A jeni ndier ndonjëherë sikur është e vështirë të gjeni lidhje me njerëzit në të shkuarën? Ata kanë jetuar kaq vite përpara – a mund t’ju mësojnë ata realisht ndonjë gjë rreth jetës suaj? Po! Jozef Smithi është një shembull i shkëlqyer. Në kohën kur ishte 18 vjeç, ai kishte mësuar disa gjëra në lidhje me atë se si të marrësh përgjigje ndaj lutjes dhe marrëdhënien e tij me Atin e tij Qiellor. Ato mësime mund t’ju ndihmojnë ju sot.

Mësimi nr. 1: Ndonjëherë kërkon kohë të marrësh përgjigje.

Përgjigjet ndaj lutjeve nuk vijnë gjithmonë shpejt. Pritja nuk është e lehtë – veçanërisht kur përgjigjet e shpejta janë në dispozicion në internet pothuajse për çdo pyetje.

Nëse ndieni sikur Perëndia po vonohet shumë për t’ju dhënë përgjigje, nuk jeni vetëm. Jozef Smithi ishte 12 vjeç kur filloi të mendonte për “çështje shumë të rëndësishme për mirëqenien e shpirtit [të tij] të pavdekshëm”1. Ai u mundua me pyetjet rreth denjësisë së tij vetjake dhe ligësisë së botës për dy vitet në vazhdim. Ju deshën dy vjet përsiatjeje, studimi të shkrimeve të shenjta dhe zgjidhje të atyre pyetjeve përpara se Perëndia dhe Jezu Krishti t’i shfaqeshin në Korijen e Shenjtë.

Është e njëjta gjë me ne. Kur kemi një pyetje, mund të duhen ditë, muaj, madje dhe vite përpara se të marrim një përgjigje. Kjo është normale. Mundi që derdhim ndërsa presim, është thelbësor. Kujtoni atë që ka dhënë mësim Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Fara duhet të ushqehet dhe ne duhet të presim për të që të piqet”2.

Pamja
Jozef Smithi duke lexuar letrat e Jakobit

Mësimi nr. 2: Perëndia na njeh me emër.

Përpara se të mbushte 18 vjeç, Jozefi ishte vizituar nga Perëndia Ati, Jezu Krishti dhe engjëlli Moroni. Kjo është shumë mbresëlënëse! Këto qenie hyjnore e njihnin të gjithë me emër Jozefin. Ata e njihnin atë personalisht.

Perëndia të njeh edhe ty personalisht. Ti je biri ose bija e Tij dhe Ai e di emrin tënd. Perëndia na mësoi këtë të vërtetë rreth krijimeve të Tij: “Të gjitha gjërat numërohen prej meje, sepse ato janë të miat dhe unë i njoh ato” (Moisiu 1:35).

Një pjesë e arsyes pse Jozefi kishte vetëbesim për të bërë atë që iu kërkua, ishte sepse ai e kuptoi që ishte një fëmijë i Perëndisë, i cili e njihte atë personalisht.

Pamja
Jozef Smithi në Korijen e Shenjtë

Mësimi nr. 3: Kur pendohemi, ne e hapim [zemrën] ndaj përvojave shpirtërore.

Njëra nga shtysat kryesore të Jozefit pse shkoi në Korijen e Shenjtë, ishte që të pendohej për mëkatet e tij. Për të njëjtën arsye u lut edhe natën që iu shfaq engjëlli Moroni: “Për falje të të gjitha mëkateve dhe marrëzive të [tij]” (Jozef Smith – Historia 1:29). Kjo na mëson dy gjëra:

Së pari, nëse kemi bërë gabime, nuk duhet të mendojmë që nuk jemi të denjë të lutemi. Jozefi kishte kryer “mëkate dhe marrëzi”, prapëseprapë ende e dinte se mund të lutej dhe të merrte falje.

Së dyti, kur pendohemi, ne mund ta ndiejmë më fuqishëm Shpirtin. Siç ka shpjeguar Plaku Jorg Klebingat, i Të Shtatëdhjetëve: “Vetëbesimi shpirtëror rritet kur pendoheni me dëshirë dhe me gëzim për mëkate[t]”3.

Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se pendimi na ndihmon të bëhemi më shumë si Shpëtimtari. Kur pendohemi, ne hapim dyert e qiellit. “Ne zgjedhim të rritemi shpirtërisht dhe të marrim gëzim – gëzimin e shëlbimit tek Ai.”4

Ndaj nëse keni nevojë të pendoheni për diçka, bëjeni! Jo vetëm që do t’ju sjellë paqe dhe t’ju ndihmojë të bëheni më shumë si Shpëtimtari, por do t’ju ndihmojë gjithashtu që ta ndieni më fuqishëm Shpirtin dhe të merrni përgjigje ndaj pyetjeve.

Jozef Smithi mund të ketë jetuar shumë kohë më parë, por mësimet që mori ai kur ishte adoleshent, mund t’ju ndihmojnë ende sot. Është thjesht një arsye tjetër për të qenë mirënjohës për Profetin Jozef Smith.

Shtyp në Letër