Gjetja e Ndihmës pas Vdekjes së Nensit
Autori jeton në Xhorxhia, SHBA.
Çfarë nevojitej të bëja me qëllim që të aktivizoja fuqinë shëruese të Jezu Krishtit në jetën time?
Në shkurt të vitit 2016, bashkëshortja ime, Nensi, ndërroi jetë pas një beteje 11-vjeçare me kancerin e gjirit. Pikëllimin dërrmues që e ndjeva gjatë muajve të parë pasi vdiq ajo, do të ishte e pamundur t’ia shpjegoja dikujt që nuk e ka përjetuar këtë lloj humbjeje. Hidhërim, ankth, mjerim, dhembje – asnjë prej këtyre fjalëve nuk do ta shpjegonte siç duhet. Ishte i padurueshëm.
Fuqia Shëruese e Shpëtimtarit
E kam kuptuar prej kohësh që Jezu Krishti “zbriti nën gjithçka” (DeB 88:6) kështu që Ai do të jetë në gjendje “të ndihmojë [të japë lehtësim për] popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:12). Kjo do të thotë që fuqia e Shlyerjes së Shpëtimtarit shtrihet përtej sigurisë për Ringjalljen dhe për shëlbimin nga mëkatet. Nëpërmjet kësaj fuqie, Ai gjithashtu mund të na shërojë në kohën tonë të vuajtjes dhe nevojës. Në pikëllimin tim, unë me ngut – pothuajse furishëm – u përpoqa të mësoja se çfarë më nevojitej të bëja që ta aktivizoja këtë aspekt të fuqisë së Shpëtimtarit në jetën time. Për javë të tëra i hetova shkrimet e shenjta dhe bisedat nga Autoritetet e Përgjithshme të Kishës. Sinqerisht besoja që, me çmimin e dhembjes së madhe dhe të flijimit të Vetvetes, Shpëtimtari e njihte dhembjen që po përjetoja unë. Por si më ndihmoi mua ajo njohje e Tij? Ngaqë Ai e vuajti këtë për mua, çfarë më nevojitej të bëja për të marrë ndihmën që Ai, për këtë arsye, e di se si ta japë?
Pas shumë hetimi, studimi, lutjeje dhe adhurimi në tempull, fillova të kuptoja. Para së gjithash, fillova të shoh më qartë se Zoti tashmë e kishte ndihmuar, ngushëlluar dhe përkrahur familjen tonë, veçanërisht në javët përpara vdekjes së Nensit. Pati përvoja të mrekullueshme shpirtërore që tani i dalloj të jenë bekime që vijnë nga fuqia shëruese dhe forcuese, e gjindshme për ne për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit. Dhe thjesht njohja që Shpëtimtari tashmë po tregonte kujdes për ne në një mënyrë shumë individuale, ishte, në vetvete, pafundësisht ngushëlluese. Sikurse Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja i lashtësisë, Ai ka qenë me ne në “furrën e ndezur” (Daniel 3:17) të vuajtjes sonë.
Mirëbesimi te Zoti
Gjithashtu mësova se ka disa gjëra që kërkohen prej nesh me qëllim që të marrim ngushëllimin dhe shërimin nga Zoti. Më e rëndësishmja, ne duhet të mirëbesojmë tek Ai. Ajo mund të jetë diçka e vështirë për t’u bërë. Përse duhet të mirëbesoj te Perëndia kur Ai së pari mund ta kishte parandaluar vdekjen e Nensit? Në përgjigje të kësaj pyetjeje, vazhdimisht përsiat diçka që Zoti ia tha Profetit Jozef Smith:
“Ju nuk mund të shihni me sytë tuaj natyrorë, në këtë kohë, planin e Perëndisë tuaj lidhur me ato gjëra që do të vijnë më pas dhe me lavdinë që do të pasojë pas shumë mundimesh” (DeB 58:3).
Ne u bekuam me shumë shenja që mënyra dhe koha e vdekjes së Nensit ishin në përputhje me vullnetin e Zotit. Kam arritur të kuptoj se një Atë i gjithëdijshëm dhe i dashur na ka lejuar t’i vuajmë këto gjëra ngaqë, në planin e Tij të përsosur për ekzaltimin e familjes sonë, kjo vuajtje në njëfarë mënyre është e domosdoshme. Duke e ditur këtë, unë e kuptoj se pjesa ime në planin e Tij është që jo vetëm ta duroj atë, por ta “duro[j] mirë” (DeB 121:8). Për aq sa unë mund t’ia përkushtoj këtë mundim Atij, jo vetëm që do të ndihmohem, por edhe do të shenjtërohem. Tashmë e kam përjetuar këtë në shumë mënyra.
I kam këshilluar fëmijët tanë të bëjnë atë që e kam mësuar vetë në këtë proces:
-
Lëreni dhembjen e përvojave të vështira që t’ju nxitë drejt dishepullimit më të madh.
-
Hapeni zemrën tuaj në lutje.
-
Nëse ndieni zemërim kundrejt Perëndisë që i lejoi tragjeditë të ndodhin, lutjuni Atij që ta zëvendësojë atë zemërim me besim e nënshtrim.
-
Besëlidhni që do ta doni Atë dhe do të jeni besnikë deri në fund.
-
Pini nga fjala e Perëndisë vazhdimisht – nga shkrimet e shenjta, nga bisedat dhe shkrimet e profetëve bashkëkohorë dhe të mësuesve të frymëzuar.
-
Shkoni në tempull me një uri që t’ju mësohen gjërat e përjetësisë.
-
Gjeni njerëz për të cilët një krizë vetjake po bëhet një krizë besimi dhe forcojini me dëshminë tuaj për këto doktrina.
Një Dëshmi Apostolike
Gati një muaj pas vdekjes së Nensit, erdhi një natë kur pikëllimi që ndjeva, ishte tërësisht dërrmues. Kisha qenë në dhembje dhe hidhërim shumë të thellë tërë atë ditë. M’u kujtua Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke na mësuar se “shtegu i shpëtimit gjithmonë ka kaluar … përmes Gjetsemanit”1. Edhe pse vuajtja ime nuk mund të krahasohet me vuajtjen e Shpëtimtarit, atë natë unë isha mes vetë “orëve [të mia] të errëta dhe të hidhura”2.
Pasi e përjetova këtë për njëfarë kohe dhe pasi u luta për ndihmë, më erdhi në mendje diçka që e kisha lexuar dhe shënuar në kompjuterin tim disa vite më parë. E gjeta dokumentin dhe e kalova me të shpejtë deri tek ajo që po kërkoja. Ishte një intervistë me Plakun Riçard G. Skot, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (1928–2015), në të cilën e pyetën rreth humbjes së bashkëshortes së tij, Xheninës, prej kancerit në vitin 1995. Plaku Skot u përgjigj: “Para së gjithash, … nuk e humba atë. Ajo është në anën tjetër të velit. Ne jemi të vulosur në atë ordinancë të shenjtë të tempullit dhe do të jemi së bashku përgjithmonë.”3
Atë natë ato fjalë më erdhën me një fuqi që nuk e kisha ndier kurrë më parë. Ishte sikurse feneri i një fari të ndizej në një natë të errët. Nuk kam lexuar kurrë diçka që pati mbi mua një ndikim të tillë, të papritur e të thellë. Errësira dhe dhembja u larguan. Ishte sikurse Alma kur ai nuk mund “t’i kujto[nte] më dhembjet e [tij]” (Alma 36:19). Kjo dëshmi apostolike më përshkoi deri në zemër. U mahnita që një koncept që e kisha kuptuar që nga fëmijëria, papritur mund të më dukej kaq mbresëlënës. E gjeta veten duke vrarë mendjen se si ishte e mundur që Plaku Skot mund ta dinte diçka të tillë. Dhe në çast e kuptova se edhe unë e di atë. Nëse jam besnik, unë mund të kem të gjithë shpresën që e pati Plaku Skot. Ndërkohë që sigurisht ka pasur trishtim dhe vajtim që atëherë, unë nuk i kam ndier kurrë përsëri thellësitë e dhembjes dhe të hidhërimit që i përjetova atë natë.
Kjo është fuqia që Shpëtimtari na e shtrin për të na ndihmuar gjatë sprovave tona. E di se pikëllimi i familjes sonë nuk do të largohet kurrë tërësisht, por ai bëhet i përfshirë brenda atyre që janë quajtur bekimet “forcuese” dhe “përsosëse” të Shlyerjes së Shpëtimtarit.4 Ne i jemi afruar Shpëtimtarit, e kemi ndier sigurimin prej Tij dhe jemi mbështetur nga themeli i sigurt i besëlidhjeve tona.