Xhon S. Taner
Këshilltar i Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shkollës të së Dielës
Që nga fëmijëria, Xhon Siërs Taner ka gjetur gëzim në të mësuarin.
Ai emocion është shtrirë tek arsimimi, karriera e tij dhe në shumë mundësi të tij për të dhënë mësim për ungjillin: fillimisht si misionar në Misionin e Brazilit Jugor dhe më pas si peshkop, president kunji, këshilltar i lartë, mësues i Doktrinës së Ungjillit, president i Misionit Jugor të Brazilit, San-Paolo (që e përfundon këtë verë) dhe tani si këshilltar i parë në presidencën e përgjithshme të Shkollës të së Dielës.
“Kur [mësimdhënia] bëhet siç duhet, Fryma e Shenjtë është atje dhe ju e ndieni emocionin e të mësuarit; ju e ndieni se jeni në vend të shenjtë”, thotë Presidenti Taner.
I lindur në Solt-Lejk-Siti në Juta më 27 korrik 1950, nga Uilliam Kouts Taner i Riu dhe Atilia Siërs Taner, Presidenti Taner u rrit në Pasadinën Jugore në Kaliforni të SHBA-së, si fëmija i pestë nga 13 fëmijë. Prindërit e tij krijuan një mjedis të pasur arsimor në shtëpi, duke përfshirë një bazë qendrore të fortë të ungjillit. “Nuk më kujtohet se mësova në kishë ndonjë gjë tjetër që tashmë nuk e kisha mësuar në shtëpi”, thotë ai. Ai gjithashtu zhvilloi dashuri për letërsinë, e cila u ushqye kur vazhdoi shkollën dhe mori diplomën universitare për anglisht nga Universiteti “Brigam Jang” dhe një doktoraturë në anglisht nga Universiteti i Kalifornisë në Bërkli.
Ndërsa ishte në UBJ, ai takoi Suzan Uinderin. Që të dy zhvilluan një miqësi të fortë nga e cila ata më vonë ndërtuan një marrëdhënie romantike. Ata u martuan në Tempullin e Solt-Lejkut në 1974. Së bashku ata kanë rritur pesë fëmijë.
Presidenti Taner e filloi karrierën e tij akademike si një asistent profesor në Universitetin e Shtetit të Floridës. Ai u bë anëtar i trupit mësimor në UBJ në vitin 1982; ai ka punuar atje që nga ajo kohë si asistent profesor, si bashkëpunëtor dhe si profesor me titull të plotë, dhe si shef departamenti dhe zëvendëspresident akademik.
Pjesa më e rëndësishme e mësimdhënies së ungjillit, thotë ai, vjen nga diçka që ai e mësoi që në fillim të karrierës së tij: mësimdhënia nuk duhet të vijë nga një vend frike ose ambicieje, por nga një vend dashurie – nga dashuria hyjnore, nga dashuria e pastër e Krishtit.