Përgjigje nga Udhëheqës të Kishës
Si ta Dini Vetë
Nga një ngjarje Ballë për Ballë e marsit 2017 me Presidentin Henri B. Ajring dhe Plakun Xhefri R. Holland.
Miqtë tanë të dashur të rinj, dëshira jonë për secilin prej jush është që ju të mund ta dini për vete, të pavarur nga çdokush tjetër, se Perëndia i qiellit është i vërtetë, se Ai ju njeh dhe se Biri i Tij ka shlyer për mëkatet e botës.
Shpresa jonë është që ju do të fitoni për vete një dëshmi të patundur se ungjilli i Jezu Krishtit është rivendosur në tokë për herë të fundit. Misioni i Jozef Smithit qe unik, prapëseprapë lutja e tij e përulur është një model i dobishëm për mua dhe për ju. Jozefi u nis drejt korijes të lutej me besim se një Perëndi i dashur do t’i përgjigjej lutjes së tij dhe do ta lehtësonte pështjellimin e tij. Ai e fitoi atë siguri duke e lexuar fjalën e Perëndisë dhe duke marrë dëshmi se ajo qe e vërtetë. Jozefi gjithashtu u lut me qëllimin jo vetëm për të dëgjuar, por për t’u bindur me çdo çmim. Ai qe zotuar të vepronte në përputhje me çfarëdo që Perëndia do t’i komunikonte atij.
Në atë frymë, do të doja t’i bëja një sfidë rinisë së Kishës. Sfida është kjo: ejani ta dini vetë se këto gjëra janë të vërteta. Ju mund ta bëni këtë duke ndjekur shembullin e Jozef Smithit: studiojini shkrimet e shenjta, lërini fjalët të futen thellë në zemrën tuaj, reflektoni për to vazhdimisht dhe pastaj kërkojini Perëndisë, me gatishmërinë për ta pranuar udhërrëfimin e Tij – me të vërtetë, u bëftë vullneti i Tij.
Ndërkohë që kjo sfidë mund të duket si një ftesë e thjeshtë, unë ju premtoj se mund të kërkojë përpjekje të rëndësishme. Unë nuk mund të premtoj se përgjigjet tuaja do të vijnë brenda një dite apo jave, por unë mund të premtoj se Perëndia do t’ju flasë në vetë mënyrën e Tij dhe në vetë kohën e Tij, nëse kërkoni me besim. Ndërsa e pranoni dhe veproni sipas kësaj ftese, do të zbuloni që jo vetëm përgjigjet do të vijnë, por ju gjithashtu do të krijoni një model për fitimin e njohurisë shpirtërore që do t’ju bekojë për gjithë pjesën tjetër të jetës suaj.