2014
Faqet e Internetit Tregojnë për Shërbimin, Besimin
Maj 2014


Faqet e Internetit Tregojnë për Shërbimin, Besimin

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme japin shërbim dhe e shpërndajnë besimin e tyre në mbarë botën. Raporte rreth veprimtarive të tilla shfaqen në faqet e internetit të redaksive të lajmeve të vendeve, të cilat përmblidhen rregullisht te newsroom.lds.org, burimi zyrtar i Kishës për mjetet e informimit, udhëheqësit e opinionit dhe publikun.

Në zonën e Paqësorit, shenjtorët e ditëve të mëvonshme furnizuan me ujë, ushqime, sharra elektrike, filtra për ujin, gjeneratorë dhe pajisje të tjera urgjence për të ndihmuar njerëzit në Tonga pas shkatërrimit nga cikloni tropikal Ian. Në Samoa, rinia SHDM mori pjesë në një veprimtari dyditore ndërfetare me inkurajime shpirtërore, muzikë, vallëzim dhe sporte.

Në Brazil, anëtarët e Kishës, të veshur me bluzat Duart Ndihmëtare Mormone, ndihmuan në përpjekjet e pastrimit dhe në shpërndarjen e furnizimeve pasi përmbytja dëmtoi lagjet dhe bizneset vendore, duke lënë shumë vetë të pastrehë. Në pjesë të tjera, anëtarët ndihmuan me shpërndarjen kur Shërbimet Humanitare të Kishës dhuruan 211 karrige invalidësh për individë me nevoja të veçanta. Dhurimi i vazhdueshëm në Brazil tani arrin në shumën e pothuajse 700 karrigeve.

Në Afrikë, organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare vepruan së bashku me LDS Charities, pjesën humanitare të Kishës, në fushatën e parë kombëtare në Gana për t’i dhënë fund fruthit dhe rubeolës, duke vaksinuar fëmijët nga foshnjëria deri në moshën 14-vjeçare. Në Nigeri dhe Gana, një ditë e Duarve Ndihmëtare u solli përfitim mijëra njerëzve në 100 komunitete, ndërkohë që shenjtorë të ditëve të mëvonshme të të gjitha moshave morën pjesë për të ndërtuar ura, për të mbjellë pemë, për të pastruar barëra të këqija, për të lyer ndërtesa dhe për të pastruar e zbukuruar lagjet. Në Zimbabve, më shumë se 60 të rinj e të reja shdm dolën vullnetarë për të dhuruar gjak. Dhe në Afrikën e Jugut, shenjtorja e ditëve të mëvonshme Nozibele Makanda, nënë e gjashtë fëmijëve, u zgjodh kryetare e bashkisë së Kuinstaunit, një qytet me 200.000 banorë.

Në Amerikën Qendrore, më shumë se 500 të rinj e të reja shdm në Guatemalë bashkëpunuan me qeverinë vendore për të mbjellë 1.944 pemë. Në Kosta-Rika, shtëpitë e mbledhjeve shdm u bënë pika mbledhjeje për qumësht dhe 370 vullnetarë të Kishës ndihmuan për t’ua shpërndarë atë dyqaneve të ushqimeve, duke marrë pjesë në një veprimtari për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Dhe në Kanada, shenjtorë të ditëve të mëvonshme bashkëpunuan me organizatën për Dialogun Krishtero-Judeas të Montrealit (Kebek) për të përgatitur intervista në video përpara seancave të shqyrtimit të qeverisë mbi vlerat [morale]. Ata që u intervistuan, folën në mbështetje të zotimit të komunitetit ndaj respektit, mirëkuptimit, tolerancës dhe lirisë fetare, duke theksuar se feja mbetet e rëndësishme në jetën e shumë qytetarëve të Kebekut.

Për një listë të faqeve në internet të redaksive të lajmeve nga vende ndërkombëtare në gjuhë të ndryshme, shihni mormonnewsroom.org/newsroom-country-sites.