Profeti Jozef Smith
Zbulesat e derdhura mbi Jozef Smithin vërtetojnë se ai ishte një profet i Perëndisë.
Vegimi i Parë
Një djalosh lexon Biblën dhe sytë i ndalen te një fragment i vetëm i shkrimit të shenjtë. Ky është një çast që do të ndryshojë botën.
Ai pret me ankth të dijë se cila kishë mund ta çojë atë tek e vërteta dhe shpëtimi. Ai ka provuar pothuajse çdo gjë tjetër dhe tani i kthehet Biblës e lexon këto fjalë: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”1.
Ai i përsiat ato në mënyrë të përsëritur. Shkëndija e parë e dritës përshkon errësirën. A është kjo përgjigjja, rrugëdalja nga ngatërresa dhe errësira? A mund të jetë kaq e thjeshtë? Kërkoji Perëndisë dhe Ai do të përgjigjet? Me kalimin e kohës ai vendos se, ose duhej t’i kërkojë Perëndisë ose përgjithmonë të mbetet në errësirë dhe ngatërresë.
Dhe prapëseprapë, sado në ankth që është, ai nuk vrapon në një cep të qetë dhe bën shpejt e shpejt një lutje të ngutur. Ai është vetëm 14 vjeç, por në nxitimin e tij për të marrë dituri, ai nuk është i nxituar. Kjo nuk do të jetë thjesht një lutje çfarëdo. Ai vendos ku të shkojë dhe kur ta bëjë përpjekjen. Përgatitet të flasë me Perëndinë.
Dhe më pas dita vjen. Është “mëngjesi i një dite të bukur, të kthjellët, në fillim të pranverës së vitit [1820]”2. Ai ecën i vetëm në qetësinë e pyllit aty pranë, nën pemët që lartësohen mbi të. Arrin te vendi ku vendosi më përpara për të shkuar. Gjunjëzohet dhe tregon dëshirat e zemrës së tij.
Duke përshkruar atë çfarë ndodh më pas, ai thotë:
“Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua.
… Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: [Jozef,] Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”3
Vetëm 24 vite më vonë, Jozef Smithi dhe vëllai i tij, Hajrëmi, do të vdesin për shkak të asaj që filloi këtu.
Kundërshtimi
Jozefi tha se kur ishte 17 vjeç, një engjëll i tregoi se “emri [i tij] do të mbahej për mirë e për keq mes të gjitha kombeve, … mes gjithë popujve”4. Kjo profeci po vazhdon të përmbushet sot, ndërsa Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është përhapur anembanë botës.
Kundërshtimi, kritika dhe armiqësia janë shoqërues të së vërtetës. Kurdoherë që zbulohet e vërteta lidhur me qëllimin dhe fatin e njeriut, do të ketë gjithmonë një forcë për ta kundërshtuar atë. Duke filluar me Adamin dhe Evën në Kopshtin e Edenit, deri te shërbesa e Krishtit dhe më tej deri në ditën tonë, gjithmonë ka pasur dhe përherë do të ketë një përpjekje për të mashtruar rreth planit të jetës, për ta prishur, kundërshtuar dhe penguar atë.
Kërkoni renë më të madhe të pluhurit të ngritur mbi dheun më të shumtë që i hidhet Atij që u kundërshtua më shumë, u sprovua dhe u mohua, u rrah, u braktis e u kryqëzua, Atij që zbriti nën të gjitha gjërat, dhe aty do ta gjeni të vërtetën, Birin e Perëndisë, Shpëtimtarin e të gjithë njerëzimit. Përse nuk e lanë të qetë?
Përse? Sepse Ai është e vërteta; dhe e vërteta gjithmonë do të kundërshtohet.
Dhe pastaj kërkoni atë që solli një dëshmi tjetër të Jezu Krishtit dhe një shkrim tjetër të shenjtë, kërkoni atë që ishte mjeti me anë të të cilit u rivendosën plotësia e ungjillit dhe Kisha e Jezu Krishtit në tokë, kërkojeni atë dhe prisni të gjeni njerëz duke i hedhur baltë. Përse të mos e lënë të qetë atë?
Përse? Sepse Ai na mësoi të vërtetën dhe e vërteta gjithmonë do të kundërshtohet.
Vërshimi i Zbulesave
Zbulesat e derdhura mbi Jozef Smithin vërtetojnë se ai ishte një profet i Perëndisë. Le të shohim disa prej tyre – thjesht të shohim një pjesë të dritës dhe të vërtetës së zbuluar nëpërmjet tij, që ndriçon në kontrast të plotë me bindjet e përgjithshme fetare të kohës së tij dhe të kohës sonë:
Perëndia është një qenie e mëvetësishme, e ekzaltuar, një Atë i Amshuar. Ai është Ati ynë.
Perëndia, Ati, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë janë qenie të veçanta.5
Ju jeni më shumë se njerëzor. Ju jeni fëmijë i Perëndisë, Atit të Amshuar, dhe mund të bëheni si Ai6 nëse do të keni besim te Biri i Tij, do të pendoheni, merrni ordinancat, merrni Frymën e Shenjtë dhe duroni deri në fund.7
Kisha e Jezu Krishtit sot është në themel e njëjta Kishë që Ai e organizoi gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, me profetë e apostuj, me Priftëritë Melkizedeke dhe Levitike, me pleq, priftërinj të lartë, dhjakë, mësues, peshkopë dhe të shtatëdhjetë, të gjithë siç përshkruhen në Bibël.
Autoriteti i priftërisë u tërhoq nga toka në vijim të vdekjeve të Shpëtimtarit dhe të Apostujve të Tij dhe u rivendos përsëri në kohën tonë.
Zbulesa nuk ka reshtur dhe qiejt nuk janë mbyllur. Perëndia u flet profetëve sot dhe Ai do t’ju flasë juve dhe mua gjithashtu.8
Ka më shumë pas kësaj jete sesa vetëm parajsë dhe ferr. Ka tri shkallë të lavdisë dhe ka tej mase rëndësi se çfarë bëjmë në këtë jetë.9
Më shumë sesa të pasurit e një besimi thjesht joveprues te Krishti, ne duhet të “sh[ohim] tek [Ai] në çdo mendim”10, “të bë[jmë] gjithçka që bë[jmë], në emër të Birit”11, “gjithmonë ta kujtoj[më] atë e të zbatoj[më] urdhërimet … që të mund të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]”12.
Miliardat e njerëzve që jetojnë e vdesin pa ungjillin dhe ordinancat e nevojshme për shpëtim, nuk janë të humbur. “Nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”13, të administruara si për të gjallët edhe për të vdekurit.14
Gjithçka nuk filloi me lindjen. Ju jetuat më parë në praninë e Perëndisë si biri apo bija e Tij dhe u përgatitët për këtë jetë të vdekshme.15
Martesa dhe familja nuk janë tradita të njerëzve derisa vetëm vdekja të na ndajë. Ato kanë si qëllim të jenë të përjetshme nëpërmjet besëlidhjeve që bëjmë me Perëndinë. Familja është modeli i qiellit.16
Dhe kjo është vetëm një pjesë e vërshimit të zbulesave të derdhura mbi Jozef Smithin. Nga erdhi kjo e gjitha, këto zbulesa të cilat i japin dritë errësirës, qartësi dyshimit dhe të cilat kanë frymëzuar, bekuar dhe përmirësuar miliona njerëz? Cila ka më të ngjarë, që ai e ëndërroi të gjithën vetë apo që ai pati ndihmën e qiellit? A tingëllojnë shkrimet e shenjta që ai dha, si fjalët e njeriut apo si fjalët e Perëndisë?
Përfundim
Nuk ka asnjë debat rreth asaj që përmbushi Jozef Smithi, vetëm rreth mënyrës se si e bëri atë që bëri dhe përse e bëri. Dhe nuk ka shumë mundësi zgjedhjeje. Ai ishte ose njeri i shtirur ose profet. Ose e bëri atë që bëri i vetëm, ose pati ndihmën e qiellit. Shihni faktet, por i shihni të gjitha faktet, tërë mozaikun e jetës së tij, jo ndonjë pjesë të vetme. Më e rëndësishmja, veproni si Jozefi i ri dhe “kërkoj[ini] … Perëndisë, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe do [t’ju] jepet”17. Kjo nuk është vetëm mënyra se si mund të mësoni të vërtetën rreth Librit të Mormonit dhe Jozef Smithit, është edhe modeli për të ditur të vërtetën e të gjitha gjërave.18
Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë, ashtu siç është sot Tomas S. Monsoni. Nëpërmjet Jozef Smithit, “çelësat e mbretërisë së Perëndisë [përsëri] i jepen njeriut në tokë dhe … do të përhapet ungjilli … ashtu si guri që shkëputet pa duar nga mali … , derisa të ketë mbushur tërë tokën”19.
Perëndia është Ati ynë i Amshuar dhe Jezusi është Krishti. Ne i adhurojmë Ata. Asgjë nuk krahasohet me krijimet e Tyre, planin e shpëtimit dhe sakrificën shlyese të Qengjit të Perëndisë. Në këtë periudhë të kujdestarisë ungjillore, ne e përmbushim planin e Atit dhe marrim nga frytet e Shlyerjes vetëm me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit, të rivendosura nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Unë jap dëshmi për Ta – Perëndinë, Atin e Amshuar, dhe Jezu Krishtin, Shpëtimtarin e botës. Dhe unë e bëj këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.