2017
Përpos lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta, cila është mënyra më e mirë për ta forcuar dëshminë time?
Tetor 2017


Pyetje & Përgjigje

“Përpos lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta, cila është mënyra më e mirë për ta forcuar dëshminë time?”

Dëshmia juaj me shumë gjasë nuk do të vijë e tëra njëherësh. Ajo do të rritet përvojë shpirtërore pas përvoje shpirtërore – ashtu siç thonë shkrimet e shenjta: “Rresht pas rreshti, parim pas parimi” (2 Nefi 28:30). Ju atëherë duhet ta ushqeni dhe forconi dëshminë tuaj, ashtu si një farë që rritet (shih Alma 32:28–43). Dhe sikurse një bimë nuk mund të mbijetojë vetëm me ujë, po ashtu nuk ka vetëm një mënyrë “më të mirë” për ta forcuar dëshminë tuaj. Ju duhet një gërshetim mënyrash.

Lutja dhe studimi i shkrimit të shenjtë janë pa dyshim mënyra të mira për ta ushqyer dëshminë tuaj. Ndërsa e studioni ungjillin dhe luteni me qëllim të sinqertë për ta ditur se diçka është e vërtetë, Fryma e Shenjtë do t’ju ndihmojë ta ndieni të vërtetën e ungjillit (shih Moroni 10:4–5).

Ju gjithashtu mund ta forconi dëshminë tuaj duke i mbajtur urdhërimet. Kur e vini në jetë një parim të ungjillit – të tillë si agjërimin, mbajtjen e ditës së Shabatit të shenjtë ose marrjen e sakramentit – ju filloni të fitoni një dëshmi për mënyrën si dhe arsyen përse ai është i vërtetë, në vend të thjesht një dëshmie është i vërtetë. Jezusi tha se, kur zgjidhni të “bë[ni] vullnetin e tij”, ju “do ta nj[ihni] … doktrinë[n]” (Gjoni 7:17).

Një mënyrë tjetër për ta ushqyer dëshminë tuaj është duke e dhënë atë. Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Një dëshmi fitohet kur jepet!” (“The Candle of the Lord”, Ensign, janar 1983, f. 54; Tambuli, korrik 1983, f. 34). Ju mund ta jepni dëshminë tuaj në kishë dhe seminar, në shtëpi dhe mes miqsh. Kur e bëni atë, Fryma e Shenjtë mund t’ju dëshmojë juve se ajo që po thoni, është e vërtetë.

Ndërsa e forconi dëshminë tuaj në shumë mënyra të ndryshme, ajo do të rritet e thellohet dhe ju do të ndieni paqe dhe gëzim.