Le të Mos Marrim Udhën e Gabuar
Lutem që të mos ia ndajmë sytë udhës, kështu që të jemi gjithmonë të lidhur me qiejt.
Një djalë i vogël po ushtronte pianon dhe një shitës, duke e parë atë nga dritarja, e pyeti: “A e ke mamin në shtëpi?”
Së cilës, fëmija iu përgjigj: “Po ja … si mendon ti?”
Pesë fëmijët tanë të dashur i bien pianos, falë nxitjes së bashkëshortes sime! Kur mësuesja mbërrinte në shtëpinë tonë, djali ynë Adriáni vraponte dhe fshihej me qëllim që t’i shpëtonte mësimit. Por një ditë, ndodhi diçka e jashtëzakonshme! Ai filloi ta donte kaq shumë muzikën saqë vazhdoi të ushtrohej vetë.
Nëse ne do të mund ta arrinim atë pikë në procesin e kthimit tonë në besim, do të ishte mahnitëse. Do të ishte e mrekullueshme të kishim një dëshirë thellë në zemrat tona për t’i mbajtur urdhërimet pa pasur dikë që të na kujtojë vazhdimisht dhe një bindje të fortë se, nëse ndjekim shtegun e drejtë, ne do t’i kemi bekimet e premtuara në shkrimet e shenjta.
Disa vite më parë, unë shkova në Parkun Kombëtar të Harqeve me bashkëshorten time; vajzën tonë, Evelinën, dhe një mikeshë të familjes. Njëri prej harqeve më të rëndësishëm atje quhet Harku Delikat. Ne vendosëm të ecnim rreth 2 km, duke iu ngjitur malit me qëllim që të arrinim harkun.
E filluam rrugën tonë me entuziazëm të madh por, pasi përshkuam një distancë të shkurtër, të tjerët kishin nevojë të pushonin. Për shkak të dëshirës sime për të arritur atje, vendosa të vazhdoja i vetëm. Pa i kushtuar vëmendje shtegut që duhet të merrja, ndoqa një burrë që ishte para meje, i cili dukej se po ecte përpara me siguri të madhe. Shtegu u bë gjithmonë e më i vështirë dhe m’u desh të hidhesha nga një shkëmb në tjetrin. Për shkak të vështirësisë, isha i sigurt se gratë në grupin tim nuk do t’ia dilnin kurrë mbanë. Papritur pashë Harkun Delikat, por për habinë time të madhe, pashë se ishte në një zonë të paarritshme për mua.
Me zhgënjim të madh, vendosa të kthehesha. Prita me padurim derisa ne u takuam sërish. Pyetja ime e menjëhershme ishte: “A e arritët Harkun Delikat?” Ato më thanë me gëzim se e kishin arritur. Ato më shpjeguan se kishin ndjekur shenjat që tregonin rrugën, dhe me kujdes e përpjekje, e kishin arritur pikëmbërritjen e tyre.
Fatkeqësisht, unë kisha marrë shtegun e gabuar. Çfarë mësimi të madh mora atë ditë!
Sa herë bëjmë gabime rreth udhës së drejtë, duke e lënë veten të udhëhiqemi nga prirjet e botës? Ne duhet ta pyesim vazhdimisht veten nëse jemi bërës të fjalëve të Jezu Krishtit.
Një mësim i mrekullueshëm gjendet në librin e Gjonit:
“Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua.
Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:4–5).
Duke përdorur këtë analogji, ne mund të shohim marrëdhënien shumë të afërt, të jashtëzakonshme që ekziston me Jezu Krishtin dhe rëndësinë që Ai i jep secilit prej nesh. Ai është rrënja dhe trungu që i drejton ujërat e gjalla për te ne, limfa që do të na mundësojë të ushqehemi, në mënyrë që të mund të prodhojmë shumë fryt. Jezu Krishti na mësoi në një mënyrë të atillë që si degë – ose qenie që varemi prej Tij – ne kurrë nuk do ta nënvlerësonim vlerën e mësimeve të Tij.
Ka disa gabime që mund të jenë të rënda dhe, nëse nuk i korrigjojmë në kohë, ato mund të na largojnë përfundimisht nga udha e drejtë. Nëse pendohemi dhe pranojmë korrigjim, këto përvoja do të na lejojnë ta përulim veten tonë, t’i ndryshojmë veprimet tona dhe të afrohemi edhe një herë më shumë me Atin tonë Qiellor.
Dua t’ju jap një shembull të këtij koncepti duke iu drejtuar një prej çasteve më dramatike që përjetoi Profeti Jozef Smith. Nëpërmjet kësaj përvoje, Shpëtimtari na ka dhënë mësime të paçmueshme në lidhje me parime që duhet t’i mbajmë në mendje gjatë gjithë jetës sonë. Ajo ndodhi kur Martin Harrisi humbi 116 faqet e përkthyera të pjesës së parë të Librit të Mormonit.
Pas pendesës për mosndjekjen e këshillës së Perëndisë, Profeti mori zbulesën që gjendet te seksioni 3 në Doktrina e Besëlidhje (shih Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 73–75). Nga ajo që është shkruar në vargjet 1 deri në 10, dëshiroj të theksoj tri parime që duhet t’i mbajmë mend gjithmonë:
Veprat dhe qëllimet e Perëndisë nuk mund të pengohen.
Ne nuk duhet ta kemi frikë njeriun më shumë se Perëndinë.
Ka nevojë për pendim të vazhdueshëm.
Në vargun 13, Zoti na mëson katër veprime që ne nuk duhet t’i bëjmë kurrë:
Të përçmojmë këshillat e Perëndisë.
Të thyejmë premtimet më të shenjta të bëra përpara Perëndisë.
Të mbështetemi vetëm në gjykimin tonë.
Të mburremi me urtësinë tonë.
Lutem që ne të mos ia ndajmë sytë udhës, kështu që të jemi gjithmonë të lidhur me qiejt, kështu që rrymat e botës të mos na marrin me vete.
Nëse ndonjëri prej jush e arrin pikën e braktisjes së udhës së Zotit – në çfarëdo pike përgjatë udhës – me brejtje të madhe ndërgjegjeje ju do të ndieni hidhësinë e përçmimit të këshillës së Perëndisë, e thyerjes së premtimeve më të shenjta të bëra përpara Perëndisë, e mirëbesimit në gjykimin tuaj, ose e mburrjes me urtësinë tuaj.
Nëse është kështu, unë ju këshilloj të pendoheni dhe të ktheheni në udhën e drejtë.
Një herë, një nip, mori në telefon gjyshin e tij për t’i uruar “Gëzuar Ditëlindjen”. E pyeti se sa vjeç ishte. Ai i tha se kishte mbushur 70 vjeç. Nipi i tij u mendua për një çast dhe më pas e pyeti: “Gjyshi, a ia ke nisur vërtet që nga 1-shi?”
Gjatë fëmijërisë dhe rinisë, njerëzit mendojnë se nuk do të plaken kurrë; ideja e vdekjes nuk zë kurrë rrënjë – ajo është për njerëzit që janë shumë, shumë pleq – dhe arritja e asaj pike është ende një përjetësi larg. Ndërsa koha kalon, muajt dhe vitet ikin, derisa rrudhat fillojnë të shfaqen, energjia pakësohet, nevoja për vizita te doktori bëhet më e shpeshtë, e kështu me radhë.
Do të vijë dita në të cilën ne do të takohemi sërish me Shëlbuesin dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Lutem që në atë rast të shenjtë dhe madhështor, ne të mund ta njohim Atë për shkak të njohurisë që kemi për Të dhe për shkak se i kemi ndjekur mësimet e Tij. Ai do të na tregojë shenjat në duart e këmbët e Tij dhe ne do të bashkohemi së bashku në një përqafim pa mbarim, duke qarë nga gëzimi që kemi ndjekur udhën e Tij.
Unë u dëshmoj katër skajeve të tokës se Jezu Krishti jeton. Ai na këshillon: “Vini vesh, O ju, kombe të dheut, dhe dëgjoni fjalët e atij Perëndie që ju bëri” (DeB 43:23). Paçim aftësinë për ta rrokur, për t’ia vënë veshin, për ta kuptuar dhe interpretuar saktësisht mesazhin e “atij Perëndie që [na] bëri”, që të mos largohemi nga udha e Tij, unë lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.