Fuqia Vulosëse
Fuqia vulosëse e vë shpëtimin e individit dhe ekzaltimin e familjes në dispozicion të fëmijëve të Perëndisë në mënyrë universale.
Është profetizuar të paktën që në ditët e Isaias1 se në ditët e mëvonshme, populli i lashtë i besëlidhjes së Zotit, shtëpia e Izraelit, do të “mblidhe[t] nga shpërndarja e [saj] e gjatë, nga ishujt e detit dhe nga katër anët e tokës”2 dhe do të rivendoset në “tokat e trashëgimit të [saj]”3. Presidenti Rasëll M. Nelson ka folur shpesh dhe fuqishëm rreth kësaj mbledhjeje, duke e quajtur atë “gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot”4.
Cili është qëllimi i kësaj mbledhjeje?
Me anë të zbulesës së dhënë Profetit Jozef Smith, Zoti e përcaktoi njërin qëllim si mbrojtja e popullit të besëlidhjes. Ai tha: “Mbledhja së bashku mbi tokën e Sionit dhe në kunjat e tij [do] të jetë për mbrojtje e për strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun”5. “Zemërimi” në këtë kontekst mund të kuptohet si pasojat e natyrshme të mosbindjes të përhapur gjerësisht ndaj ligjeve dhe urdhërimeve të Perëndisë.
Më e rëndësishmja, mbledhja është për qëllimin e sjelljes së bekimeve të shpëtimit dhe të ekzaltimit tek të gjithë ata që do t’i marrin ato. Është mënyra se si realizohen premtimet e besëlidhjes që iu dhanë Abrahamit. Zoti i tha Abrahamit se nëpërmjet farës së tij dhe priftërisë “të gjitha familjet e tokës do të bekohen, madje me bekimet e Ungjillit, të cilat janë bekimet e shpëtimit, madje të jetës së përjetshme”6. Presidenti Nelson e shprehu atë në këtë mënyrë: “Kur e pranojmë ungjillin dhe pagëzohemi, ne marrim mbi vete emrin e shenjtë të Jezu Krishtit. Pagëzimi është porta që na çon drejt bërjes bashkëtrashëgimtarë të të gjitha premtimeve që iu dhanë nga Zoti Abrahamit, Isakut, Jakobit dhe pasardhësve të tyre në lashtësi.”7
Në vitin 1836, Moisiu iu shfaq Profetit Jozef Smith në Tempullin e Kirtlandit dhe “dorëzoi çelësat e mbledhjes së Izraelit nga të katër cepat e tokës”8. Në po atë rast, Eliasi u shfaq dhe “dorëzoi periudhën e kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit, duke thënë se në ne dhe në farën tonë gjithë brezat pas nesh do të bekoheshin”9. Me këtë autoritet, ne tani ua çojmë ungjillin e Jezu Krishtit – lajmin e mirë të shëlbimit nëpërmjet Tij – të gjithë cepave dhe popujve të tokës dhe i mbledhim në besëlidhjen e ungjillit të gjithë ata që dëshirojnë. Ata bëhen “fara e Abrahamit, dhe kisha e mbretëria, dhe të zgjedhurit e Perëndisë”10.
Në po atë rast, në Tempullin e Kirtlandit pati një lajmëtar të tretë qiellor, i cili iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit. Flas për profetin Elija dhe janë autoriteti dhe çelësat që ai i rivendosi, për të cilat dëshiroj të flas sot.11 Fuqia për të bërë të vlefshme të gjitha ordinancat e priftërisë dhe për t’i bërë të lidhen si në tokë ashtu edhe në qiell, fuqia vulosëse, është vendimtare për mbledhjen dhe përgatitjen e një populli besëlidhës në të dyja anët e velit.
Vite më parë, Moroni ia kishte bërë të qartë Jozef Smithit se Elija do të sillte autoritetin themelor të priftërisë: “Unë do t’ju zbuloj Priftërinë, nëpërmjet dorës së Elija[s] profetit”12. Jozef Smithi më vonë shpjegoi: “Përse të dërgohej Elija? Sepse ai mban çelësat e autoritetit për të administruar në të gjitha ordinancat e Priftërisë; dhe [po të mos] jepet autoriteti, ordinancat nuk mund të administrohen në drejtësi”13, që do të thotë, ordinancat nuk do të ishin të vlefshme si në kohë ashtu edhe në përjetësi.14
Në një mësim tani të kanonizuar si shkrim i shenjtë te Doktrina Besëlidhje, Profeti tha: “Disave mund t’iu duket si një doktrinë shumë e guximshme ajo për të cilën po flasim – një fuqi që regjistron ose lidh në tokë dhe lidh në qiell. Megjithatë, në të gjitha epokat e botës, kurdoherë që Zoti ia ka dhënë një kujdestari të priftërisë një njeriu ose një grupi njerëzish, me anë të zbulesës aktuale, kjo fuqi është dhënë gjithmonë. Që atëherë, çfarëdo që ata burra bënë me autoritet, në emër të Zotit, dhe e bënë me të vërtetë e me besnikëri dhe mbajtën një anal të përpiktë dhe besnik të saj, u bë një ligj në tokë e në qiell dhe nuk mund të anulohej, sipas dekreteve të Jehovës së madh.”15
Ne priremi të mendojmë për autoritetin vulosës se gjen zbatim vetëm në ordinanca të caktuara në tempull, por ai autoritet është i domosdoshëm për ta bërë cilëndo ordinancë të vlefshme dhe lidhëse përtej vdekjes.16 Fuqia vulosëse i vë një vulë ligjshmërie pagëzimit tuaj, për shembull, kështu që ai njihet këtu dhe në qiell. Më së fundmi, të gjitha ordinancat e priftërisë kryhen nën çelësat e Presidentit të Kishës dhe siç shpjegoi Presidenti Jozef Filding Smith: “Ai [Presidenti i Kishës] na ka dhënë autoritet, ai e ka vendosur fuqinë vulosëse në priftërinë tonë, sepse ai i mban ato çelësa”17.
Ka edhe një qëllim tjetër jetik në mbledhjen e Izraelit që ka domethënie të veçantë kur flasim rreth vulosjes në tokë dhe në qiell, që do të thotë ndërtimi dhe vënia në funksionim e tempujve. Siç e shpjegoi Profeti Jozef Smith: “Cili ishte qëllimi i mbledhjes së … popullit të Perëndisë në çfarëdo epoke të botës? … Qëllimi kryesor ishte ndërtimi i një shtëpie për Zotin, në të cilën Ai të mund t’i zbulonte popullit të Tij ordinancat e shtëpisë së Tij dhe lavditë e mbretërisë së Tij dhe t’u mësonte njerëzve udhën e shpëtimit; sepse ka disa ordinanca e parime që, kur mësohen e praktikohen, duhet të kryhen në një vend apo shtëpi të ndërtuar për atë qëllim.”18
Vlefshmëria që fuqia vulosëse u jep ordinancave të priftërisë përfshin, sigurisht, ordinancat me mëkëmbës të kryera në vendin e caktuar nga Zoti – në tempullin e Tij. Këtu ne shohim madhështinë dhe shenjtërinë e fuqisë vulosëse – ajo e vë shpëtimin e individit dhe ekzaltimin e familjes në dispozicion të fëmijëve të Perëndisë në mënyrë universale, kudo dhe kurdoherë që ata mund të kenë jetuar në tokë. Asnjë teologji, filozofi apo autoritet tjetër nuk mund t’i bëjë një ofertë të barabartë një mundësie të tillë gjithëpërfshirëse. Kjo fuqi vulosëse është një shfaqje e përsosur e drejtësisë, mëshirës dhe dashurisë së Perëndisë.
Me të drejtën e përdorimit të fuqisë vulosëse, zemrat tona në mënyrë të natyrshme kthehen drejt atyre që kanë shkuar përpara nesh. Mbledhja e ditëve të mëvonshme në besëlidhje kapërcen përtej velit. Në rendin e përsosur të Perëndisë, të gjallët nuk mund të përjetojnë jetën e përjetshme në plotësinë e saj pa farkëtuar lidhje duruese me “etërit”, paraardhësit tanë. Po ashtu, përparimi i atyre që tashmë janë në anën tjetër, ose që ende mund të kalojnë përmes velit të vdekjes pa përfitimin e vulosjeve, është i paplotë derisa ordinancat me mëkëmbës t’i lidhin ata me ne, pasardhësit e tyre, dhe ne me ta sipas rendit hyjnor.19 Zotimi për ta ndihmuar njëri‑tjetrin përmes velit mund të klasifikohet si një premtim besëlidhës, pjesë e besëlidhjes së re dhe të përjetshme. Me fjalët e Jozef Smithit, ne dëshirojmë t’i “vulosim të vdekurit tanë që të vijnë [me ne] në ringjalljen e parë”20.
Shfaqja më e lartë dhe më e shenjtë e fuqisë vulosëse është në bashkimin e përjetshëm të një burri dhe një gruaje në martesë dhe lidhjen e njerëzimit përmes të gjithë brezave të tyre. Ngaqë autoriteti që kryeson në këto ordinanca, është kaq i shenjtë, Presidenti i Kishës personalisht mbikëqyr delegimin e këtij autoriteti tek të tjerët. Presidenti Gordon B. Hinkli tha në një rast: “E kam thënë shumë herë që, nëse asgjë tjetër nuk do të dilte nga gjithë pikëllimi, puna e rëndë dhe dhembja e rivendosjes përveçse fuqia vulosëse e priftërisë së shenjtë për t’i lidhur së bashku familjet përgjithmonë, do t’ia vlente e gjithë çfarë ajo ka kushtuar”21.
Pa vulosjet që krijojnë familje të përjetshme dhe i lidhin brezat këtu dhe më pas, ne do të lihemi në përjetësi pa rrënjë dhe pa degë, domethënë, pa paraardhës dhe pa pasardhës. Është kjo gjendje pa lidhje, e shkëputur e individëve, nga njëra anë, ose lidhjet që i sfidojnë marrëdhëniet martesore dhe familjare që i ka caktuar Perëndia22, në anën tjetër, që do ta shkatërrojnë pikërisht qëllimin e krijimit të tokës. Nëse kjo do të bëhej standardi, ajo do të ishte e barasvlershme me faktin që toka do të goditej me një mallkim ose “shfarosje [të] plotë” në ardhjen e Zotit.23
Ne mund të shohim përse “martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe se familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”24. Në të njëjtën kohë, ne e pranojmë se në të tashmen e papërsosur, ky nuk është realiteti ose madje mundësia realiste për disa. Por ne kemi shpresë te Krishti. Ndërkohë që presim për Zotin, Presidenti M. Rasëll Ballard na kujton se “shkrimet e shenjta dhe profetët e ditëve të mëvonshme pohojnë se çdo njeri që është besnik në mbajtjen e besëlidhjeve të ungjillit, do të ketë mundësinë për ekzaltim”25.
Disa njerëz kanë përjetuar rrethana të palumtura dhe të pashëndetshme familjare dhe ndiejnë pak dëshirë për një shoqërim të përjetshëm familjar. Plaku Dejvid A. Bednar bëri këtë vëzhgim: “Juve që keni përjetuar pikëllimin e një divorci në familjen tuaj apo keni ndier agoninë e një mirëbesimi të dhunuar, ju lutem mbajeni mend se [modeli i Perëndisë për familjet] fillon sërish me ju! Një lidhje në zinxhirin e brezave tuaj mund të jetë thyer, por lidhjet e tjera të drejta dhe ajo që mbetet nga zinxhiri, janë gjithsesi përjetësisht të rëndësishme. Ju mund t’i shtoni forcë zinxhirit tuaj e ndoshta edhe të ndihmoni për t’i rivendosur lidhjet e thyera. Ajo punë do të kryhet një e nga një.”26
Në shërbesat e varrimit për Motrën Pat Holland, bashkëshorten e Plakut Xhefri R. Holland, korrikun e kaluar, Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Me kohën, Patrisha dhe Xhefri do të ribashkohen. Më vonë atyre do t’u bashkohen fëmijët e tyre dhe pasardhësit e tyre besëlidhjembajtës, për të përjetuar plotësinë e gëzimit që Perëndia e ka ruajtur për fëmijët e Tij besnikë. Duke e ditur këtë gjë, ne e kuptojmë se data më e rëndësishme në jetën e Patrishës nuk ishte data e lindjes së saj apo data e vdekjes së saj. Data e saj më e rëndësishme ishte 7 qershori 1963 kur ajo dhe Xhefi u vulosën në Tempullin e Seint‑Xhorxhit. … Përse është kjo kaq e rëndësishme? Sepse pikërisht arsyeja që toka u krijua, ishte që familjet të mund të formoheshin dhe të vuloseshin me njëra‑tjetrën. Shpëtimi është një çështje individuale, por ekzaltimi është një çështje familjare. Askush nuk mund të ekzaltohet vetëm.”
Jo shumë kohë më parë, bashkëshortja ime dhe unë u bashkuam me një mikeshë të dashur në dhomën e vulosjes së Tempullit të Bauntifullit në Jutë. Fillimisht e takova këtë mikeshë kur ajo ishte fëmijë në Kordovë të Argjentinës. Unë dhe shoku im misionar po kontaktonim njerëz në një lagje vetëm pak blloqe larg nga zyra e misionit dhe ajo e hapi derën kur arritëm te shtëpia e saj. Në kohën e duhur, ajo, nëna dhe motrat e vëllezërit e saj u bashkuan me Kishën dhe ata qëndruan anëtarë besnikë. Ajo është tani një grua plot dashuri dhe në këtë ditë ne ishim në tempull për të vulosur prindërit e saj të vdekur me njëri‑tjetrin dhe më pas të vulosej ajo tek ta.
Një çift me të cilin gjatë viteve janë bërë miq të ngushtë, përfaqësoi prindërit e saj tek altari. Ishte një çast emocional që u bë edhe më i ëmbël kur mikesha jonë argjentinase u vulos te prindërit e saj. Ishim vetëm gjashtë veta të pranishëm në një pasdite të qetë larg nga bota dhe prapëseprapë po ndodhte njëra nga gjërat më të rëndësishme që ndodh ndonjëherë në tokë. Unë isha i kënaqur që roli dhe shoqëria ime kishin bërë një cikël të plotë nga trokitja në derën e saj si misionar i ri në moshë deri më tani, kaq shumë vite më pas, duke kryer ordinancat vulosëse që e lidhën atë me prindërit e saj dhe brezat e kaluar.
Kjo është një skenë që ndodh vazhdimisht në të gjithë botën në tempuj. Ky është hapi i fundit në mbledhjen e popullit të besëlidhjes. Është privilegji më i madh për anëtarësinë tuaj në Kishën e Jezu Krishtit. Unë premtoj se, teksa e kërkoni me besim atë privilegj, në kohë ose përjetësi, ai do të jetë sigurisht i juaji.
Dëshmoj se fuqia vulosëse dhe autoriteti i rivendosur në tokë nëpërmjet Jozef Smithit janë realë, se ajo që është lidhur në këtë mënyrë në tokë, është vërtet e lidhur në qiell. Dëshmoj se Presidenti Rasëll M. Nelson, si Presidenti i Kishës, është i vetmi burrë në tokë sot që, nëpërmjet çelësave të tij, e drejton përdorimin e kësaj fuqie hyjnore. Dëshmoj se Shlyerja e Jezu Krishtit e ka bërë pavdekësinë një vërtetësi dhe mundësinë e marrëdhënieve të ekzaltuara familjare një realitet. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.