Mesazhi i Presidencës së Parë
Bërja Dishepuj të Vërtetë
Në çdo mbledhje sakramenti, ne kemi privilegjin t’i premtojmë Atit Qiellor se ne do ta kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin dhe do t’i zbatojmë urdhërimet e Tij që të mund të kemi Shpirtin e Tij me ne (shih Moroni 4:3; 5:2; DeB 20:77, 79). Të kujtuarit e Shpëtimtarit do të na ndodhë përherë natyrshëm teksa e marrim mbi vete emrin e Tij. Ne e bëjmë atë në shumë mënyra, por veçanërisht kur u shërbejmë të tjerëve në emrin e Tij, i lexojmë fjalët e Tij të shenjta dhe lutemi që të dimë atë që Ai do të donte që ne të bënim.
Ajo për mua ndodhi kur kreva pagëzimin e një të riu. E dija se isha thirrur nga shërbëtorët e shuguruar të Shpëtimtarit si misionar për të dhënë mësim ungjillin e Tij dhe për të dëshmuar për Të dhe për Kishën e Tij të vërtetë. Unë dhe shoku im misionar i kishim premtuar të riut se ai do të pastrohej nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Jezu Krishtit, ndërsa pendohej me besim te Shpëtimtari dhe pagëzohej nga një prej shërbëtorëve të Tij të autorizuar.
Teksa e ngrita të riun nga ujërat e vaskës së pagëzimit, ai më pëshpëriti në vesh: “Unë jam i pastër, unë jam i pastër”. Në atë çast m’u kujtua pagëzimi i Shpëtimtarit nga Gjon Pagëzori në lumin Jordan. Për më tepër, m’u kujtua se po bëja punën shpëtuese të një Shpëtimtari të ringjallur dhe të gjallë – i ndihmuar nga Fryma e Shenjtë, ashtu si Gjoni.
Për mua dhe për secilin prej nesh, të kujtuarit e Shpëtimtarit mund të jetë më shumë sesa të mbështeturit te një kujtesë e njohurisë dhe përvojave tona me Të. Ne, çdo ditë, mund të bëjmë zgjedhje që na afrojnë më shumë me Të, pikërisht tani.
Zgjedhja më e thjeshtë mund të jetë të lexuarit e shkrimeve të shenjta. Duke e bërë atë, ne mund të fitojmë ndjenjat e të qenit afër Tij. Për mua, afërsia vjen më së shpeshti kur lexoj nga Libri i Mormonit. Minutat e para tek lexoj nga kapitujt e 2 Nefit, unë dëgjoj në mendjen time zërat e Nefit dhe Lehit që e përshkruajnë Shpëtimtarin sikur ta njihnin Atë personalisht. Një ndjenjë afërsie rrjedh.
Vende të tjera në shkrimin e shenjtë mund t’ju tërheqin ju në mënyrë të veçantë drejt Tij. Por kurdo dhe kudo që e lexoni fjalën e Perëndisë, me qëllim të përulur e të sinqertë për ta kujtuar Shpëtimtarin, ju do të shtoni dëshirën tuaj për ta marrë mbi vete emrin e Tij në jetën tuaj të përditshme.
Ajo dëshirë do ta ndryshojë mënyrën si shërbeni në Kishën e Zotit. Ju do t’i luteni Atit Qiellor për ndihmë në lartësimin qoftë edhe të një thirrjeje që ju duket e parëndësishme. Ndihma që do të kërkoni, është aftësia për ta harruar veten dhe për t’u përqendruar më shumë tek ajo që dëshiron Shpëtimtari për ata të cilët jeni thirrur t’u shërbeni.
Unë e kam ndier dorën e Tij dhe afërsinë e Tij në shërbimin tim me fëmijët tanë kur lutesha për të ditur se si t’i ndihmoja të gjenin paqen që vetëm ungjilli e sjell. Në çaste të tilla, unë shqetësohesha pak rreth të dukurit prind i suksesshëm, por shqetësohesha fort për suksesin dhe mirëqenien e fëmijëve të mi.
Dëshira për t’u dhënë atyre, të cilëve u shërbejmë, atë që Shpëtimtari do t’u jepte atyre, çon në lutje që janë një përgjërim drejtuar Atit Qiellor, me të vërtetë në emrin e Jezu Krishtit. Kur lutemi në atë mënyrë – në emrin e Shpëtimtarit, me besim në Të – Ati përgjigjet. Ai dërgon Frymën e Shenjtë për të na udhërrëfyer, ngushëlluar dhe për të na dhënë zemër. Ngaqë Shpirti përherë jep dëshmi për Shpëtimtarin (shih 3 Nefi 11:32, 36; 28:11; Ethëri 12:41), aftësia jonë për ta dashur Zotin me gjithë zemrën, mendjen dhe forcën tonë, rritet (shih Marku 12:30; Lluka 10:27; DeB 59:5).
Bekimet e të kujtuarit të përditshëm dhe aktiv do të vijnë në mënyrë të ngadaltë e të qëndrueshme ndërsa i shërbejmë Atij, ushqehemi me bollëk me fjalën e Tij dhe lutemi me besim në emrin e Tij. Dhe një i kujtuar i tillë do të na formojë për t’u bërë dishepuj të vërtetë të Zotit Jezu Krisht në mbretërinë e Tij në këtë tokë – dhe më vonë me Atin e Tij në botën e lavdishme që do të vijë.