Katër Minutat Tuaja
Mrekullia e Shlyerjes mund të plotësojë për papërsosuritë në të vepruarin tonë.
Lojërat e fundit Olimpike Dimërore e magjepsën botën, ndërsa atletë përfaqësues të 89 vendeve morën pjesë në 98 gara të ndryshme. Në mënyrë mbresëlënëse, 10 prej këtyre atletëve ishin anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 3 prej të cilëve fituan medalje, për të cilët u shkrua kohët e fundit në gazetën Church News [Lajme të Kishës]: Kristofer Fogt, Noell Pajkës-Peis dhe Tora Brajt.1 Ne u japim urimet tona të gjithë atletëve që konkurruan. Ju lumtë!
Flas për këto lojëra këtë mëngjes duke i çuar mendimet e mia tek të rinjtë, të rejat dhe të rinjtë në moshë madhore beqarë – ju që jeni në vitet tuaja më vendimtare të cilat përcaktojnë drejtimin e jetës suaj. Unë kam një ndjesi të fortë ngutjeje për t’ju folur juve.
Që ta ndieni atë ngutje, po tregoj së pari historinë e Noell Pajkës-Peisit, një prej këtyre atletëve shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Në garën e Noellës, rrëshqitjen me slitë skeleton, atletët fitojnë shpejtësi ndërsa vrapojnë me vrull dhe pastaj shtrihen me kokën përpara në një slitë të vogël. Me fytyrat e tyre vetëm disa centimetra mbi tokë, ata turren teposhtë një piste të akullt, me dredha, me shpejtësira që i kalojnë 145 km në orë.
Si për habi, vitet e përgatitjes do të konsideroheshin ose sukses ose zhgënjim, bazuar tek ajo çfarë ndodhi në hapësirën e katër rrëshqitjeve të vrullshme prej 60-sekondash secila.
Ëndrrat Olimpike të mëparshme të Noellës në vitin 2006 u rrënuan kur një aksident i tmerrshëm e la atë me këmbën të thyer. Në Lojërat Olimpike të 2010-s ëndrrat e saj dështuan sërish kur vetëm një e dhjeta e sekondës e pengoi të hipte në podiumin e medaljeve.2
A mund ta përfytyroni ankthin që ndjeu ajo, ndërsa priste të fillonte rrëshqitjen e saj të parë në Lojërat Olimpike të 2014-s? Vitet e përgatitjes do të arrinin kulmin në vetëm pak kohë. Katër minuta gjithsej. Ajo kaloi vite duke u përgatitur për ato katër minuta dhe do të kalonte një jetë të tërë më pas duke reflektuar për to.
Rrëshqitjet finale të Noellës ishin tërësisht pa gabime! Ne nuk do ta harrojmë kurrë kërcimin e saj te ndenjëset për të përqafuar familjen e saj pas kalimit të vijës fundore, duke thirrur: “Ia dolëm!” Vitet e përgatitjes kishin dhënë fryt. Ne e pamë medaljonin e saj të Të Rejave varur në qafë kur iu vendos medalja e argjendit atje pranë atij.3
Mund të duket e padrejtë që të gjitha ëndrrat Olimpike të Noellës vareshin nga ajo çfarë bëri gjatë vetëm katër minutave të shkurtra. Por ajo e dinte atë dhe kjo është arsyeja përse u përgatit me aq zell. Ajo e ndiente peshën, ngutjen e katër minutave të saj dhe se çfarë kuptimi do të kishin ato për pjesën tjetër të jetës së saj.
Ne gjithashtu kujtojmë Kristofer Fogtin, anëtar i skuadrës që fitoi medaljen e bronzit në garën me katër veta me slita bobsled. Ndonëse mund të kishte hequr dorë pas një përplasjeje rrënuese në Lojërat Olimpike të 2010-s, ai zgjodhi të këmbëngulte. Pas një gare fantastike, shpërblyese, ai fitoi çmimin që e synoi me aq zell.4
Tani, merrni parasysh se si udha juaj për te jeta e përjetshme është e ngjashme me “arritjen sportive katërminutëshe” të këtyre atletëve. Ju jeni një qenie e përjetshme. Përpara se të lindeshit, ju ekzistuat si një shpirt. Në praninë e një Ati të dashur Qiellor, ju u stërvitët dhe u përgatitët për të ardhur në tokë për një çast të shkurtër dhe, sigurisht, për të vepruar. Kjo jetë përbën katër minutat tuaja. Ndërkohë që jeni këtu, veprimet tuaja do të përcaktojnë nëse e fitoni çmimin e jetës së përjetshme. Profeti Amuleki përshkroi: “Kjo jetë është koha … që të përgatiten[i] të takohen[i] me Perëndinë; po, vini re, dita e kësaj jete është dita … që të krye[ni] punët [tuaja]”5.
Në një kuptim, katër minutat tuaja kanë filluar tashmë. Koha po kalon. Fjalët e Apostullit Pal duken kaq të përshtatshme: që të vraponi në garë, në mënyrë që ta merrni çmimin6.
Në të njëjtën mënyrë si disa hapa janë thelbësore në paraqitjen fare të shkurtër sportive të një atleti olimpik – kërcimet apo manovrat për skiatorët dhe rrëshqitësit e snoubordit në akull, marrja e kthesave në garën me slita bobsledit ose përshkimi i shpejtë i portave në një shteg zbritës për ski sllallom – po kështu është në jetën tonë, ku disa gjëra janë absolutisht thelbësore – pika kontrolli që na çojnë përpara gjatë paraqitjes sonë shpirtërore në tokë. Këta shenjues shpirtërorë janë ordinancat thelbësore të ungjillit, të dhëna nga Perëndia: pagëzimi, marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë, shugurimet në priftëri, ordinancat e tempullit dhe marrja e sakramentit çdo javë.
“Në [këto] ordinanca … , fuqia e perëndishmërisë manifestohet.”7
Dhe në të njëjtën mënyrë si disiplina e stërvitjes e përgatit një atlet që t’i plotësojë në shkallën më të lartë elementet në sportin e vet, mbajtja e urdhërimeve do t’ju kualifikojë t’i merrni këto ordinanca shpëtuese.
A e ndieni ngutjen?
Miqtë e mi të rinj, kudo që jeni në “paraqitjen tuaj katërminutëshe”, ju nxit të përsiatni: “Çfarë duhet të bëj në vijim që të siguroj medaljen time?” Ndoshta gjatë kësaj konference, Shpirti ju ka pëshpëritur se çfarë mund të jetë ajo: të përgatiteni më me maturi për një ordinancë në të ardhmen tuaj apo të merrni një ordinancë që duhet ta kishit marrë shumë kohë më parë. Çfarëdo qoftë, bëjeni atë tani. Mos prisni. Katër minutat tuaja do të kalojnë me shpejtësi dhe ju do të keni përjetësinë për të menduar rreth asaj që bëtë në këtë jetë.8
Vetëdisiplinimi është i nevojshëm. Lutja e përditshme, studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta dhe pjesëmarrja në kishë duhet të jenë baza e stërvitjes tuaj. Kërkohet një zakon i qëndrueshëm i bindjes ndaj urdhërimeve, mbajtja e besëlidhjeve që keni bërë dhe zbatimi i standardeve të Zotit të gjendura te broshura Për Forcën e Rinisë.
Ndoshta ju jeni të vetëdijshëm për gjëra në jetën tuaj që po kërcënojnë të ngadalësojnë ose ndalojnë përparimin tuaj shpirtëror. Nëse është kështu, ndiqni këtë këshillë shpirtërore: “[Le të] hedh[im] tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, dhe le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh”9.
Nuk është ende tepër vonë për t’u penduar. Por shpejt mund të jetë vonë, pasi asnjë nuk e di në të vërtetë se kur do të mbarojnë katër minutat tona.
Tani, ju mund të jeni duke menduar me vete: “Unë tashmë e kam katranosur. Katër minutat e mia janë tanimë katastrofë. Mund edhe të heq dorë.” Nëse është kështu, ndaloni së menduari atë dhe mos e mendoni më kurrë. Mrekullia e Shlyerjes mund të plotësojë për papërsosuritë në të vepruarin tonë. Siç dha mësim Plaku Xhefri R. Holland:
“Atyre prej jush … që ende mund të ngurrojnë … unë [u] dëshmoj për fuqinë përtëritëse të dashurisë së Perëndisë dhe për mrekullinë e hirit të Tij. …
… Nuk është kurrë tepër vonë për aq kohë sa Pronari … thotë se ka kohë. … Mos u vononi.”10
Mbani mend, ju nuk jeni vetëm. Shpëtimtari ka premtuar se nuk do t’ju lërë bonjakë.11 Ju keni gjithashtu familje, miq dhe udhëheqës që po ju nxitin.
Ndonëse fjalimi im i është drejtuar rinisë së Kishës, për prindërit dhe gjyshërit, unë përcjell sa vijon:
Kohët e fundit, Plaku Dejvid A. Bednar përshkroi një mënyrë të thjeshtë për të kryer një vlerësim të familjes për të parë përparimin në shtegun e besëlidhjes nëpërmjet ordinancave thelbësore. Gjithçka që duhet, është një copë letër me dy kolona: “emri” dhe “plani për ordinancën tjetër ose ordinancën e nevojshme”. E bëra këtë kohët e fundit, duke e renditur secilin anëtar të familjes. Mes tyre, vura re një nip të porsalindur, i cili do të bekohej së shpejti; një nip gjashtë vjeç, përgatitja e të cilit për pagëzim ishte thelbësore; dhe një djalë që do të mbushte 18 vjeç, përgatitja e të cilit për priftërinë dhe indaumentin e tempullit ishin të pashmangshme. Gjithësecili në listë kishte nevojë për ordinancën e sakramentit. Ky ushtrim i thjeshtë na ndihmoi mua dhe Lesën të përmbushnim rolin tonë për ta ndihmuar secilin anëtar të familjes sonë nëpër shtegun e besëlidhjes, me një plan veprimi për çdonjërin prej tyre. Ndoshta kjo është një ide për ju, e cila do të çojë në diskutime familjare, mësime të mbrëmjes familjare, përgatitje dhe madje ftesa për ordinanca thelbësore në familjen tuaj.12
Si skiator dhe rrëshqitës snouborderi vetë, më la mbresa të thella paraqitja sportive “katërminutëshe” prej fitueseje të medaljes së argjendtë e atletes dhe rrëshqitëses me snoubord australiane SHDM, Tora Brajt, në garën në gjysmë-rampë. Ajo e verboi botën kur përmbylli një garë tërësisht pa gabime që arriti kulmin me një manovër rodeo me kurriz 720-gradëshe. Sidoqoftë, edhe më mbresëlënëse dhe më e habitshme ishte mënyra se si ajo iu afrua dhe u shfaqi dashuri si të Krishtit konkurrentëve të saj. Ajo vuri re që rrëshqitësja amerikane e snouborderit, Keli Klark, e cila pati një rezultat të keq në rrëshqitjen e parë të raundit të fundit dukej të ishte nervoze për rrëshqitjen e saj të dytë. “Ajo më përqafoi”, kujton Klark. “Ajo thjesht më shtrëngoi derisa vërtet u qetësova mjaftueshëm dhe e ngadalësova frymëmarrjen time. Sa mirë të merrje një përqafim nga një shoqe.” Keli Klark më vonë do t’i bashkohej Toras në podiumin e fitueseve si fituese e medaljes së bronzit.
Kur e pyetën për këtë veprim të pazakontë mirësie kundrejt kundërshtares së saj, e cila mund t’ia kishte rrezikuar fitoren e medaljes së saj të argjendtë, Tora thjesht tha: “Unë jam një konkurrente – dua të jap maksimumin tim – por dëshiroj që edhe bashkëkonkurrentët e mi të japin maksimumin e tyre”13.
Me këtë në mendje, a ka ndonjë person që ka nevojë për përkrahjen tuaj? një pjesëtar i familjes? një mik? një shok klase ose një bashkanëtar në kuorumin tuaj? Si mund t’i ndihmoni ata me katër minutat e tyre?
Të dashur miq, ju jeni në mes të një udhëtimi gjallërues. Në disa mënyra, ju jeni duke rrëshqitur teposhtë gjysmë-rampës ose pistës për slita, dhe mund të jetë sprovuese ta plotësoni secilin element ose të merrni secilën kthesë përgjatë udhës. Por kujtoni, ju jeni përgatitur për këtë gjatë mijëvjeçarëve. Ky është çasti juaj për të vepruar. Kjo përbën katër minutat tuaja. Tani është koha!
Unë shpreh besimin tim më të madh në aftësitë tuaja. Ju keni Shpëtimtarin e botës në anën tuaj. Nëse kërkoni ndihmën e Tij dhe ndiqni udhëzimet e Tij, si mund të dështoni?
E mbyll me dëshminë time për bekimin që kemi në saje të profetit të gjallë, Presidentit Tomas S. Monson; dhe me dëshminë për Jezu Krishtin dhe rolin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, në emrin e Tij të shenjtë, Jezu Krishtit, amen.