2014
Jeto i Vërtetë ndaj Besimit
Maj 2014


Jeto i Vërtetë ndaj Besimit

Plaku Uilliam R. Uolker

Secili prej nesh do të bekohet shumë nëse i njohim historitë e besimit dhe të sakrificës që i bënë paraardhësit tanë të bashkoheshin me Kishën e Zotit.

Unë e pëlqej shumë historinë e Kishës. Ndoshta si shumë prej jush, vetë besimi im forcohet kur mësoj për përkushtimin e jashtëzakonshëm të paraardhësve tanë, të cilët e pranuan ungjillin dhe jetuan të vërtetë ndaj besimit.

Një muaj më parë, 12.000 të rinj të mrekullueshëm nga Distrikti i Tempullit të Gilbertit në Arizonë, festuan përfundimin e tempullit të tyre të ri me një shfaqje frymëzuese, duke treguar zotimin e tyre për të jetuar me drejtësi. Tema e festimit të tyre ishte “Jeto i Vërtetë ndaj Besimit”.

Ashtu siç kanë bërë ata të rinj besnikë të Arizonës, çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme duhet të zotohet që të “jetojë i vërtetë ndaj besimit”.

Fjalët e himnit thonë, “T’vërtet’ ndaj besimit të prindërve tan’” (“True to the Faith”, Hymns, nr. 254).

Ne mund të shtojmë, “T’vërtet’ ndaj besimit të gjyshërve tan’”.

Pyes veten nëse secili prej atyre të rinjve entuziastë nga Arizona, e njihte historinë e tyre vetjake të Kishës – nëse e njihnin historinë se si familjet e tyre u bënë anëtarë të Kishës. Do të ishte një gjë e mrekullueshme nëse çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme do t’i njihte historitë e kthimit në besim të paraardhësve të tyre.

Nëse jeni apo jo pasardhës i pionierëve, trashëgimia e besimit dhe sakrificës së pionierëve mormonë është trashëgimia juaj. Ajo është trashëgimia fisnike e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Një prej kapitujve më të mrekullueshëm në historinë e Kishës ndodhi kur Uilford Udraf, një Apostull i Zotit, po e jepte mësim ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit anembanë Britanisë së Madhe, në vitin 1840 – vetëm 10 vjet pas themelimit të Kishës.

Uilford Udraf dhe Apostujt të tjerë e kishin përqendruar punën e tyre në zonën e Liverpulit dhe të Prestonit në Angli, me sukses mjaft të madh. Plaku Udraf, i cili më vonë u bë President i Kishës, po i lutej vazhdimisht Perëndisë që ta udhëhiqte atë në këtë punë shumë të rëndësishme. Lutjet e tij çuan në frymëzimin për të shkuar në një vend të ndryshëm për të dhënë mësim ungjillin.

Presidenti Monson na ka mësuar se kur ne marrim frymëzim nga qielli për të bërë diçka, ne e bëjmë në çast – ne nuk e shtyjmë. Kjo është saktësisht ajo që bëri Uilford Udrafi. Me drejtim të qartë nga Shpirti për të “shkuar në jug”, Plaku Udraf u largua pothuaj menjëherë dhe udhëtoi për në një zonë të Anglisë të quajtur Hërfordshajër – vend bujqësor në jug të Anglisë. Këtu ai takoi një fermer të suksesshëm, të quajtur Xhon Benbou, ku ai u prit me “zemra të gëzuara dhe falënderime” (Wilford Woodruff, në Matthias F. Cowley, Wilford Woodruff: History of His Life and Labors as Recorded in His Daily Journals [1909], f. 117).

Një grup prej mbi 600 njerëzish, të cilët e quanin veten e tyre Vëllezërit e Bashkuar, ishin “lutur për dritë dhe të vërtetë” (Wilford Woodruff, në Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff [2004], f. 91). Zoti e dërgoi Uilford Udrafin si përgjigje të lutjeve të tyre.

Mësimdhënia e Plakut Udraf dha menjëherë fryte dhe shumë u pagëzuan. Brigam Jangu dhe Uillard Riçards iu bashkuan atij në Hërfordshajër, dhe të tre Apostujt patën një sukses të jashtëzakonshëm.

Në vetëm pak muaj, ata organizuan 33 degë për të 541 anëtarët që i ishin bashkuar Kishës. Puna e tyre e jashtëzakonshme vazhdoi dhe, në fund, pothuaj gjithsecili prej anëtarëve të Vëllezërve të Bashkuar u pagëzua në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtërove të Ditëve të Mëvonshme.

Stër-stërgjyshja ime, Hana Maria Igëlls Harris, ishte një nga njerëzit e parë që e dëgjoi Uilford Udrafin. Ajo e vuri në dijeni bashkëshortin e saj, Robert Harrisin të Riun, se ajo kishte dëgjuar fjalën e Perëndisë dhe se kishte ndër mend të pagëzohej. Roberti nuk ishte i kënaqur kur dëgjoi njoftimin e bashkëshortes së tij. Ai i tha asaj se do ta shoqëronte në predikimin e ardhshëm dhënë nga misionari mormon dhe se do ta korrigjonte atë.

Duke u ulur pothuaj në krye të asamblesë, me një vendosmëri të prerë për të mos u ndikuar dhe ndoshta për ta mërzitur me pyetje predikuesin vizitor, Roberti u prek menjëherë nga Shpirti, ashtu siç ishte prekur bashkëshortja e tij. Ai e dinte se mesazhi i Rivendosjes ishte i vërtetë, dhe ai e bashkëshortja e tij u pagëzuan.

Historia e tyre e besimit dhe e përkushtimit është e ngjashme me mijëra të tjera: kur e dëgjuan mesazhin e ungjillit, ata e dinin se ishte i vërtetë!

Siç thotë Zoti: “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin” (Gjoni 10:27).

Duke e dëgjuar zërin e Bariut, ata e përkushtuan plotësisht jetën e tyre për ta jetuar ungjillin dhe për të ndjekur drejtimin e profetit të Zotit. Duke iu përgjigjur thirrjes për t’u mbledhur në Sion, ata e lanë pas shtëpinë e tyre në Angli, kaluan Atlantikun dhe u mblodhën me shenjtorët në Navu të Ilinoisit.

Ata e përqafuan ungjillin me gjithë zemër. Ndërsa po përpiqeshin të vendoseshin në vendin e tyre të ri, ata ndihmuan në ndërtimin e Tempullit të Navusë duke dhënë si të dhjetë punën e tyre – duke e shpenzuar çdo ditë të 10-të në ndërtimin e tempullit.

Atyre iu thye zemra nga lajmi i vdekjes së profetit të tyre të dashur, Jozef Smithit dhe vëllait të tij, Hajrëm. Por ata vazhduan përpara! Ata qëndruan të vërtetë ndaj besimit.

Kur shenjtorët u përndoqën dhe u dëbuan nga Navuja, Roberti dhe Maria u ndien shumë të bekuar kur morën indaumentin e tyre në tempull, pak përpara se të kalonin lumin Misisipi dhe të drejtoheshin për në perëndim. Megjithëse ishin të pasigurt për atë që do të sillte e ardhmja, ata ishin të sigurt për besimin e dëshmitë e tyre.

Me gjashtë fëmijë, ata marshuan me shumë vështirësi mes baltës, ndërsa kaluan Ajouën, rrugës për në perëndim. Ata ndërtuan për veten e tyre një strehë me prik, në anë të lumit Misisipi, në atë që u bë e njohur si Lagjet Dimërore.

Këta pionierë sypatrembur, po prisnin drejtimin apostullor për mënyrën dhe kohën kur do të niseshin për më tej në perëndim. Planet e çdokujt u ndryshuan kur Brigam Jangu, Presidenti i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, lëshoi një thirrje që burrat të dilnin vullnetarë për të shërbyer në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, në atë që u bë i njohur si Batalioni Mormon.

Robert Harrisi, i Riu, ishte një prej 500 pionierëve mormonë që iu përgjigjën asaj thirrjeje nga Brigam Jangu. Ai u rekrutua, edhe pse kjo nënkuptonte se do të linte prapa bashkëshorten e tij shtatzënë dhe gjashtë fëmijë të vegjël.

Përse do ta bënin një gjë të tillë ai dhe burrat e tjerë?

Përgjigjja mund të jepet me vetë fjalët e stër-stërgjyshit tim. Në një letër që ai i shkroi bashkëshortes së tij kur batalioni po shkonte në Santa Fe, ai shkroi: “Besimi im është më i fortë se kurrë [dhe kur mendoj për gjërat që Brigam Jangu na tha], unë i besoj ato njësoj sikur Perëndia i Madhërishëm të m’i kishte thënë”.

Shkurt, ai e dinte se po dëgjonte një profet të Perëndisë, ashtu siç e dinin dhe burrat e tjerë. Ja arsyeja përse e bënë! Ata e dinin se udhëhiqeshin nga një profet i Perëndisë.

Në po të njëjtën letër, ai shprehu ndjenjat e tij të dhembshura për bashkëshorten e fëmijët e tij dhe tregoi për lutjet e tij të vazhdueshme që ajo dhe fëmijët të bekoheshin.

Më poshtë në letër, ai bëri këtë deklaratë të fuqishme: “Ne nuk duhet të harrojmë gjërat që unë dhe ju dëgjuam dhe [përjetuam] në Tempullin e Zotit.”

Ndërthurur me dëshminë e tij të mëparshme se “ne udhëhiqemi nga një Profet i Perëndisë”, këto dy këshilla të shenjta janë bërë si shkrime të shenjta për mua.

Tetëmbëdhjetë muaj pas nisjes me batalionin, Robert Harrisi u bashkua i sigurt me Marien e tij të dashur. Ata qëndruan të vërtetë dhe besnikë ndaj ungjillit të rivendosur gjatë gjithë jetës së tyre. Ata patën 15 fëmijë, 13 prej të cilëve jetuan deri në moshë të rritur. Gjyshja ime Fani Uolker, nga Rajmondi, në Alberta të Kanadasë, ishte një prej 136 nipërve e mbesave të tyre.

Gjyshja Uolker ishte krenare për faktin se gjyshi i saj kishte shërbyer në Batalionin Mormon dhe dëshironte që të gjithë nipërit e mbesat e saj ta dinin. Tani që jam gjysh, e kuptoj përse ishte kaq e rëndësishme për të. Ajo donte t’ua kthente zemrat e fëmijëve etërve. Ajo donte që nipërit e mbesat e saj të dinin për trashëgiminë e tyre të drejtë – sepse e dinte se do ta bekonte jetën e tyre.

Sa më shumë që ndihemi të lidhur me paraardhësit tanë të drejtë, aq më shumë gjasa ka që do të bëjmë zgjedhje të mençura e të drejta.

Dhe kështu ndodh. Secili prej nesh do të bekohet shumë nëse i njohim historitë e besimit dhe të sakrificës që i bënë paraardhësit tanë të bashkoheshin me Kishën e Zotit.

Që nga hera e parë që Roberti dhe Maria e dëgjuan Uilford Udrafin të jepte mësim dhe të dëshmonte për Rivendosjen e ungjillit, ata e dinin se ungjilli ishte i vërtetë.

Ata gjithashtu e dinin se pavarësisht sprovave apo vështirësive që do t’u vinin, ata do të bekoheshin sepse qëndruan të vërtetë ndaj besimit. Duket sikur ata i kishin dëgjuar fjalët e profetit tonë sot, i cili tha: “Nuk ka sakrificë tepër të madhe … me qëllim që të marrin ato bekime [të tempullit]” (Tomas S. Monson, “Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, Liahona, maj 2011, f. 92).

Monedha dy-paundëshe e Mbretërisë së Bashkuar, ka të gdhendur në anë të saj, “Duke Qëndruar mbi Shpatullat e Gjigantëve”. Kur mendoj për paraardhësit tanë të mrekullueshëm pionierë, ndiej se të gjithë ne jemi duke qëndruar mbi shpatullat e gjigantëve.

Megjithëse këshilla erdhi nga një letër e Robert Harrisit, unë besoj se paraardhës të panumërt do t’i dërgonin të njëjtin mesazh fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tyre: Së pari, ne nuk duhet t’i harrojmë përvojat që kemi pasur në tempull dhe nuk duhet të harrojmë premtimet dhe bekimet që i vijnë secilit prej nesh për shkak të tempullit. Së dyti, nuk duhet të harrojmë se udhëhiqemi nga një profet i Perëndisë.

Dëshmoj se ne udhëhiqemi vërtet nga një profet i Perëndisë. Zoti e rivendosi Kishën e Tij në ditët e mëvonshme nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe ne nuk duhet të harrojmë se jemi udhëhequr nga një zinxhir i pashkëputur i profetëve të Perëndisë, që nga Jozefi deri te Brigami dhe përmes çdo Presidenti pasues të Kishës deri te profeti ynë sot – Tomas S. Monsoni. E njoh atë, e nderoj atë dhe e dua atë. Unë dëshmoj se ai është profeti i Zotit në tokë sot.

Është dëshira e zemrës sime që, së bashku me fëmijët dhe nipërit e mbesat e mia, ne do ta nderojmë trashëgiminë e paraardhësve tanë të drejtë – ata pionierë mormonë besnikë që ishin të gatshëm për ta vendosur çdo gjë në altar, për të sakrifikuar dhe për të mbrojtur Perëndinë e tyre dhe besimin e tyre. Lutem që secili prej nesh do të jetojë i vërtetë ndaj besimit që prindërit tanë e kanë dashur fort. Në emrin e shenjtë dhe të shenjtëruar të Jezu Krishtit, amen.