2014
Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë
Maj 2014


Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë

Plaku Dallin H. Ouks

Çelësat e priftërisë drejtojnë gratë, ashtu sikurse burrat dhe ordinancat e priftërisë dhe autoriteti i priftërisë u përkasin grave, ashtu sikurse burrave.

I.

Në këtë konferencë ne kemi parë lirimin nga detyra të disa vëllezërve besnikë dhe kemi mbështetur thirrjet e të tjerëve. Në këtë cikël ndryshimi të thirrjeve – kaq të njohur në Kishë – ne nuk “zbresim më poshtë” kur lirohemi dhe as nuk “ngjitemi më lart” kur marrim një thirrje. Nuk ka “lart ose poshtë” në shërbimin e Zotit. Ka vetëm “përpara ose prapa” dhe ai dallim varet nga mënyra se si i pranojmë e veprojmë me lirimet tona dhe me thirrjet tona. Dikur kryesova në lirimin e një presidenti kunji të ri në moshë, i cili kishte dhënë shërbim të mirë për nëntë vjet dhe tani po gëzohej me lirimin e tij dhe me thirrjen e re që ai dhe gruaja e tij sapo kishin marrë. Ata u thirrën të ishin udhëheqësit e çerdhes në lagjen e tyre. Vetëm në këtë Kishë do të shihej ajo si thirrje po aq e nderuar!

II.

Ndërsa i fliste një konference grash, presidentja e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Linda K. Barton tha: “Ne shpresojmë të rrënjosim brenda secilës prej nesh një dëshirë më të madhe për ta kuptuar më mirë priftërinë”1. Ajo nevojë zbatohet tek të gjithë ne dhe unë do ta vazhdoj atë duke iu folur për çelësat dhe autoritetin e priftërisë. Përderisa këto tema janë të një shqetësimi të barabartë si për burrat dhe për gratë, jam i gëzuar që këto punime të konferencës transmetohen dhe botohen për të gjithë anëtarët e Kishës. Fuqia e priftërisë na bekon ne të gjithëve. Çelësat e priftërisë drejtojnë gratë, ashtu sikurse burrat dhe ordinancat e priftërisë dhe autoriteti i priftërisë u përkasin grave, ashtu sikurse burrave.

III.

Presidenti Jozef F. Smith e përshkroi priftërinë si “fuqia e Perëndisë dhënë njeriut përmes së cilës njeriu mund të veprojë në tokë për shpëtimin e familjes njerëzore”2. Udhëheqës të tjerë na kanë mësuar se priftëria “është fuqia më e lartë në këtë tokë. Ajo është fuqia me të cilën u krijua toka.”3 Shkrimet e shenjta na mësojnë se “kjo Priftëri, që ishte në fillim, do të jetë edhe në fund të botës” (Moisiu 6:7). Prandaj, priftëria është fuqia me anë të së cilës ne vërtet do të ringjallemi dhe përparojmë drejt jetës së përjetshme.

Të kuptuarit që kërkojmë, fillon me një të kuptuar të çelësave të priftërisë. “Çelësat e priftërisë janë autoriteti që Perëndia u ka dhënë [mbajtësve] të priftërisë për të drejtuar, kontrolluar dhe qeverisur përdorimin e priftërisë së Tij në tokë”4. Çdo veprim ose ordinancë e kryer në Kishë bëhet nën autorizimin e drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë të personit që mban çelësat për atë funksion. Sikurse ka shpjeguar Plaku M. Rasëll Ballard: “[Ata që i kanë] çelësat e priftërisë … [bëjnë] të mundur me kuptimin e plotë të fjalës, për të gjithë që shërbejnë besnikërisht nën drejtimin e tyre, që ta ushtrojnë autoritetin e priftërisë dhe të kenë mundësi ta përdorin fuqinë e priftërisë”5.

Në kontrollin e ushtrimit të autoritetit të priftërisë, funksioni i çelësave të priftërisë zgjeron, si edhe kufizon. Ai zgjeron duke bërë të mundur që autoriteti dhe bekimet e priftërisë të jenë të disponueshme për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Ai kufizon duke udhëzuar se kujt do t’i jepet autoriteti i priftërisë, kush do t’i mbajë detyrat e saj dhe se si do të jepen të drejtat dhe fuqitë e saj. Për shembull, një njeri që mban priftërinë, nuk është në gjendje t’ia japë dikujt tjetër detyrën ose autoritetin e tij, në qoftë se nuk autorizohet nga dikush që i mban çelësat. Pa atë autorizim, shugurimi do të ishte i pavlefshëm. Kjo shpjegon përse një mbajtës i priftërisë – pavarësisht nga detyra – nuk mund të shugurojë një anëtar të familjes së tij ose nuk mund ta administrojë sakramentin në shtëpinë e vet pa autorizim nga ai person i cili mban çelësat e duhur.

Me përjashtimin e punës së shenjtë që motrat bëjnë në tempull me anë të autoritetit të çelësave të mbajtur nga presidenti i tempullit, gjë që do ta përshkruaj më vonë, vetëm një njeri i cili mban një detyrë të priftërisë, mund të veprojë në një ordinancë të priftërisë. Dhe të gjitha ordinancat e autorizuara të priftërisë shënohen në analet e Kishës.

Së fundi, të gjithë çelësat e priftërisë mbahen nga Zoti Jezu Krisht, priftëria e të cilit është ajo. Ai është personi që vendos cilët çelësa u jepen njerëzve të vdekshëm dhe mënyrën se si do të përdoren ata çelësa. Ne jemi mësuar të mendojmë se të gjithë çelësat e priftërisë iu dhanë Jozef Smithit në Tempullin e Kirtland-it, por shkrimi i shenjtë thotë se gjithë çfarë u dha atje ishin “çelësat e kësaj periudhe të kujdestarisë” (DeB 110:16). Në konferencën e përgjithshme shumë vite më parë, Presidenti Spenser W. Kimball na kujtoi se ka çelësa të tjerë të priftërisë që nuk i janë dhënë njeriut në tokë, përfshirë çelësat e krijimit dhe të ringjalljes.6

Natyra hyjnore e kufizimeve të vendosura mbi ushtrimin e çelësave të priftërisë shpjegon një dallim thelbësor midis vendimeve mbi çështje të administrimit të Kishës dhe vendimeve që e ndikojnë priftërinë. Presidenca e Parë dhe Këshilli i Presidencës së Parë e i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, të cilët kryesojnë mbi Kishën, autorizohen për të marrë shumë vendime që i ndikojnë rregulloret dhe procedurat e Kishës – çështje të tilla si vendndodhja e ndërtesave të Kishës dhe moshat për shërbimin misionar. Por edhe pse këta autoritete kryesues mbajnë dhe ushtrojnë të gjithë çelësat të dhëna njerëzve në këtë periudhë të kujdestarisë ungjillore, ata nuk e kanë lirinë ta ndryshojnë modelin e shpalluar në mënyrë hyjnore se vetëm meshkujt do të mbajnë detyra në priftëri.

IV.

Tani vij tek tema e autoritetit të priftërisë. Po filloj me tri parime të sapodiskutuara: 1) priftëria është fuqia e Perëndisë dhënë njeriut që të veprojë për shpëtimin e familjes njerëzore, 2) autoriteti i priftërisë qeveriset nga mbajtës të priftërisë, të cilët mbajnë çelësat e priftërisë, dhe 3) përderisa shkrimet e shenjta thonë se “gjithë autoritetet [dhe] detyrat e tjera në kishë janë shtesa të kësaj priftërie [Melkizedeke]” (DeB 107:5), gjithçka që bëhet nën drejtimin e atyre çelësave të priftërisë, bëhet me autoritetin e priftërisë.

Si zbatohet kjo për gratë? Në një fjalim drejtuar Shoqatës së Ndihmës, Presidenti Jozef Filding Smith, në atë kohë Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha këtë: “Ndërsa motrave nuk iu është dhënë Priftëria, nuk iu është caktuar atyre, kjo nuk do të thotë se Zoti nuk u ka dhënë atyre autoritet. … Një njeri mund të ketë autoritet të dhënë atij, ose një motër të dhënë asaj, për të bërë gjëra të caktuara në Kishë, të cilat janë lidhëse dhe tërësisht të nevojshme për shpëtimin tonë, siç është puna që motrat tona bëjnë në Shtëpinë e Zotit. Ato kanë autoritet të dhënë atyre për të bërë disa gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme, të shenjta për Zotin dhe lidhëse, në mënyrë po aq tërësore sa ç’janë bekimet që jepen nga burrat që mbajnë Priftërinë.”7

Në atë fjalim të shquar, Presidenti Smith tha në mënyrë të përsëritur se grave u është dhënë autoritet. Grave ai u tha: “Ju mund të flisni me autoritet, sepse Zoti ka vendosur autoritet mbi ju”. Ai gjithashtu tha se Shoqatës së Ndihmës i “[është] dhënë fuqi dhe autoritet për të bërë shumë gjëra të madhërishme. Puna që ato bëjnë, bëhet nëpërmjet autoritetit hyjnor”. Dhe, sigurisht, puna e Kishës, e bërë nga burra ose gra, qoftë në tempull apo në lagjet ose degët, bëhet nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësa të priftërisë. Kështu, duke folur për Shoqatën e Ndihmës, Presidenti Smith shpjegoi: “[Zoti] ua ka dhënë atyre këtë organizatë të madhërishme ku ato kanë autoritet për të shërbyer nën drejtimin e peshkopëve të lagjeve … , duke u kujdesur për interesin e njerëzve tanë si shpirtërisht ashtu dhe materialisht”8.

Prandaj, thuhet me të vërtetë se për gratë, Shoqata e Ndihmës nuk është thjesht një orë mësimore, por diçka së cilës i përkasin – një shtesë e priftërisë, e krijuar në mënyrë hyjnore.9

Ne nuk e kemi zakon të flasim për gratë që të kenë autoritetin e priftërisë në thirrjet e tyre në Kishë, por çfarë autoriteti tjetër mund të jetë ai? Kur një grua – e re apo e moshuar – veçohet për të predikuar ungjillin si një misionare kohëplotë, asaj i jepet autoritet priftërie për të kryer një funksion priftërie. E njëjta gjë është e vërtetë kur një grua veçohet për të vepruar si nëpunëse ose mësuese në një organizatë të Kishës, nën drejtimin e një personi që mban çelësat e priftërisë. Kushdo që vepron në një detyrë ose thirrje të marrë nga një njeri që mban çelësat e priftërisë, ushtron autoritet priftërie në kryerjen e detyrave të caktuara atij ose asaj.

Cilëtdo që ushtrojnë autoritet priftërie, duhet t’i harrojnë të drejtat e tyre dhe të përqendrohen te përgjegjësitë e tyre. Ky është një parim që nevojitet për mbarë shoqërinë. Shkrimtari i famshëm rus, Aleksandër Solzhenicin, citohet se tha: “Është koha … për të mos i mbrojtur kaq shumë të drejtat njerëzore, por për të mbrojtur detyrimet njerëzore”10. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme sigurisht e dinë se cilësimi për ekzaltim nuk është një çështje e kërkimit të të drejtave, por një çështje e plotësimit të përgjegjësive.

V.

Zoti ka udhëzuar se vetëm burrat do të shugurohen në detyra në priftëri. Por, siç e kanë theksuar udhëheqës të ndryshëm të Kishës, burrat nuk janë “priftëria”11. Burrat e mbajnë priftërinë, me një detyrë të shenjtë për ta përdorur atë për bekimin e gjithë fëmijëve të Perëndisë.

Fuqia më e madhe që Perëndia u ka dhënë bijve të Tij, nuk mund të ushtrohet pa shoqërinë e një prej bijave të Tij, sepse vetëm bijave të Tij u ka dhënë Perëndia fuqinë “për të qenë një krijuese e trupave … kështu që synimi dhe Plani i Madh i Perëndisë të mund të arrijnë plotësim”12. Këto janë fjalët e Presidentit J. Ruben Klark.

Ai vazhdoi: “Ky është vendi i bashkëshorteve tona dhe i nënave tona në Planin e Përjetshëm. Ato nuk janë mbajtëse të Priftërisë; ato nuk ngarkohen me kryerjen e detyrave dhe të funksioneve të Priftërisë; as nuk u lihet atyre barra e përgjegjësive të saj; ato janë krijuese dhe organizuese nën fuqinë e saj dhe pjesëmarrëse të bekimeve të saj, duke zotëruar mbështetjen e fuqive të Priftërisë dhe duke zotëruar një funksion të thirrur në po atë mënyrë hyjnore, po aq të rëndësishëm përjetësisht në vendin e tij, sa dhe vetë Priftëria.”13

Në ato fjalë të frymëzuara, Presidenti Klark po fliste mbi familjen. Sikurse thuhet në proklamatën për familjen, ati kryeson në familje dhe ai dhe nëna kanë përgjegjësi të ndara, por ata “kanë detyrim të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë”14. Disa vite përpara proklamatës për familjen, Presidenti Spenser W. Kimball dha këtë shpjegim të frymëzuar: “Kur flasim për martesën si një bashkëpjesëmarrje, le të flasim për martesën si një bashkëpjesëmarrje të plotë. Ne nuk duam që gratë tona SHDM të jenë bashkëpjesëmarrëse të heshtura ose bashkëpjesëmarrëse të kufizuara në atë detyrë të përjetshme! Ju lutem të jini një bashkëpjesëmarrëse e frytshme dhe me të drejta të plota.”15

Në sytë e Perëndisë, qoftë në Kishë apo në familje, gratë dhe burrat janë të barabartë, por kanë përgjegjësi të ndryshme.

Po e mbyll me disa të vërteta rreth bekimeve të priftërisë. Ndryshe nga çelësat e priftërisë dhe nga ordinancat e priftërisë, bekimet e priftërisë janë të disponueshme për gratë dhe për burrat me kushte të barabarta. Dhurata e Frymës së Shenjtë dhe bekimet e tempullit janë shembuj të njohur të kësaj së vërtete.

Në bisedën e tij të madhërishme në Javën Arsimore të UBJ-së verën e kaluar, Plaku M. Rasëll Ballard dha këto mësime:

“Doktrina e Kishës sonë i vendos gratë të barabarta dhe prapëseprapë të ndryshme nga burrat. Perëndia nuk e konsideron asnjërën nga gjinitë më të mirë apo më të rëndësishme se tjetra. …

Kur burrat dhe gratë shkojnë në tempull, ata e marrin indaumentin të dy nga e njëjta fuqi, që është fuqia e priftërisë. … Mundësia e përdorimit të fuqisë dhe të bekimeve të priftërisë është në dispozicion të të gjithë fëmijëve të Perëndisë.”16

Unë dëshmoj për fuqinë dhe bekimet e priftërisë së Perëndisë, në dispozicion të njëjtë të bijve dhe bijave të Tij. Unë dëshmoj për autoritetin e priftërisë, që funksionon përmes të gjitha detyrave dhe veprimtarive të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Unë dëshmoj për funksionin e drejtuar në mënyrë hyjnore të çelësave të priftërisë, të mbajtur dhe të ushtruar në plotësinë e tyre nga profeti/presidenti ynë, Tomas S. Monson. Së fundi dhe më e rëndësishmja, unë dëshmoj për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, priftëria e të cilit është kjo dhe shërbëtorët e të cilit jemi ne, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Linda K. Barton, “Priesthood: ‘A Sacred Trust to Be Used for the Benefit of Men, Women, and Children’” (Fjalim nga Konferenca e Grave e Universitetit Brigam Jang, 3 maj 2013), f. 1; ce.byu.edu/cw/womensconference/transcripts.php.

  2. Joseph F. Smith, Gospel Doctrine, bot. i 5-të (1939), f. 139.

  3. Boyd K. Packer, “Priesthood Power in the Home”, (worldwide leadership training meeting [mbledhja e trajnimit për udhëheqjen mbarëbotërore], shkurt 2012; lds.org/broadcasts; shih edhe James E. Faust, “Power in the Priesthood”, Ensign, maj 1997, f. 41–43.

  4. Handbook 2 [Manuali 2]: Administrimi i Kishës (2010), 2.1.1.

  5. M. Russell Ballard, “Burrat dhe Gratë në Punën e Zotit”, Liahona, prill 2014, f. 48; shih edhe Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 138.

  6. Shih Spencer W. Kimball, “Our Great Potential”, Ensign, maj 1977, f. 49.

  7. Joseph Fielding Smith, “Relief Society – an Aid to the Priesthood”, Revista e Shoqatës së Ndihmës, janar 1959, f. 4.

  8. Joseph Fielding Smith, “Relief Society – an Aid to the Priesthood”, f. 4, 5; shih edhe Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Filding Smith (2013), f. 309.

  9. Shih Boyd K. Packer, “The Relief Society”, Ensign, maj 1998, f. 72; shih edhe Daughters in My Kingdom, f. 138.

  10. Aleksandr Solzhenitsyn, “A World Split Apart” (fjalimi i hyrjes i mbajtur në Universitetin e Harvardit, 8 qershor 1978); shih edhe Patricia T. Holland, “A Woman’s Perspective on the Priesthood”, Ensign, korrik 1980, f. 25; Tambuli, qershor 1982, f. 23; Dallin H. Oaks, “Rights and Responsibilities”, Mercer Law Review, vëll. 36, nr. 2 (dimër 1985), f. 427–442.

  11. Shih James E. Faust, “You Are All Heaven Sent”, Liahona, nëntor 2002, f. 113; M. Rasëll Ballard, “Kjo Është Vepra dhe Lavdia Ime”, Liahona, maj 2013, f. 19; Dallin H. Oaks, “Priesthood Authority in the Family and the Church”, Liahona, nëntor 2005, f. 26. Ne nganjëherë themi se Shoqata e Ndihmës është një “bashkëpjesëmarrëse me priftërinë”. Do të ishte më e saktë të thuhej se në punën e Zotit Shoqata e Ndihmës dhe gratë e Kishës janë “bashkëpjesëmarrëse me mbajtësit e priftërisë”.

  12. J. Reuben Clark Jr., “Our Wives and Our Mothers in the Eternal Plan”, Revista e Shoqatës së Ndihmës, dhjetor 1946, f. 800.

  13. J. Reuben Clark Jr., “Our Wives and Our Mothers”, f. 801.

  14. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  15. Spencer W. Kimball, “Privileges and Responsibilities of Sisters”, Ensign, nëntor 1978, f. 106.

  16. M. Russell Ballard, Liahona, prill 2014, f. 48; shih edhe Sheri L. Dew, Women and the Priesthood (2013), veçanërisht kapitullin 6, për një shpjegim të vlefshëm të doktrinave të thëna këtu.