Ne Flasim për Krishtin
Nuk Është Tepër Vonë për një Mundësi të Dytë
Autorja jeton në Virxhinia, SHBA.
Babai i njërës prej studenteve të mia që po haste vështirësi, i tha së bijës: “Nuk është tepër vonë që t’ia dalësh mbanë”. Zoti na jep të njëjtin mesazh.
Sandra ishte një studente në klasën time të anglishtes së thelluar. Disa javë pasi kishte filluar viti, ajo nuk kishte bërë asnjë detyrë shtëpie apo projekt. Ajo thjesht shihte ëndrra me sy hapur në bankën e saj. Ajo nxirrte justifikime për arsyet përse nuk i kishte përfunduar detyrat e saj, dhe nuk tregonte as qëndrimin dhe as përpjekjen e nevojshme për t’ia dalë mbanë në një kurs kaq kërkues.
Këshilluesja e saj dhe unë vendosëm që të planifikonim një mbledhje me Sandrën, babain e saj dhe disa nga mësuesit e tjerë të saj, për të përcaktuar se çfarë drejtimi duhej të merrte: A duhej t’i ndërpriste kurset e thelluara dhe në vend të tyre të zgjidhte kurse standarde? Më thelbësorja ishte pyetja e pashprehur që rëndonte në mendjen e të gjithëve ne: A mund të gjenim një mënyrë për ta ndihmuar Sandrën që t’ia dilte mbanë?
Duke besuar se Sandrës i ishin dhënë shumë mundësi për t’ia dalë mbanë, por në vend të kësaj ajo kishte zgjedhur të dështonte, shkova në mbledhje duke u ndier shumë e shkurajuar. Me vete shpresoja që ajo do të vendoste të mos e vazhdonte më klasën time, në mënyrë që të mos shqetësohesha më për të. Ndieja se kisha bërë gjithçka që mundesha dhe se tashmë ishte tepër vonë.
Në mbledhje, gjuha trupore e Sandrës zbuloi që edhe ajo dyshonte në aftësinë e saj për t’ia dalë mbanë. Ndërsa numëroja dështimin e saj në lëndën e anglishtes, ajo ia nguli sytë tryezës. Kur mësuesi i saj i historisë pohoi se Sandra po mbeste edhe në klasën e tij, trupi i saj u zhyt edhe më thellë në karrige dhe mund të shihja lot që i rridhnin faqeve.
Duke shprehur dhembshuri, i shpjegova asaj dhe të atit se, nëse Sandra dëshironte t’ia dilte mbanë në këto kurse sfiduese, asaj do t’i duhej të ndryshonte sjelljen që e kishte zhytur kaq thellë në këtë gropë, dhe se kjo do të ishte shumë e vështirë.
Një Mesazh nga i Ati
Këshilluesja më pas iu kthye babait të Sandrës, një burrë me pak arsim, i cili nuk dukej rehat në mjedisin e shkollës. Këshilluesja e pyeti nëse kishte ndonjë pyetje për mësuesit. Ai tha se nuk kishte dhe na falënderoi për atë që kishim bërë për Sandrën. Por më pas ai tha se kishte për t’i thënë diçka së bijës.
Më ngriu zemra. Kisha qenë pjesë e disa prej mbledhjeve prindër-mësues ku prindërit i kishin kritikuar gojarisht fëmijët e tyre përpara mësuesve dhe këshilltarëve, i kishin qortuar për përtacinë e tyre, mungesën e vëmendjes dhe të motivimit. Mblodha veten për ta dëgjuar sërish.
Ajo që dëgjova në vend të saj, më çuditi. Babai i përulur i Sandrës iu kthye të bijës së tij të përlotur 16-vjeçare, e cila ishte e dërrmuar nga turpi dhe keqardhja, dhe i tha asaj: “Nuk është tepër vonë. Nuk është tepër vonë që t’ia dalësh mbanë. Me të vërtetë nuk është tepër vonë.”
U largova nga ajo mbledhje mirënjohëse për reagimin e tij plot dashuri, por e merakosur që ai nuk ia kishte idenë se çfarë do t’i duhej së bijës që ta kalonte klasën në këtë pikë. Dukej e pamundur. Më vonë erdhi lajmi se ajo kishte vendosur ta linte klasën e historisë, por jo klasën time të anglishtes.
Më vonë atë ditë ndërsa u gjunjëzova në lutje, duke marrë në shqyrtim të metat e mia dhe duke i kërkuar falje Atit Qiellor, kuptova se sa shumë kisha mësuar nga babai i Sandrës. Pasiguritë dhe ndjenjat e papërshtatshmërisë, në kohë të caktuara në jetën time, më kishin bërë ta pyetja veten nëse isha e denjë apo nëse e meritoja një mundësi të dytë. Në ato çaste, Zoti, ashtu si babai i Sandrës, zgjodhi të mos më qortonte, por përkundrazi, të më qetësonte: “Nuk është tepër vonë, bija ime. Nuk është tepër vonë.”
Mesazhi i Ungjillit
Sa shpesh e kemi besuar mesazhin e kundërshtarit se shpresa ka humbur? Por profetët na thonë të kundërtën. Isaia shpall: “Le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht” (Isaia 55:7). Mormoni shton dëshminë e tij: “Kurdoherë që pendoheshin dhe kërkonin ndjesë me dëshirë të sinqertë, ata faleshin” (Moroni 6:8). Gëzimi i ungjillit është që nuk është kurrë tepër vonë. Sepse, sa herë që kërkojmë falje, shëlbimi i Zotit do të na lejojë të fillojmë nga e para.
Sandra, me nxitjen për t’ia filluar sërish, bëri ndryshime të ngadalta, por domethënëse. Shndërrimi nuk qe i lehtë – kërkoi përpjekje të përditshme që t’i mposhtte zakonet e saj të këqija – por ajo i pa shpërblimet e përpjekjeve të saj teksa nota e saj u përmirësua gradualisht.
Nga një këndvështrim i ungjillit, nota jonë përfundimtare nuk do të ndikohet nga sa gjatë ngurruam apo se sa thellë e zhytëm veten në gropë. Përkundrazi, Zoti do ta gjykojë jetën tonë bazuar se në çfarë drejtimi po shkojmë, se si jemi penduar dhe se sa shumë jemi mbështetur në Shlyerjen e Zotit.
Në gjykimin tim të kufizuar, unë e kisha vënë në dyshim aftësinë e Sandrës për t’i mposhtur gabimet e të shkuarës së saj. Në dallim, Ati ynë i përsosur nuk e humbet kurrë shpresën tek aftësia e fëmijëve të Tij për ta arritur shpëtimin me anë të përsosjes në Krisht. Nuk ka rëndësi se sa larg kemi dalë nga udha; Ai gjithmonë do ta kërkojë individin. Zoti na lutet që të mos endemi më si të huaj në mëkat, por përkundrazi, ta kërkojmë Atë me shpresë dhe t’i gëzojmë bekimet e Shlyerjes së Tij të pafund. Me të vërtetë, nuk është kurrë tepër vonë.