2014
Qendrat e Trajnimit të Misionarëve Ndihmojnë në Përshpejtimin e Punës për Shpëtim
Maj 2014


Qendrat e Trajnimit të Misionarëve Ndihmojnë në Përshpejtimin e Punës për Shpëtim

15 qendra për trajnimin e misionarëve anembanë botës, sigurojnë trajnim për më shumë se 85.000 misionarë nga 143 vende. Të gjithë bashkë, misionarët mësojnë 55 gjuhë nga 1.600 mësues, pastaj shërbejnë deri në dy vite në 405 misione në më tepër se 150 kombe.

Me rritjen e numrit të misionarëve që nga koha kur u ndryshuan kriteret e moshës në tetor të vitit 2012, QTM-të po presin një numër më të madh misionarësh se kurrë më parë. Me së paku një QTM në çdo hemisferë, dielli nuk perëndon kurrë për trajnimin.

Misionarët përgjithësisht, vijnë në QTM me një bazë njohurish fetare të marra nga udhëzimi në shtëpi dhe në Kishë. Qendrat sigurojnë trajnim shtesë që përfshin si të jepet mësim në mënyrën që Jezu Krishti dha mësim dhe mënyrën si t’u bëhen ftesa njerëzve për ta ndjekur Atë. Misionarët ushtrohen me situata mësimdhënieje, marrin trajnim për gjuhën aty ku gjen zbatim, dëgjojnë fjalime të takimeve të përjavshme shpirtërore nga udhëheqësit e Kishës dhe trupa organizative e QTM-së dhe marrin pjesë në mundësi shërbimi.

QTM-ja më e madhe gjendet në Provo të Jutës në SHBA. Ajo siguron trajnim për mijëra misionarë në 55 gjuhë. QTM-ja e dytë për nga madhësia gjendet në Meksiko-Siti të Meksikës. Në qershor të vitit 2013, ajo u zhvendos nga një ndërtesë më e vogël në një kompleks prej 36.4 hektarësh që më parë mbante një shkollë të mesme private të Kishës të quajtur Benemerito de las Amerikas. Vendndodhja e mëparshme mund të priste rreth 125 misionarë njëherësh; vendndodhja e re mund të presë mbi 1.000.

QTM të tjera gjenden në Buenos-Ajres të Argjentinës; San-Paolo, të Brazilit; Santiago të Kilit; Bogotá të Kolumbisë; Santo-Domingo, të Republikës Dominikane; Preston të Anglisë; Akra të Ganës; Guatemala-Siti të Guatemalës; Okland të Zelandës së Re; Limë të Perusë; Manila të Filipineve; Johanesburg të Afrikës së Jugut dhe në Madrid të Spanjës.