2014
Motëria: O, Sa Nevojë Kemi për Njëra-Tjetrën!
Maj 2014


Motëria: O, Sa Nevojë Kemi për Njëra-Tjetrën!

Boni L. Oskarson

Ne duhet të ndalojmë së përqendruari në dallimet tona dhe të kërkojmë atë që kemi të përbashkët.

Në atë video ne pamë tetë vende dhe dëgjuam nëntë gjuhë të ndryshme. Përfytyroni se sa shumë gjuhë u shtuan në atë varg të fundit. Është drithëruese të dimë se, si një motëri mbarëbotërore, ne jemi në gjendje t’i ngremë zërat tanë në dëshmi për të vërtetën e përjetshme se ne jemi bija të një Ati të dashur Qiellor.

Çfarë privilegji i madh është të jesh këtu në këtë rast historik dhe t’u drejtohesh të gjitha grave të Kishës, nga mosha tetë vjeç e lart. Ka një fuqi të jashtëzakonshme në bashkimin tonë këtë mbrëmje. Ndërsa e shoh çdonjërën prej nesh që jemi mbledhur së bashku në Qendrën e Konferencave dhe kur mendoj për mijëra të tjera që po e shohin këtë transmetim satelitor nga vendndodhje në mbarë botën, fuqia e ndërthurur e dëshmive dhe e besimit tonë te Jezu Krishti përbën me siguri një nga asambletë e mbushura me më shumë besim dhe më të fuqishme të grave në historinë e Kishës, në mos në historinë e botës.

Sonte ne u gëzohemi roleve tona të shumta e të ndryshme si gra në Kishë. Megjithëse jemi të ndryshme dhe të pashoqe në shumë mënyra, ne gjithashtu e pranojmë se jemi të gjitha bija të të njëjtit Atë Qiellor, gjë që na bën motra. Ne jemi të bashkuara në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë dhe në besëlidhjet që kemi bërë, pavarësisht rrethanave tona. Kjo asamble e bashkuar është, pa dyshim, motëria më e lavdishme mbi faqen e tokës!1

Të qenit motra nënkupton se ka një lidhje të pathyeshme midis nesh. Motrat kujdesen për njëra-tjetrën, i mbajnë sytë hapur për njëra-tjetrën, e ngushëllojnë njëra-tjetrën dhe janë atje për njëra-tjetrën, në të mirë e në të keqe. Zoti ka thënë: “Unë ju them, jini një; dhe nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë”2.

Kundërshtari do të donte që ne të ishim kritikuese ose gjykuese ndaj njëra-tjetrës. Ai dëshiron që ne të përqendrohemi te ndryshimet tona dhe ta krahasojmë veten tonë me njëra-tjetrën. Juve mund t’ju pëlqejë shumë të stërviteni fuqimisht për një orë çdo ditë sepse ju bën të ndiheni mirë, ndërsa unë e konsideroj një ngjarje atletike të madhe nëse hipi shkallët e një kati në vend që të marr ashensorin. Ne, prapëseprapë, mund të jemi mikesha, apo jo?

Ne si gra mund të jemi veçanërisht të ashpra me veten tonë. Kur e krahasojmë veten tonë me njëra-tjetrën, ne gjithmonë do të ndihemi të papërshtatshme ose të zemëruara me të tjerat. Motra Patricia T. Holland një herë tha: “Çështja është, që ne thjesht nuk mund ta quajmë veten të krishterë dhe të vazhdojmë ta gjykojmë njëra-tjetrën – ose veten tonë – kaq ashpër.”3 Ajo vazhdon të thotë se nuk ka asgjë për të cilën ia vlen të humbasim dhembshurinë e motërinë tonë. Ne thjesht duhet të qetësohemi dhe t’iu gëzohemi ndryshimeve tona hyjnore. Ne duhet të kuptojmë se të gjitha ne dëshirojmë të shërbejmë në mbretëri duke i përdorur talentet e dhuratat tona të veçanta në mënyrën tonë. Atëherë ne mund t’iu gëzohemi motërisë sonë dhe shoqërimeve tona e të fillojmë të shërbejmë.

Fakti është që vërtet dhe sinqerisht ne kemi nevojë për njëra-tjetrën. Gratë natyrisht kërkojnë miqësi, mbështetje dhe shoqërim. Ne kemi kaq shumë për të mësuar nga njëra-tjetra dhe shpesh i lemë pengesat e vendosura vetë që të na largojnë nga gëzimi i shoqërimeve, të cilat mund të jenë midis bekimeve më të mëdha në jetën tonë. Për shembull, ne gratë që jemi pak më të moshuara, kemi nevojë për atë që ju vajza në moshën e Fillores keni për të dhënë. Ne mund të mësojmë shumë nga ju rreth shërbimit dhe dashurisë si të Krishtit.

Kohët e fundit dëgjova një histori të mrekullueshme rreth një vajze të vogël të quajtur Sara, nëna e së cilës pati mundësinë të ndihmonte një grua tjetër në lagjen e saj të quajtur Brenda, e cila kishte sklerozë të shumëfishtë. Sarës i pëlqente shumë që pas shkolle të shkonte me nënën e saj për ta ndihmuar Brendën. Ajo vendoste krem në duart e Brendës dhe i fërkonte gishtat e krahët e saj, sepse ajo kishte vazhdimisht dhembje. Më pas Sara mësoi t’i shtrinte butësisht krahët e Brendës mbi kokën e saj për të stërvitur muskujt e saj. Sara i krihte flokët Brendës dhe bisedonte me të ndërsa nëna e saj kujdesej për nevoja të tjera të saj. Sara mësoi rëndësinë dhe gëzimin e shërbimit ndaj një individi tjetër dhe arriti të kuptonte se edhe një fëmijë mund të sjellë një ndryshim të madh në jetën e dikujt.

E dua shembullin që kemi në kapitullin e parë të Llukës, i cili përshkruan marrëdhënien e mrekullueshme midis Maries, nënës së Jezusit, dhe kushërirës së saj Elizabeta. Maria ishte një e re kur u njoftua për misionin e saj të mrekullueshëm për të qenë nëna e Birit të Perëndisë. Në fillim, duhet të jetë dukur si një përgjegjësi e rëndë për t’u mbajtur vetëm. Ishte Zoti Vetë që i siguroi Maries dikë me të cilin ajo mund ta ndante barrën e saj. Nëpërmjet mesazhit të engjëllit Gabriel, Maries iu dha emri i një gruaje të besuar dhe dashamirëse tek e cila ajo mund të drejtohej për mbështetje – kushërira e saj Elizabeta.

Kjo vajzë e re dhe kushërira e saj, e cila qe e “kaluar në moshë”4, përjetuan një lidhje të përbashkët në shtatzënitë e tyre të mrekullueshme dhe unë mundem vetëm ta përfytyroj se sa të rëndësishme qenë për të dyja ato tre muajt e kaluar së bashku, ndërsa ishin në gjendje të bisedonin së bashku, të kishin dhembshuri për njëra-tjetrën dhe ta mbështetnin njëra-tjetrën në thirrjet e tyre të pashembullta. Çfarë shembulli i mrekullueshëm që janë për femrat e brezave të ndryshëm që ushqejnë njëra-tjetrën.

Ato prej nesh që janë pak më të pjekura, mund të kenë një ndikim të jashtëzakonshëm te brezat më të rinj. Kur nëna ime ishte vetëm një vajzë e vogël, asnjëri prej prindërve të saj nuk qe aktiv në Kishë. Madje në moshën e njomë pesëvjeçare, ajo ecte vetëm për në kishë dhe merrte pjesë në mbledhjet e saj – Filloren, Shkollën e së Dielës dhe mbledhjen e sakramentit – të gjitha në orare të ndryshme.

Kohët e fundit e pyeta nënën time se përse ajo e bënte këtë javë pas jave, kur nuk kishte mbështetje ose nxitje në shtëpi. Përgjigjja e saj qe: “Kisha mësuese të Fillores që më donin”. Këto mësuese u kujdesën për të dhe i mësuan asaj ungjillin. Ato i mësuan asaj se ajo kishte një Atë në Qiell që e donte, dhe ishte shqetësimi i tyre për të që e shtyu atë të vinte javë pas jave. Nëna ime më tha: “Ai ishte një nga ndikimet më të rëndësishme në jetën time të hershme”. Shpresoj që ndonjë ditë të mund t’i falënderoj ato motra të mrekullueshme! Nuk ka pengesa moshe kur vjen puna për shërbim si të Krishtit.

Dy javë më parë, takova një presidente të Të Rejave të kunjit në Kaliforni, e cila më tha se nëna e saj 81-vjeçare qe thirrur kohët e fundit për të qenë një këshilltare e Trëndafileve. U bëra kaq kureshtare, sa e mora në telefon të ëmën e saj. Kur peshkopi i motrës Val Bejkër kërkoi që të takohej me të, ajo mezi po priste që të thirrej si bibliotekare ose historiane e lagjes. Kur ai i kërkoi që të shërbente si këshilltare e Trëndafileve te Të Rejat, reagimi i saj qe: “A je i sigurt?”

Peshkopi i saj u përgjigj me seriozitet: “Motra Bejkër, mos të të gënjejë mendja; kjo thirrje është nga Zoti”.

Ajo tha se nuk kishte përgjigje tjetër për atë përveçse “Sigurisht”.

Më pëlqen shumë frymëzimi që ndjeu ky peshkop, se të katra Trëndafilet në lagjen e tij kanë shumë për të mësuar nga urtësia, përvoja dhe shembulli i vazhdueshëm i kësaj motre të pjekur. Dhe gjejeni se ku do të shkojë Motra Bejkër kur të ketë nevojë të hapë faqen e saj në Facebook?

Mendoj për ndihmën e madhe që mund të jenë motrat në Shoqatën e Ndihmës, në mirëpritjen e motrave të reja që deri së fundi kanë qenë te Të Rejat. Motrat tona të reja shpesh ndihen sikur nuk e kanë vendin ose nuk kanë asgjë të përbashkët me ato në Shoqatën e Ndihmës. Përpara se të bëhen 18 vjeçe, ato kanë nevojë për udhëheqëse të Të Rejave dhe nëna që do të dëshmojnë plot gëzim për bekimet e mëdha të Shoqatës së Ndihmës. Ato kanë nevojë të ndihen entuziaste rreth të bërit pjesë në një organizatë të tillë të lavdishme. Kur të rejat fillojnë të marrin pjesë në Shoqatën e Ndihmës, ajo për të cilën kanë më shumë nevojë, është një mikeshë me të cilën të mund të ulen afër, një dorë mbi supe dhe një mundësi për të dhënë mësim e për të shërbyer. Të gjitha ne, le ta shtrijmë dorën për ta ndihmuar njëra-tjetrën përgjatë periudhave kalimtare dhe domethënëse të jetës sonë.

Faleminderit të gjitha grave të Kishës të cilat po ndihmojnë, pavarësisht moshës dhe kulturës për t’i bekuar dhe për t’u shërbyer të tjerëve. Të rejat janë duke u shërbyer fëmijëve të Fillores dhe të moshuarve. Motrat beqare të të gjitha moshave kalojnë orë pafund duke u kujdesur për nevojat e atyre përreth. Ne e dimë se mijëra të reja po japin 18 muaj nga jeta e tyre për ta ndarë ungjillin me botën. Të gjitha këto gjëra janë prova se, siç e thotë himni ynë i dashur: “Dhe puna e engjëjve u jepet grave”5.

Nëse ka pengesa, është sepse ne vetë i kemi krijuar ato. Ne duhet të ndalojmë së përqendruari në ndryshimet tona dhe të kërkojmë atë që kemi të përbashkët; atëherë ne mund të fillojmë të kuptojmë potencialin tonë më të madh dhe të arrijmë të mirën më të madhe në këtë botë. Motra Marxhori P. Hinkli një herë tha: “O, sa nevojë kemi për njëra-tjetrën! Ato prej nesh që janë të moshuara, kanë nevojë për ju që jeni të reja. Dhe shpresojmë se ju që jeni të reja, të keni nevojë për disa prej nesh që janë të moshuara. Është një fakt sociologjik, që gratë kanë nevojë për gratë. Ne kemi nevojë për miqësi të thella dhe përmbushëse e besnike me njëra-tjetrën.”6 Motra Hinkli kishte të drejtë; o, sa nevojë kemi për njëra-tjetrën!

Motra, nuk ka një grup tjetër të grave në botë që të ketë qasje ndaj bekimeve më të madhërishme siç kemi ne si gra shenjtore të ditëve të mëvonshme. Ne jemi anëtare të Kishës së Zotit dhe pavarësisht rrethanave tona individuale, të gjitha ne mund t’i gëzojmë bekimet e plota të fuqisë së priftërisë nëpërmjet mbajtjes së besëlidhjeve që kemi bërë në pagëzim e në tempull. Ne kemi profetë të gjallë për të na udhëhequr e mësuar dhe gëzojmë dhuratën e madhe të Frymës së Shenjtë, i cili shërben si një ngushëllim dhe udhërrëfyes në jetën tonë. Ne jemi bekuar të punojmë krah për krah me vëllezër të drejtë ndërsa forcojmë shtëpitë dhe familjet. Ne kemi qasje ndaj forcës e fuqisë së ordinancave të tempullit dhe shumë më tepër se kaq.

Përveç gëzimit të të gjitha këtyre bekimeve mahnitëse, ne kemi njëra-tjetrën – motra në ungjillin e Jezu Krishtit. Ne jemi bekuar me natyra të buta dhe mirëbërëse, të cilat na bëjnë të mundur t’u japim dashuri dhe shërbim si të Krishtit atyre përreth nesh. Ndërsa shohim përtej ndryshimeve në moshë, kulturë dhe rrethana për ta ushqyer [shpirtërisht] dhe për t’i shërbyer njëra-tjetrës, ne do të mbushemi me dashurinë e pastër të Krishtit dhe frymëzimin i cili na udhëheq për të ditur se kur dhe kujt t’i shërbejmë.

Unë ju jap një ftesë që u dha një më herë më parë nga një presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, e cila tha: “Ju ftoj që jo vetëm ta doni njëra-tjetrën më shumë, por ta doni njëra-tjetrën më mirë7. E kuptofshim se sa shumë nevojë kemi për njëra-tjetrën dhe të gjitha [mësofshim] ta duam njëra-tjetrën më mirë, është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Barbara B. Smith, “The Bonds of Sisterhood”, Ensign, mars 1983, f. 20–23.

  2. Doktrina e Besëlidhje 38:27.

  3. Patricia T. Holland, “‘One Thing Needful’: Becoming Women of Greater Faith in Christ”, Ensign, tetor 1987, f. 29.

  4. Lluka 1:7

  5. “As Sisters in Zion”, Hymns, nr. 309.

  6. Glimpses into the Life and Heart of Marjorie Pay Hinckley, bot. Virginia H. Pearce (1999), f. 254–255.

  7. Bonnie D. Parkin, “Choosing Charity: That Good Part”, Liahona, nëntor 2003, f. 106.