Lëreni Besimin Tuaj të Dalë në Pah
Nga dita në ditë, në shtegun tuaj drejt fatit tuaj të përjetshëm, shtojeni besimin tuaj. Shpalleni besimin tuaj! Lëreni besimin tuaj të dalë në pah!
Të dashur vëllezër e motra, ju shprehim ndjenjat tona më të thella të dashurisë dhe të mirënjohjes për ju. Ne jemi mirënjohës për detyrat tona ndër ju.
Në një fluturim të kohëve të fundit, piloti ynë njoftoi se gjatë uljes sonë do të ndesheshim me turbulencë dhe se të gjithë pasagjerët duhet t’i lidhnin mirë rripat e sigurimit. Sigurisht, turbulenca erdhi. Qe vërtet e fortë. Në anën tjetër të ndenjëseve dhe disa rreshta prapa meje, një grua të frikësuar e zuri paniku. Pas çdo rënieje frikësuese në lartësi dhe lëkundjeje tronditëse, ajo bërtiste fort. Bashkëshorti i saj u përpoq ta qetësonte, por pa rezultat. Britmat e saj histerike vazhduan derisa e kaluam atë zonë turbulence dhe u ulëm të sigurt në tokë. Gjatë periudhës së saj të ankthit, ndjeva keqardhje për të. Duke qenë se besimi është kundërhelmi për frikën, në heshtje dëshirova që të mund t’ia kisha forcuar besimin.
Më vonë, teksa pasagjerët po dilnin nga aeroplani, bashkëshorti i kësaj gruaje më foli. Ai tha: “Më vjen keq që ime shoqe ishte kaq e tmerruar. E vetmja mënyrë se si mund ta qetësoja ishte që t’i thosha se: ‘Plaku Nelson është në këtë fluturim, kështu që s’ka nevojë të shqetësohesh’.”
Nuk jam i sigurt nëse prania ime në atë fluturim duhet t’i kishte dhënë asaj ndonjë ngushëllim, por do të them se një nga realitetet e jetës në vdekshmëri është që besimi ynë do të sprovohet e do të sfidohet. Ndonjëherë ato sprova vijnë ndërsa hasim ato që duken të jenë përballje për jetë a vdekje. Për këtë grua të frikësuar, një aeroplan me lëkundje të vrullshme përfaqësonte një nga ato çastet kur ne vihemi ballë për ballë me forcën e besimit tonë.
Kur flasim për besimin – besimin që mund të lëvizë malet – nuk jemi duke folur për besimin në përgjithësi, por për besimin në Zotin Jezu Krisht. Besimi në Zotin Jezu Krisht mund të përforcohet kur mësojmë për Të dhe e jetojmë fenë tonë. Doktrina e Jezu Krishtit u krijua nga Zoti për të na ndihmuar të shtonim besimin tonë. Në gjuhën e përditshme të sotme, sidoqoftë, fjala fe mund të ketë kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm.
Fjala fe në kuptimin e plotë të fjalës do të thotë “të kapesh përsëri” ose “të lidhesh sërish” te Perëndia.1 Pyetja që mund t’i bëjmë vetes, është: a jemi lidhur në mënyrë të sigurt te Perëndia kështu që besimi ynë del në pah, apo jemi lidhur në të vërtetë te diçka tjetër? Për shembull, të hënave në mëngjes më ka kapur veshi biseda rreth lojërave sportive profesioniste që ishin zhvilluar të dielën e mëparshme. Për disa prej këtyre sportdashësve të etur, kam pyetur veten nëse “feja” e tyre do t’i “lidhte” ata vetëm te gjëra që kanë lidhje me sportin.
Secili nga ne mund ta pyesë veten, ku qëndron besimi ynë? A qëndron te një skuadër? A qëndron te një markë? A qëndron te një njeri i famshëm? Edhe skuadrat më të mira mund të mos ia dalin. Njerëzit e famshëm mund të veniten. Ka vetëm një Njeri tek i cili besimi juaj është gjithmonë i sigurt, dhe është te Zoti Jezu Krisht. Dhe ju duhet ta lini besimin tuaj të dalë në pah!
Perëndia shpalli tek i pari i Dhjetë Urdhërimeve të Tij: “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje”2. Ai gjithashtu tha: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë”3. Prapëseprapë, kaq shumë njerëz shikojnë vetëm te gjendja e llogarisë së tyre bankare për paqe ose te bashkëqeniet njerëzore për shembuj që t’i ndjekin.
Doktorët, akademikët dhe politikanët shpesh vihen para një prove të besimit. Në ndjekje të qëllimeve të tyre, a do të dalë në pah feja e tyre apo do të fshihet ajo? A janë lidhur sërish te Perëndia apo te njeriu?
Unë pata një sprovë të tillë dekada më parë kur një prej kolegëve të mi të trupës mjekësore më qortoi që nuk arrija ta veçoja njohurinë time profesionale nga bindjet e mia fetare. Ai kërkoi që të mos i ndërthurja me njëra-tjetrën. Si mund ta bëja atë? E vërteta është e vërtetë! Ajo nuk është e ndashme dhe asnjë pjesë e saj nuk mund të lihet mënjanë.
Qoftë nëse e vërteta rrjedh prej një laboratori shkencor apo nëpërmjet zbulesës, e gjithë e vërteta buron nga Perëndia. E gjithë e vërteta është pjesë e ungjillit të Jezu Krishtit.4 Por, po më kërkohej të fshihja besimin tim. Unë nuk u pajtova me kërkesën e kolegut tim. E lashë besimin tim të dilte në pah!
Në të gjitha orvatjet profesionale kërkohen standarde të rrepta përpikërie. Studiuesit e çmojnë fort lirinë e tyre të shprehjes. Por liria e plotë nuk mund të përjetohet nëse një pjesë e njohurisë së një personi shpallet si “jashtë kufijve” prej rregullave të njerëzve.
E vërteta shpirtërore nuk mund të shpërfillet – veçanërisht urdhërimet hyjnore. Mbajtja e urdhërimeve hyjnore sjell bekime, çdo herë! Shkelja e urdhërimeve hyjnore sjell humbje të bekimeve, çdo herë!5
Problemet gëlojnë në këtë botë ngaqë ajo është e mbushur me njerëz të papërsosur. Synimet dhe dëshirat e tyre ndikohen thellë nga besimi i tyre ose nga mungesa e besimit. Shumë njerëz vënë përparësi të tjera përpara Perëndisë. Disa e sfidojnë lidhjen e fesë me jetën moderne. Si në çdo epokë, po kështu sot ka nga ata që e përqeshin ose e dënojnë ushtrimin e lirë të fesë. Disa madje e fajësojnë fenë për një numër të të këqijave në botë. Pa dyshim, ka pasur raste kur mizori janë kryer në emër të fesë. Por të jetuarit e fesë së pastër të Zotit, që do të thotë të përpiqesh të bëhesh dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit, është një mënyrë të jetuari dhe një zotim i përditshëm që do të sigurojnë udhëheqje hyjnore. Ndërsa e përdorni fenë tuaj, ju po ushtroni besimin tuaj. Ju po e lini besimin tuaj të dalë në pah.
Zoti e dinte që fëmijëve të Tij do t’ju duhej të mësonin se si ta gjenin Atë. “Sepse e ngushtuar është porta”, tha Ai, “dhe e ngushtë është udha që çon në ekzaltim … , dhe pak janë ata që e gjejnë atë.”6
Shkrimet e shenjta sigurojnë një nga mënyrat më të mira për ta gjetur udhën tonë dhe për të qëndruar në të. Njohuria për shkrimet e shenjta siguron mbrojtje të çmuar gjithashtu. Për shembull, gjatë gjithë historisë, infeksione si “ethja e lindjes” morën jetën e shumë nënave dhe foshnjave të pafajshme. Prapëseprapë, Dhiata e Vjetër i kishte parimet e sakta të të vepruarit me pacientët e infektuar, të shkruara mbi 3.000 vjet më parë!7 Shumë njerëz u shuan pasi kërkimi i njeriut për njohuri nuk arriti t’ia vinte veshin fjalës së Zotit!
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, çfarë na mungon në jetën tonë nëse po “mësoj[më] gjithnjë, [por] kurrë nuk mund të arrij[më] në njohjen e plotë të së vërtetës”8? Ne mund të fitojmë njohuri të mrekullueshme nga shkrimet e shenjta dhe të marrim frymëzim nëpërmjet lutjeve të besimit.
Të vepruarit në këtë mënyrë do të na ndihmojë ndërsa marrim vendime të përditshme. Veçanërisht kur ligjet e njeriut krijohen dhe vihen në zbatim, ligjet e Perëndisë duhet të jenë gjithmonë standardi ynë. Kur përballemi me çështje të diskutueshme, ne duhet së pari të kërkojmë udhëheqjen e Perëndisë.
Ne duhet “[t’i] përshta[tim] të gjitha shkrimet e shenjta për ne … për përfitimin dhe mësimin tonë”9. Rreziku ngre pritë kur ne përpiqemi ta veçojmë veten me shprehje të tilla si “jeta ime personale” ose madje “sjellja ime më e mirë”. Nëse dikush përpiqet ta ndajë jetën e vet në pjesë të tilla të veçuara, ai njeri nuk do të ngrihet kurrë në lartësinë e duhur të integritetit të vet personal – për të mos u bërë kurrë gjithçka që vetja e tij apo e saj e vërtetë mund të jetë.
Tundimi për të qenë njeri me popullaritet mund t’i japë përparësi opinionit publik përpara fjalës së Perëndisë. Fushatat politike dhe strategjitë e marketingut përdorin gjerësisht sondazhe të opinionit publik për të zhvilluar planet e tyre. Rezultatet e atyre sondazheve janë informative. Por vështirë se mund të përdoren si bazë për të shfajësuar mosbindjen ndaj urdhërimeve të Perëndisë! Edhe nëse “gjithkush po e bën atë”, e gabuara kurrë nuk është e drejtë. Ligësia, gabimi dhe terri nuk do të jenë kurrë e vërteta, edhe nëse gëzojnë popullaritet. Një paralajmërim nga shkrimi i shenjtë shpall këtë: “Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr”10.
Pas Luftës I Botërore, një këngë disi provokuese fitoi popullaritet. Duke nxitur pamoralshmërinë, ajo bënte be që 50 milionë njerëz nuk mund ta kenë gabim. Por në të vërtetë, 50 milionë njerëz mund ta kenë gabim – plotësisht gabim. Pamoralshmëria është ende pamoralshmëri në sytë e Perëndisë, i cili një ditë do t’i gjykojë të gjitha veprat dhe dëshirat tona.11
Krahasojeni frikën dhe mosbesimin kaq të përhapur në botë sot me besimin dhe kurajën e vajzës sime shumë të dashur, Emilisë, e cila tani jeton në anën tjetër të velit. Ndërsa jeta e vdekshme po e linte trupin e saj të pushtuar nga kanceri, ajo mezi mund të fliste. Por me një buzëqeshje në fytyrën e saj, ajo më tha: “Babi, mos u shqetëso për mua. E di se do të jem mirë!” Besimi i Emilisë po dilte në pah – po dilte në pah me shkëlqim – në atë çast të dhimbsur, pikërisht kur kishim më tepër nevojë për të.
Kjo nënë e re, e bukur e pesë fëmijëve kishte besim të plotë tek Ati i saj Qiellor, te plani i Tij dhe te mirëqenia e përjetshme e familjes së saj. Ajo në mënyrë të sigurt ishte lidhur sërish te Perëndia. Ajo qe plotësisht besnike ndaj besëlidhjeve të bëra me Zotin dhe me bashkëshortin e saj. Ajo i donte fëmijët e saj, por ishte në paqe, pavarësisht nga ndarja e pashmangshme prej tyre. Ajo kishte besim tek e ardhmja e saj dhe gjithashtu tek e ardhmja e tyre, ngaqë kishte besim tek Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij.
Në vitin 1986, Presidenti Tomas S. Monson tha: “Sigurisht të gjithë përballemi me frikë, provojmë tallje dhe hasim kundërshtim. Paçim guximin për t’iu kundërvënë miratimit të përgjithshëm, guximin për t’i mbrojtur parimet. Guximi, jo kompromisi, e sjell buzëqeshjen e miratimit të Perëndisë. … Mbani mend se të gjithë njerëzit kanë frikë, por edhe ata që përballen me frikën e vet me [besim] kanë guxim.”12
Këshilla e Presidentit Monson qëndron përjetë! Kështu që ju lutem, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura: Nga dita në ditë, në shtegun tuaj drejt fatit tuaj të përjetshëm, shtojeni besimin tuaj. Shpalleni besimin tuaj! Lëreni besimin tuaj të dalë në pah!13
Unë lutem që në mënyrë të sigurt do të lidheni sërish te Perëndia, që të vërtetat e Tij të përjetshme do të skaliten në zemrën tuaj përgjithmonë. Dhe unë lutem që, gjatë gjithë jetës suaj, ju do ta lini besimin tuaj të dalë në pah! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.