Kisha Zbaton Parimet e Mirëqenies në Përmirësimin e Gjendjes në Filipine
Disa muaj pasi tajfuni Haijan goditi Filipinet në nëntor të vitit 2013, duke shkatërruar afërsisht 1,2 milionë shtëpi dhe duke vrarë më shumë se 6.200 njerëz, Kisha vazhdon të sigurojë ndihmë, duke i kaluar përpjekjet nga reagimi ndaj shkatërrimit drejt ndihmës afatgjatë. Një përpjekje veçanërisht e suksesshme përfshin vullnetarë të cilët kanë mësuar se si të ndërtojnë shtëpi për ata që ende nuk kanë strehë.
Anëtarët e mëposhtëm të komuniteteve, të ndikuar nga stuhia, janë mes shumë prej atyre që shprehën mirënjohje për ndihmën që morën nga Kisha, edhe pse ata nuk janë shenjtorë të ditëve të mëvonshme:
Një grua që gjeti strehim në një godinë kishe mormone gjatë tajfunit, mësoi më pas se shtëpia e saj ishte shkatërruar kur pemët e arrave së kokosit ranë mbi të. Ajo dhe familja e saj nuk i kishin mjetet për ta rregulluar atë, por vullnetarët e ndihmuan gruan që të ndërtonte një shtëpi të re dhe ajo tani po ndihmon një familje tjetër për të ndërtuar një shtëpi. “Mësova të punoj së bashku me ata që janë gjithashtu në nevojë këtu, që ne të mund ta marrim veten nga [tajfuni] së bashku”, tha ajo.
Një burrë që e humbi punën e tij kur u shkatërrua biznesi ku punonte, tani po mëson të ndërtojë shtëpi për familjen e tij dhe për të tjerët. “E dimë se kemi nevojë ta ndihmojmë njëri-tjetrin, me qëllim që puna të mund të përfundohet më shpejt”, tha ai, duke shtuar se ai ishte mirënjohës për përpjekjet ndihmuese të Kishës.
Peshkopi Kryesues Geri E. Stivenson tha se, së bashku me përkujdesjen për të varfërit dhe nevojtarët, “ne gjithashtu po shohim të veprojë tani parimin e mbështetjes te vetja dhe është mjaft befasuese”. Ai tha: “Një nga gjërat që po përpiqemi të bëjmë, është të sigurojmë materiale ndërkohë që [marrësit e tyre] sigurojnë krahun e punës. Kushdo që po merr një strehim, gjithashtu po punon për ta ndërtuar atë strehë për vetveten.”
Udhëheqësit dhe përfaqësuesit humanitarë vendorë të Kishës po takohen me udhëheqës të komuniteteve vendore për t’u dhënë trajnim dhe specializim profesional njerëzve të cilët kanë mësuar aftësi ndërtuese. Burime të Fondit të Qarkullueshëm Arsimor janë përdorur për të sjellë në vend 20 ndërtues mjeshtra për të ndihmuar për trajnimin dhe 2.000 nga 3.000 shtëpitë e planifikuara janë përfunduar tashmë.
Njerëzit e trajnuar vendorë e tregojnë çfarë kanë mësuar duke ndërtuar 10 strehime për të marrë certifikatën qeveritare dhe një kuti me vegla nga Kisha, duke i bërë ata të aftë të kërkojnë punësim fitimprurës. Ka një nevojë të tillë të ngutshme për punonjës ndërtimi, sa Shërbimet Katolike të Ndihmës kanë rënë dakord për të punësuar qindra prej ndërtuesve të trajnuar nga Kisha SHDM.
Peshkopi Stivenson tha se 500 anëtarë të Kishës morën pjesë në një mbledhje ku udhëheqës kishtarë përshkruan trajnimin për punën dhe certifikimin “dhe, ndërsa kjo po u përshkruhej, ata shpërthyen në brohoritje dhe lotë, duke e ditur se mund të shihnin një mënyrë … për të siguruar për familjet e tyre”.
Kisha gjithashtu ka punuar me disa organizata të tjera bamirëse, si edhe qeverinë filipinase, në një përpjekje të vazhdueshme për të shpërndarë ushqime, ujë, furnizime mjekësore, paketa higjienike, gjeneratorë, paketa strehimi, paketa gatimi, pajisje peshkimi dhe fara për mbjellje.
Kisha ka mësuar se mënyra më e efektshme për t’iu përgjigjur fatkeqësive natyrore është të punosh në vendndodhje, duke blerë pajisjet e nevojshme në vendin e dëmtuar, sa më pranë fatkeqësisë që të jetë e mundur. Kjo jo vetëm që siguron se të mirat materiale janë të përshtatshme për zonën, por edhe ndihmon për t’i ngritur ekonomitë e dëmtuara vendore.
Anëtarët në mbarë botën nxiten për t’u lutur për njerëzit në zona fatkeqësie, larg prej vendeve ku jetojnë ata, dhe për të marrë parasysh rritjen e dhurimeve të tyre të ofertave të agjërimit ose dhurimin në fondin humanitar të Kishës.