2014
Teknologjia dhe Media Shoqërore Zgjerojnë Ndjekjen Mbarëbotërore të Konferencës së Përgjithshme
Maj 2014


Teknologjia dhe Media Shoqërore Zgjerojnë Ndjekjen Mbarëbotërore të Konferencës së Përgjithshme

Përveç 100.000 e më shumë njerëzve që morën pjesë në pesë sesionet e Konferencës së Përgjithshme Vjetore të 184-t në Qendrën e Konferencave në Solt-Lejk-Siti të Jutës në SHBA, miliona njerëz të tjerë i panë ose i dëgjuan sesionet në 95 gjuhë nëpërmjet transmetimeve të TV-së, radios, satelitit, dhe internetit.

Ndërkohë që Qendra e Konferencave në Solt-Lejk-Siti ka karrige për 21.000 njerëz, shikuesit ose dëgjuesit e konferencës së përgjithshme përqark globit rriten teksa miliona anëtarë të Kishës e të tjerë e ndjekin atë. Për më shumë se 50 vite, Kisha i ka përkthyer punimet në gjuhë të shumta. Sot, teknologjia e bën të mundur shikimin e drejtpërdrejtë në mbi 200 shtete anembanë botës.

Përveç transmetimeve në godinat kishtare vendore, Kisha e transmeton konferencën drejtpërdrejt në LDS.org, në kanalet BYUtv, BYUtv International, Mormon Channel, Roku, në Facebook dhe në YouTube. Shikueshmëria në internet gjatë konferencës së përgjithshme të tetorit 2013, u rrit me afro 30 përqind krahasuar me konferencën e mëparshme.

Shumë njerëz marrin pjesë në konferencën e përgjithshme edhe nëpërmjet medias shoqërore. Bëhet një vërshim publikimesh në Twitter me etiketimin #ldsconf gjatë secilës prej pesë sesioneve të konferencës, duke e bërë konferencën e përgjithshme një nga temat më të diskutuara në Twitter në atë kohë. Për shembull, gjatë tetorit të vitit 2013, u bënë 155.000 publikime në Twitter që lidheshin me konferencën e përgjithshme. (Çdo publikim në Twitter është një koment individual me 140 ose më pak karaktere.)

Nëpërmjet kanaleve të saj zyrtare në median shoqërore, Kisha publikon mesazhe të drejtpërdrejta nga konferenca në gjuhë të shumta dhe i nxit të tjerët t’i shpërndajnë ato mesazhe. Gjatë konferencës së përgjithshme të tetorit 2013, shumë shikues apo dëgjues të tjerë i panë ose i dëgjuan mesazhet e konferencës së përgjithshme pasi panë një publikim në median shoqërore. Publikimet janë shpërndarë në anglisht, spanjisht dhe portugalisht.