2014
Filmi i Ri Do Të Krijojë Mundësi për t’uNjohur me Mormonët
Maj 2014


Filmi i Ri Do Të Krijojë Mundësi për t’u Njohur me Mormonët

A e gjeni ndonjëherë veten duke dëshiruar të kishte një mënyrë të thjeshtë për t’ua bërë të tjerëve të ditur se shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë thjesht njerëz normalë që gjejnë qëllim dhe drejtim teksa e përqendrojnë jetën e tyre te Jezu Krishti? Kjo është ajo që do t’ju ndihmojë të bëni një film dokumentar që do të nxirret së shpejti nga Kisha.

Filmi Njihu me Mormonët fillon me një vështrim zbavitës mbi mënyrën se si anëtarët e Kishës shpesh keqkuptohen nga të tjerët. Pastaj paraqet gjashtë familje, secila duke treguar përvoja vetjake dhe duke përshkruar mënyrën se si i ndihmon ungjilli në jetën e tyre. Të përfshirët në film janë:

Peshkopi. Xhërmein Sullivan dhe e shoqja, Kembi nga Atlanta në Xhorxhia të SHBA-së, punojnë për të krijuar bashkim në një komunitet të larmishëm ndërkohë që rritin tre bijtë e tyre të vegjël.

Trajneri. Ken Niumatalolo, trajneri kryesor i ekipit të futbollit të Akademisë Detare të SHBA-së në Anapolis të Merilendit në SHBA dhe e shoqja, Barbara, me përkrahjen e fëmijëve të tyre dhe të trupës organizative të trajnerëve, e mbajnë ditën e Shabatit të shenjtë.

Bombarduesi i Karameleve. Geil Halvorsen, një veteran 93-vjeçar i Luftës II Botërore dhe e shoqja, Loreina 90 vjeç, nga Amado në Arizonë të SHBA-së, u kujtojnë fëmijëve vlerën e shërbimit. Ende një pilot, vëllai Halvorsen hedh karamele nga një aeroplan sikurse bënte gjatë Urës Ajrore të Berlinit pas luftës.

Boksierja. Karolina Marin, një sportiste kikboksi nga San Hozé në Kosta-Rika, trajneri dhe i shoqi, Miltoni, vënë në drejtpeshim rolet e tyre si bashkëshortë dhe si prindër të fëmijëve të tyre të vegjël, me dashurinë e tyre për ndeshjet.

Humanisti. Bishnu dhe Mangala Adikari, nga Katmandu në Nepal, i respektojnë bindjet dhe trashëgiminë e vendlindjes së tyre. Vëllai Adikari është një inxhinier i cili ka ndërtuar rrugë, shkolla dhe sisteme për ujin e pijshëm që kanë bekuar shumë komunitete të vogla.

Nëna Misionare. Kreg dhe Doun Armstrong si dhe djali i tyre Antoni, nga Solt-Lejk-Siti në Jutë të SHBA-së, tregojnë se si motra Armstrong ishte një nënë beqare e pastrehë kur takoi misionarët. Ungjilli që ata ndanë, e ndihmoi atë ta ndryshonte kryekëput jetën e saj. Ajo u martua më vonë me Kregun dhe historia bëhet një rreth i plotë kur Antoni shkon në një mision kohëplotë në Afrikën e Jugut për të ndarë ungjillin që e bekoi kaq shumë nënën e tij.

Filmi Njihu me Mormonët do të shfaqet në Ndërtesën Përkujtimore të Jozef Smithit në Solt-Lejk-Siti të Jutas në SHBA dhe në vendndodhje të tjera që nuk janë përcaktuar ende.

Shtyp në Letër