2017
Sara dhe Rezonanca Magnetike
Tetor 2017


Sara dhe Rezonanca Magnetike

Autorja jeton në Kolorado, SHBA.

Ndoshta Fryma e Shenjtë mund ta ndihmojë Sarën të mos ndihet kaq e frikësuar.

“Kur Krishti ishte në tokë, Ai premtoi se do të dërgonte Frymën e Shenjtë, mikun tonë të vërtetë e të përjetshëm, për të na ngushëlluar” (Children’s Songbook, f. 105).

Sarah and the MRI

“Duket se Sarës do t’i duhet të bëjë një RM të shpinës së saj”, tha doktor Frenku. Ai i buzëqeshi Sarës. “Do të lë një orar për nesër. Do të kthehem pas pak minutash.”

Sarës kishte ca kohë që i dhembte shpina. Kur u zgjua atë mëngjes, i dhembte kaq shumë saqë e kishte të vështirë të qëndronte drejt dhe mezi ecte. Sara dhe nëna e saj kishin ardhur të takonin doktor Frenkun për të zbuluar se çfarë nuk shkonte.

“Një RM tjetër?” pyeti Sara duke ngritur sytë drejt mamit. Ajo e kishte bërë një RM një herë më parë. Ajo e mbante mend se sa e frikësuar ishte ndier brenda tubit të madh që nxirrte imazhe të brendësisë së trupit të saj.

“Më vjen keq Sara”, tha mami. Por imazhet do ta ndihmojnë doktor Frenkun që të kuptojë se çfarë nuk shkon me shpinën tënde. Unë e di se mund t’ia dalësh. Dhe unë do të jem këtu me ty.” Mami ia shtrëngoi dorën Sarës.

“Por ti nuk mund të vish brenda me mua”, tha Sara. Koka e saj u ul dhe një lot i rrëshqiti mbi faqe. Mami mund të ishte me të në dhomë, por pasi Sara të futej brenda në tunelin e makinerisë, ajo do të ishte vetëm.

Mami i hodhi krahun Sarës. “Kjo është e vërtetë, por e di ti se kush mund të jetë aty për të të ngushëlluar?”

Sara kujtoi një emër që kishte dëgjuar për Frymën e Shenjtë: Ngushëlluesi. Ndoshta Fryma e Shenjtë mund ta ndihmonte atë të mos ndihej kaq e frikësuar.

“Fryma e Shenjtë?” pyeti Sara.

Mami tundi kokën. “E saktë. Ti mund të lutesh që Fryma e Shenjtë të të ndihmojë. Babi dhe unë do të lutemi për ty gjithashtu.”

Kjo i dha Sarës një ide të shkëlqyer. “A mund t’i kërkoj babit një bekim?”

Mami buzëqeshi. “Patjetër që po. E di që atij do t’i pëlqente shumë ta bënte atë.”

Atë natë babi vuri duart e tij mbi kokën e Sarës dhe i dha asaj një bekim priftërie. Kur ai e bekoi Sarën, që të ngushëllohej nga Fryma e Shenjtë, një ndjesi e butë dhe e ngrohtë e mbushi trupin e saj. Ndjesia qëndroi me të gjithë natën.

Ditën tjetër Sara rrinte shtrirë mbi shtratin që do të rrëshqiste brenda në tubin e madh të makinerisë së RM [rezonancës magnetike]. Ajo i përsëriti në mendje fjalët që babi kishte përdorur gjatë bekimit të saj: Fryma e Shenjtë do të jetë aty për të të ngushëlluar. Sara ia shtrëngoi fort dorën mamit. Më pas infermierja e rrëshqiti atë brenda tubit.

Makineria e RM-së bëri zhurma të çuditshme ndërsa bënte foto të shpinës së saj. Sarës i duhej të qëndronte shtrirë pa lëvizur fare që imazhet të mos të ishin të turbullta. E zuri paniku për një minutë, por më pas e ndjeu sërish atë ndjesi të ngrohtë. Ngjasonte me një nga përqafimet e mamit. Ose me një batanije të butë. E dinte se gjithçka do të shkonte mirë. Përpara se ta kuptonte, RM kishte mbaruar!

Në zyrën e vet, doktor Frenku u tregoi Sarës dhe mamit imazhet e shpinës së Sarës. “Bëre një punë të shkëlqyer duke ndenjur shtrirë pa lëvizur”, i tha doktor Frenku Sarës teksa u gjunjëzua përkrah saj. “Këto imazhe të shpinës tënde tregojnë se ty do të të nevojitet një operacion për të ndihmuar të ecësh më mirë.”

Sara u përtyp.

“Do të donim ta bënim operacionin së shpejti”, tha doktor Frenku duke parë nga mami i Sarës. Pastaj u kthye sërish nga Sara. “Do të mund të duhen disa javë më pas që të ndihesh sërish si dikur, por duke të parë sot unë e di se do t’ia dalësh mrekullisht.”

Sara u mundua të mendonte për gjithë gjërat që do të bënte pasi doktor Frenku t’ia kishte rregulluar shpinën. Do të jem në gjendje të notoj dhe të hidhem mbi një pirg të madh gjethesh. E kishte marrë malli për të gjitha ato gjëra. Por operacioni ishte akoma më i frikshëm se RM! Më pas Sarës iu kujtuan lutjet e saj dhe bekimi saj i veçantë. Ati Qiellor i kishte dërguar asaj Ngushëlluesin. Ai do ta ndihmonte atë sërish.

Ajo pa nga doktor Frenku. “Pastaj a mund të hidhem në një pirg të madh gjethesh?” pyeti ajo.

Ai buzëqeshi fort. “Më pas ti mund të hidhesh në një pirg të madh gjethesh.”