2014
Vihet në Dukje Përparimi Lidhur me Tempujt, Mbështeten Drejtues të Rinj në Konferencën e Përgjithshme
Maj 2014


Vihet në Dukje Përparimi Lidhur me Tempujt, Mbështeten Drejtues të Rinj në Konferencën e Përgjithshme

Gjatë gjashtë muajve të kaluar, “puna e Kishës ka shkuar përpara e papenguar”, tha Presidenti Tomas S. Monson në fjalët e tij të hapjes së Konferencës së Përgjithshme Vjetore të 184-t të Kishës.

Duke rikujtuar përkushtimin e Tempullit të Gilbertit në Arizonë më 2 mars 2014, duke pritur me mjaft dëshirë përkushtimin e ardhshëm të Tempullit të Fort Lloderdejlit në Florida dhe duke parashikuar përfundimin dhe përkushtimin e tempujve në shumë pjesë të botës gjatë vitit 2014 dhe 2015, Presidenti Monson vuri në dukje se, kur të përfundohen të gjithë tempujt e lajmëruar më parë, Kisha do të ketë 170 tempuj funksionues në mbarë botën.

“Edhe pse tani po i përqendrojmë përpjekjet tona në përfundimin e tempujve të njoftuar më parë dhe nuk do të njoftojmë ndonjë tempull të ri në të ardhmen e afërt”, tha ai, “ne do ta vazhdojmë procesin e përcaktimit të nevojave dhe të gjetjes së vendeve për tempuj që ende do të vijnë. Njoftime do të bëhen atëherë në konferenca të përgjithshme të ardhshme. Ne jemi një popull tempullndërtues dhe tempullfrekuentues.”

Gjatë konferencës, u mbështetën një anëtar i ri i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, katër Autoritete të reja të Përgjithshme, një presidencë e re e përgjithshme e Shkollës të së Dielës dhe 42 Të Shtatëdhjetë Zonalë.

Plaku Lin G. Robins u thirr në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve.

Plaku Jorg Klebingat nga Kievi në Ukrainë dhe Plaku Çi Hong (Sam) Uong nga Hong-Kongu në Kinë u mbështetën që të shërbejnë në Kuorumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve. Plaku Leri S. Keçer nga Miduej në Juta dhe Plaku Hugo E. Martinez nga Aresibo në Porto-Riko u mbështetën si anëtarë të Kuorumit të Dytë të Të Shtatëdhjetëve.

Plaku Ted R. Kelister, i cili ishte duke shërbyer në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve dhe si anëtar i Kuorumit të Dytë të Të Shtatëdhjetëve, u mbështet si presidenti i përgjithshëm i Shkollës të së Dielës, me Xhon S. Taner dhe Devin G. Durrant si këshilltarë të parë e të dytë.

Shihni një listë të plotë të mbështetjeve dhe lirimeve nga detyrat në faqet 26–27 dhe gjeni biografitë e Plakut Robins, të Të Shtatëdhjetëve të sapothirrur dhe të presidencës së përgjithshme të Shkollës të së Dielës duke filluar në faqen 141.

Një javë përpara konferencës së përgjithshme, mbledhja e parë e përgjithshme e grave – për të gjitha gratë, të rejat dhe vajzat e moshës tetë vjeç e lart – u mbajt në Qendrën e Konferencave. Kjo mbledhje zëvendëson mbledhjet e mëparshme të përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave. Të gjitha mesazhet nga mbledhja e grave mund të gjenden në faqet 116–128.

Gjithashtu përpara konferencës, u riorganizua bordi i përgjithshëm i Të Rejave, me motra të thirrura për herë të parë nga vendndodhje përveç Solt-Lejk-Sitit, duke përfshirë Perunë, Afrikën e Jugut, Japoninë, Brazilin dhe Bruklinin në Nju-Jork të SHBA-së. Lexoni biografitë dhe shihni fotografitë te lds.org/callings/young-women.

“Shpëtimtari solli në këtë tokë një mesazh dashurie dhe vullneti të mirë për të gjithë burrat dhe gratë”, tha Presidenti Monson në fund të konferencës së përgjithshme. “E ndjekshim përgjithmonë shembullin e Tij.” Ai i siguroi anëtarët e Kishës dhe të tjerët që po dëgjonin, se “Ati Qiellor është i vëmendshëm ndaj nesh. Ai do të na udhëheqë dhe bekojë kur ne e vendosim besimin dhe mirëbesimin tonë tek Ai.”