Devin G. Durrant
Këshilltar i Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shkollës të së Dielës
Kur Devin G. Durrant u thirr si këshilltari i dytë në presidencën e përgjithshme të Shkollës të së Dielës, është e mundur që shumë anëtarë të Kishës sollën ndërmend kujtime nga ditët e tij të lavdishme i veshur me uniformën e basketbollit të Universitetit “Brigam Jang”.
Sportet, sigurisht, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e Presidentit Durrant. Ai madje e kaloi një sezon duke luajtur në NBA (Liga Kombëtare e Basketbollit) kundër lojtarëve më të dëgjuar të Shteteve të Bashkuara. Por ai ka qenë shumë më tepër se një sportist i mirënjohur: misionar në Madrid të Spanjës, bashkëshort, baba, gjysh, autor, biznesmen, anëtar besnik dhe tashmë presidenti i Misionit të Teksasit në Dallas për dy vjet e gjysmë.
Presidenti Durrant, i lindur më 20 tetor 1960, në Brigam-Siti në Juta, thotë se shtëpia e fëmijërisë së tij luajti një rol thelbësor në përgatitjen e tij për secilën nga ato role të jetës. Prindërit e tij, Xhorxh dhe Merilin Durrant, ishin mësues të talentuar.
“Sigurisht, ata më mësuan me anë të fjalëve të tyre – por në të vërtetë, mësimet më të mëdha që unë përjetova në shtëpi, ishin duke i vëzhguar ata që jetonin jetën e tyre.”
Presidenti Durrant dhe gruaja e tij, Xhuli Mink Durrant, e dinë mirë rëndësinë e mësuesve të fuqishëm në përgatitjen e misionarëve të ardhshëm.
“[Misionarët e ardhshëm] po mësohen mirë prej prindërve të tyre në shtëpi dhe prej mësuesve të tyre në kishë dhe në programet e shkëlqyera të seminarit dhe të institutit.”
Programi i Shkollës të së Dielës, shtoi ai, i lejon instruktorët dhe studentët e të gjitha moshave “që të japë mësim sipas mënyrës së Shpëtimtarit”.
Presidenti dhe Motra Durrant u martuan në Tempullin e Solt-Lejkut në Juta më 23 prill 1983 dhe janë prindërit e gjashtë fëmijëve dhe kanë gjashtë nipër e mbesa.
Përpara thirrjes së tij si president misioni, ai shërbeu si peshkop, këshilltar i presidencës së kunjit, anëtar i presidencës së Shkollës të së Dielës për kunjin dhe mësues instituti.
Ai mori një diplomë universitare për Studimet Amerikane nga Universiteti “Brigam Jang” dhe një diplomë master në administrimin e biznesit nga Universiteti i Jutas. Ai është pronari i një kompanie investimesh në pasuri të patundshme.