2014
Nëse Më Doni, Zbatoni Urdhërimet e Mia
Maj 2014


“Nëse Më Doni, Zbatoni Urdhërimet e Mia”

Plaku Robert D. Hejls

Përdorimi i lirisë sonë të zgjedhjes për t’u bindur do të thotë të zgjedhim të “bëj[më] ç’ësht’ e drejt’ [dhe pranimin që] pasojat le t’vazhdojnë”.

Vëllezër e motra, nga të gjitha mësimet që marrim nga jeta e Shpëtimtarit, asnjëri nuk është më i qartë dhe më i fuqishëm se mësimi i bindjes.

Shembulli i Shpëtimtarit

Në Këshillin paratokësor në Qiell, Luciferi ngriti krye kundër planit të Atit Qiellor. Ata që e ndoqën Luciferin, i dhanë fund përparimit të tyre përjetshëm – kini kujdes se kë ndiqni!

Pastaj Jezusi shprehu zotimin e Tij për t’u bindur, duke thënë: “Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë”1. Gjatë gjithë shërbesës së Tij, “Ai vuajti tundime, por nuk ua vuri veshin atyre”2. Në të vërtetë, “[Ai] mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi”3.

Për shkak se Shpëtimtari ynë qe i bindur, Ai shleu për mëkatet tona, duke e bërë të mundur ringjalljen tonë e duke përgatitur udhën për ne që të kthehemi tek Ati ynë Qiellor, i cili e dinte se ne do të bënim gabime teksa mësonim bindjen në vdekshmëri. Kur bindemi, ne e pranojmë sakrificën e Tij, pasi ne besojmë se nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit.4

Jezusi na mësoi të bindemi me fjalë të thjeshta, që janë të lehta për t’u kuptuar: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”5 dhe “Eja e më ndiq”6.

Kur pagëzohemi, ne “m[arrim] mbi vete emrin e Krishtit” dhe hyjmë “në besëlidhje me Perëndinë se [ne do të] je[mi] të bindur deri në fund të jetës [sonë]”7. Çdo të diel, ne e përtërijmë atë besëlidhje pagëzimi duke marrë sakramentin dhe duke dëshmuar se jemi të gatshëm t’i mbajmë urdhërimet. Ne kërkojmë falje për çdo mendim, ndjenjë apo veprim që nuk është në harmoni me vullnetin e Atit tonë Qiellor. Teksa pendohemi duke u larguar nga mosbindja e duke filluar të bindemi sërish, ne tregojmë dashurinë tonë për Të.

Llojet e Bindjes

Teksa e jetojmë ungjillin, ne përparojmë në aftësinë tonë për ta kuptuar bindjen. Nganjëherë, mund të tundohemi të ushtrojmë atë që unë e quaj “bindja e njeriut të natyrshëm”, në të cilën ne nuk e pranojmë ligjin e Perëndisë për hir të zgjuarsisë ose dëshirave tona apo madje edhe popullaritetit. Për shkak se ushtrohet gjerësisht nga kaq shumë njerëz, ky shtrembërim i bindjes i pakëson standardet e Perëndisë në kulturën tonë dhe në statutet tona ligjore.

Nganjëherë, ne mund të marrim pjesë në “bindjen përzgjedhëse” duke pretenduar se e duam dhe e nderojmë Perëndinë, ndërkohë që përzgjedhim se cilat prej urdhërimeve e mësimeve të Tij – dhe mësimeve e këshillës së profetëve të Tij – do të zbatojmë plotësisht.

Disa njerëz binden në mënyrë përzgjedhëse, sepse nuk mund t’i kuptojnë të gjitha arsyet e një urdhërimi, njësoj sikurse fëmijët nuk i kuptojnë gjithnjë arsyet e rregullave të prindërve të tyre. Por ne e dimë gjithnjë arsyen përse e ndjekim profetin, sepse kjo është Kisha e Jezu Krishtit dhe është Shpëtimtari që i drejton profetët e Tij në të gjitha periudhat ungjillore.

Ndërsa thellohet kuptueshmëria jonë rreth bindjes, ne e dallojmë rolin thelbësor të lirisë së zgjedhjes. Kur Jezusi ishte në Kopshtin e Gjetsemanit, Ai u lut duke thënë: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti”8. Perëndia nuk do t’ia hiqte Shpëtimtarit lirinë e zgjedhjes, prapëseprapë Ai mëshirshëm dërgoi një engjëll që ta forconte Birin e Tij të Dashur.

Shpëtimtari hasi një provë tjetër në Golgotë, ku mund të kishte thirrur ushtri të tëra engjëjsh që ta zbritnin nga kryqi, por Ai bëri zgjedhjen e Tij vetjake për të duruar me bindje deri në fund e për ta përfunduar sakrificën e Tij shlyese, edhe pse kjo nënkuptonte vuajtje të madhe, madje vdekje.

Bindja e pjekur nga ana shpirtërore është “bindja e Shpëtimtarit”. Ajo merr shtysë nga dashuria e vërtetë për Atin Qiellor dhe Birin e Tij. Kur bindemi me gatishmëri, sikurse bëri Shpëtimtari, ne u japim jetë fjalëve nga Ati Qiellor: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”9. Dhe ne shpresojmë të dëgjojmë, pasi të hyjmë në praninë e Atit tonë Qiellor: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; … hyr në gëzimin e zotit tënd”10.

Përdorimi i lirisë sonë të zgjedhjes për t’u bindur do të thotë të zgjedhim të “bëj[më] ç’ësht’ e drejt’ [dhe pranimin që] pasojat le t’vazhdojnë”11. Kjo kërkon zotërim të vetvetes dhe na sjell siguri, lumturi të përjetshme dhe një ndjesi përmbushjeje neve dhe, me anë të shembullit, atyre që janë përreth nesh; dhe gjithnjë përfshin një zotim të thellë vetjak për t’i mbështetur udhëheqësit e priftërisë dhe për t’i zbatuar mësimet e këshillat e tyre.

Pasojat

Për zgjedhjen nëse vërtet do të bindemi apo jo, është përherë e dobishme të kujtojmë pasojat e zgjedhjeve tona. A e kuptonin Luciferi dhe ndjekësit e tij pasojën e zgjedhjes për të mos e pranuar planin e Atit Qiellor? Nëse po, përse e bënë një zgjedhje kaq të tmerrshme? Ne mund t’i bëjmë vetes një pyetje të ngjashme: Pse ndonjëri prej nesh zgjedh të jetë i pabindur kur ne i dimë pasojat e përjetshme të mëkatit? Shkrimet e shenjta na japin përgjigje: arsyeja përse Kaini dhe disa fëmijë të Adamit dhe Evës zgjodhën të mos bindeshin, është ngaqë “e donin Satanin më shumë sesa Perëndinë”12.

Dashuria jonë për Shpëtimtarin është çelësi për bindje si ajo e Shpëtimtarit. Teksa mundohemi të jemi të bindur në botën e sotme, ne shpallim dashurinë dhe respektin për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor. Prapëseprapë, është e pamundur që kjo dashuri për të tjerët t’i ndryshojë urdhërimet e Perëndisë, që u dhanë për të mirën tonë! Për shembull, urdhërimi “… mos vrit as mos bëj diçka të ngjashme”13, bazohet te ligji shpirtëror që i mbron të gjithë fëmijët e Perëndisë, madje edhe ata që nuk kanë lindur ende. Përvoja e gjatë tregon se, kur ne e shpërfillim këtë ligj, si pasojë vjen hidhërimi i pamatshëm. Gjithsesi, shumë njerëz besojnë se është e pranueshme t’ia marrësh jetën një fëmije të palindur për arsye parapëlqimi apo volie.

Dhënia e arsyeve për mosbindjen nuk e ndryshon ligjin shpirtëror apo pasojat e tij, por çon në pështjellim, paqëndrueshmëri, endje në udhë të panjohura, humbje të rrugës e pikëllim. Si dishepujt të Krishtit, ne kemi një detyrim të shenjtë për t’i përkrahur ligjet, urdhërimet e Tij dhe besëlidhjet që i marrim mbi vete.

Në dhjetor të vitit 1831, disa prej vëllezërve u thirrën që të ndihmonin për të zbutur ndjenjat armiqësore që ishin zhvilluar kundrejt Kishës. Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Zoti i drejtoi ata në një mënyrë të pazakontë, madje befasuese:

“Ngatërrojini armiqtë tuaj; u bëni thirrje që të takohen me ju, si në publik, edhe në fshehtësi. …

Prandaj, le të sjellin ata arsyet e tyre të forta kundër Zotit.

… Nuk ka asnjë armë që formohet kundër jush, që do të përparojë;

Dhe nëse dikush ngre zërin e tij kundër jush, ai do të ngatërrohet në kohën time.

Prandaj, i mbani urdhërimet e mia; ato janë të vërteta dhe besnike.”14

Mësime në Shkrimet e Shenjta

Shkrimet e shenjta janë plot me shembuj profetësh që i kanë marrë mësimet e bindjes nga përvoja e tyre vetjake.

Jozef Smithit iu mësuan pasojat e dorëzimit ndaj trysnisë së mirëbërësit, mikut dhe shkruesit të tij, Martin Harrisit. Në përgjigje të lutjeve të Martinit, Jozefi i kërkoi leje Zotit që t’ia jepte hua 116 faqet e para të dorëshkrimit të Librit të Mormonit, që Martini të mund t’ia tregonte ato familjes së tij, por Zoti i tha Jozefit të thoshte jo. Martini iu lut Jozefit ta pyeste Zotin përsëri. Pas kërkesës së tretë të Jozefit, Zoti u dha leje pesë njerëzve të caktuar që ta shqyrtonin dorëshkrimin. “Martini e lidhi veten me këtë marrëveshje me besëlidhjen më solemne të mundshme. Kur mbërriti në shtëpi dhe mbi të u ushtrua trysni, ai e harroi betimin e tij solemn dhe i lejoi të tjerët ta shikonin dorëshkrimin, me rezultatin që me anë të dredhive, dorëshkrimi i iku nga duart”15 dhe humbi. Për pasojë, Jozefi u qortua nga Zoti dhe iu hoq leja për ta vazhduar përkthimin e Librit të Mormonit. Jozefi vuajti dhe u pendua për shkeljen e tij që iu dorëzua trysnisë së të tjerëve. Pas një periudhe, Jozefi u lejua ta niste aty ku e kishte lënë punën e tij për përkthimin. Jozefi kishte marrë një mësim të vlefshëm bindjeje që i shërbeu për gjithë pjesën tjetër të jetës!

Profeti Moisi jep një shembull tjetër. Kur Moisiu mori me bindje një grua nga Etiopia, Miriami dhe Aaroni folën kundër tij. Por Zoti i qortoi ata duke thënë: “Me [Moisiun] unë flas sy për sy”16. Zoti e përdori këtë rast të jashtëzakonshëm për t’u dhënë mësim anëtarëve të Kishës në periudhën tonë ungjillore. Në vitin 1830, Hiram Pejxhi pretendoi se mori zbulesë për Kishën. Zoti e korrigjoi atë dhe u mësoi shenjtorëve: “Ti duhet t’u bindesh këtyre gjërave që unë i jap [Jozefit], sikurse edhe Aaroni”17, “sepse ai i merr ato, sikurse edhe Moisiu”18.

Bindja sjell bekime “dhe kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet”19.

Bindja na mësohet me anë të shembullit. Nga mënyra se si jetojmë, ne u mësojmë fëmijëve tanë: “Mëso urtësi në rininë tënde; po, mëso në rininë tënde të zbatosh urdhërimet e Perëndisë”20.

Bindja na bën gjithnjë e më të fortë, të aftë për të duruar me besnikëri prova dhe sprova në të ardhmen. Bindja në Gjetseman e përgatiti Shpëtimtarin që të bindej e të duronte deri në fund në Golgotë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, fjalët e Almës shprehin ndjenjat e zemrës sime:

“Dhe tani, vëllezërit e mi të dashur, unë jua kam thënë këto gjëra që të mund të zgjoj në ju ndjenjën e detyrës suaj ndaj Perëndisë, që ju të mund të ecni të pafajshëm para tij. …

Dhe tani unë do të doja që ju të jeni të përulur dhe të nënshtruar dhe të butë; … duke qenë të zellshëm në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë në të gjitha kohët.”21

Jap dëshminë time të veçantë se Shpëtimtari jeton. Për shkak se ai u bind, “çdo gju do të gjunjëzohet dhe çdo gjuhë do të pohojë … se ai është [Shpëtimtari ynë]”22. Paçim dashuri shumë të thellë për Të dhe besofshim tek Ai me besim aq plotësisht sa edhe ne të bindemi, t’i mbajmë urdhërimet e Tij e të kthehemi për të jetuar me Të përgjithmonë në mbretërinë e Perëndisë sonë, është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.