Pesë Mësime për Të Rinjtë në Moshë Madhore nga Apostujt e Rinj
Çfarë mund të mësojmë sot nga përvoja e Apostujve të parë të Rivendosjes?
Ata ishin midis moshave 23 dhe 35 vjeç, prapëseprapë ndihmuan në ndryshimin e botës. Apostujt e parë të Kishës së rivendosur ishin të rinj në moshë. Disa u ndien të papërshtatshëm. Disa bënë gabime. Por ata të gjithë sollën një ndryshim. Ja pesë mësime që mund t’i mësojmë nga përvoja e tyre.
1. Nuk Ju Duhet të Ndiheni Mjaft të Mirë që të Jeni Mjaft të Mirë
Hibër C. Kimballi u ndie i papërshtatshëm kur mori thirrjen e tij në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve në shkurt të vitit 1835. Ai kishte qenë në Kishë për më pak se tre vjet dhe ishte vetëm 33 vjeç.
“Ishte shumë më tepër nga ç’e prisja”, tregoi Hibëri më vonë.1 Por ishte i gatshëm ta pranonte thirrjen dhe, në bekimin e tij të shugurimit, atij iu tha “se shumë miliona njerëzish” do të “ktheheshin në besim nëpërmjet ndihmesës së tij”2.
Si Apostull ai shërbeu dy misione tepër të suksesshme në Angli. Ai ktheu në besim një mori individësh, pasardhësit e të cilëve mund të numërohen fare mirë në miliona veta sot. Për Hibërin, ecja përpara edhe kur e ndiente se kishte pak për të dhënë, e bekoi atë dhe shumë të tjerë.
2. Ne Përcaktohemi nga Vendimet, Jo nga Rrethanat
Tomas B. Marshi u largua nga shtëpia në Nju-Hempshër në moshën 14-vjeçare. Ai punoi si krah pune në një fermë në Vermont, si kamerier në Albani të Nju-Jorkut, në një hotel në Nju-Jork-Siti dhe më pas si shërbëtor në Long-Ajlënd. Rrethanat e tij ishin të paqëndrueshme derisa u takua dhe u martua me Elizabeta Gadkinin.
Ai dhe Elizabeta më së fundi u udhëhoqën nga Shpirti drejt Nju-Jorkut perëndimor. Atje, ata dëgjuan rreth Librit të Mormonit. Tomasi pa kopje të 16 faqeve të para teksa dolën nga shtypshkronja dhe botuesi e lejoi që ta lexonte fletën e redaktuar. Duke besuar që libri ishte nga Perëndia, Tomasi zgjodhi të bashkohej me Kishën. Ai u pagëzua më 3 shtator 1830.3
Tomasi e predikoi ungjillin në zona të ndryshme. Ai duroi mundime kur shenjtorët u dëbuan nga konteja Xhekson në Misuri, në nëntor të vitit 1833. Ishte një anëtar fillestar i këshillit të lartë në Misuri, kur ai u organizua në korrik të vitit 1834. Pas thirrjes së tij si Apostull në moshën 34-vjeçare, ai shërbeu si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Edhe pse e kishte mbrojtur me zell Jozef Smithin kundrejt kundërshtarëve në të shkuarën, Tomasi vetë u bë më pas i zhgënjyer. Në vitin 1838 ai zgjodhi të largohej nga Kisha.4
Nga Tomas Marshi mund të mësojmë se rrethanat e paqëndrueshme nuk duhet të na mbajnë larg nga bekimet e ungjillit – ose nga bekimi i jetëve të të tjerëve.
3. Jini të Kujdesshëm: Askush Nuk Është Tepër i Mirë sa të Mos Bjerë
Lajmën Xhonsoni ishte më i riu i atyre që u thirrën – 23 vjeç e katër muaj në atë kohë. Ai ishte shuguruar prift i lartë vetëm pak ditë pasi mbushi 20 vjeç në vitin 1831 dhe tashmë kishte shërbyer në disa misione për Kishën. Ndërkohë që ishte në njërin prej këtyre misioneve, ai bëri një predikim që mbahet mend se ishte “njëra nga dëshmitë më të fuqishme për sa i përket misionit të Jozef Smithit dhe punës së madhërishme të ditëve të fundit”5.
Për fat të keq, shërbimi i Lajmënit si Apostull nuk zgjati shumë. Gjatë trazirës ekonomike në Kirtland të Ohajos, në vitin 1837, ai u kthye kundër Jozef Smithit. Lajmëni u shkishërua në vitin 1838.
Pavarësisht se sa mirë mund të predikonte, pavarësisht se çfarë detyre mbajti në Kishë, Lajmëni prapëseprapë u largua. Brigam Jangu tha që Lajmëni më vonë e pranoi se dëshironte që ende të mund të besonte në ungjillin: “Isha plot gëzim dhe kënaqësi. … Isha i lumtur ditën dhe natën. … Por tani është errësirë, dhembje, hidhërim, mjerim i skajshëm.”6
4. Bindja Nuk Garanton Lehtësi, por ia Vlen
Pasi Parli P. Prati u shugurua Apostull, Oliver Kaudëri, njëri prej atyre që u caktuan të ndihmonin në përzgjedhjen e Apostujve, i ngarkoi Parlit një detyrë të veçantë, duke thënë se ai do të “haste të njëjtat vështirësi në përmbushjen e kësaj shërbese, që i kishin pasur Apostujt e lashtë”. Ai tha që Parli do të ndeshej me “biruca të rënda dhe burgje të zymtë”, por rrethana të tilla nuk duhej ta frikësonin, ngaqë sprovat do ta bënin të aftë “të merrte lavdinë” që Zoti e kishte ruajtur për të.7
Jeta e Parlit e ndoqi atë model. Me raste ai u përball me një varfëri dërrmuese. Përjetoi tallje teksa predikonte ungjillin. U burgos në vitet 1838 e 1839 për akuza që erdhën si rrjedhojë e vështirësive me të cilat u përballën anëtarët e Kishës në Misuri. Prapëseprapë Parli i përjetoi edhe bekimet që kishte premtuar Oliveri. Jo shumë kohë pasi u lirua nga burgu, ai shkroi: “Jemi mirë dhe kemi përparuar shumë në Zotin, pas gjithë mundimit tonë”8.
5. Mosha Nuk Ka po aq Rëndësi sa Besimi
Orson Prati, vëllai i Parlit, ishte Apostulli i dytë më i ri në moshë. I shuguruar në moshën 23-vjeçare, ai ishte vetëm pak javë më i madh në moshë sesa Lajmën Xhonsoni. Shërbimi që Orsoni tashmë ia kishte dhënë Kishës, jep një shembull të shkëlqyer se si të rinjtë në moshë madhore mund të jenë një forcë për mirë.
Orsoni u pagëzua më 19 shtator 1830 – në ditëlindjen e tij të 19-të. Pak kohë më pas, Jozef Smithi mori një zbulesë për të dhe tha se Orsoni ishte biri i Perëndisë, se ai u bekua ngaqë besoi dhe se përgjegjësia e tij ishte të predikonte ungjillin (shih DeB 34:3–6). Në përputhje me këtë, Orsoni shërbeu misione të shumta, përfshirë një me Lajmën Xhonsonin në vitin 1832, në të cilin ata pagëzuan gati 100 individë dhe shuguruan disa pleq.
Kur Orsoni u thirr si Apostull, ai nuk ishte në Kirtland. Më 23 prill 1835, në qytetin e Kolombusit, ai mësoi se kërkohej prania e tij në një mbledhje në Kirtland më 26 prill.
Pa e ditur qëllimin e mbledhjes, ai menjëherë u nis për atje. Pa e ditur se ishte thirrur si Apostull, ai hyri ndërsa bashkësia po “lutej dhe po shprehte dëshirën për mbërritjen e tij”9. Duke e ndier përkrahjen e shenjtorëve, Orsoni e pranoi thirrjen e tij.
Si Apostull, ai përgatiti një broshurë që përmbante rrëfimin më të hershëm, të shtypur, të Vegimit të Parë të Jozef Smithit. Si pionier në vitin 1847, ai mbajti një anal të hollësishëm të udhëtimit drejt perëndimit. Ai shkroi edhe shumë broshura për misionarët dhe ishte mbrojtës i fortë i Librit të Mormonit.
Sot Është Ndryshe … ose a Është Vërtet?
Në shumë mënyra, të rinjtë në moshë madhore janë të ndryshëm sot nga ata që ishin në vitin 1835. Dhe prapëseprapë këto mësime mund t’i ndihmojnë të rinjtë në moshë madhore sot në përpjekjet e tyre që të jetojnë sipas potencialit të tyre. Ja një përmbledhje:
-
Nëse ndiheni të papërshtatshëm, ecni përpara gjithsesi.
-
Çdo njeri ka sfida. Ju mund t’i mposhtni sfidat tuaja.
-
Do të jeni më të lumtur nëse qëndroni aktivë në Kishë.
-
Qëndroni të zotuar. Jini të bindur e besnikë. Bekimet do të vijnë.
-
Keni diçka të rëndësishme për ta dhënë. Zoti e ka vënë besimin te ju.