Duke Ndihmuar, Laps pas Lapsi
Gjithçka nisi kur kunji im hartoi një projekt për të ndihmuar refugjatët. Mua më pëlqeu me të vërtetë projekti, kështu që i kërkova mamit tim t’i tregonte rreth kësaj mësueses sime të shkollës dhe mësuesja ime dëshironte të bënte diçka me klasën e katërt. Për të vendosur shembullin për projektin, motra ime, Medi, dhe unë shkuam derë më derë duke kërkuar dhurime.
Erdhi dita për t’ia paraqitur projektin pjesës tjetër të klasës së katërt. Isha pak nervoz. Në fakt, isha tërësisht i tmerruar, por dhashë më të mirën time. U tregova të gjitha klasave të katërta se çfarë na nevojiteshin për kutitë me mjete shkollore për refugjatët. U tregova se si kishim shkuar derë më derë dhe unë u dhashë atyre sfidën për të bërë më shumë se unë në mbledhjen e parave. Së bashku ne përgatitëm 100 kuti! Në to vendosëm fletore, lapsa dhe mjete të tjera shkollore. Ne gjithashtu shtuam edhe një shënim që thoshte: “Mirëserdhët në Gjermani”.
Unë dhe mami im i çuam kutitë në kampin e refugjatëve. Nuk mund të them që kampi ishte i këndshëm, por atje kishte një shesh lojërash dhe një zonë për mësim akademik. Kishte një tren pranë kampit që ishte shumë i zhurmshëm dhe fëmijët më thanë se tingëllonte si avionët reaktivë që fluturonin mbi Siri dhe në vende të tjera të ngjashme. Ndoshta tingëllonin si bomba për fëmijët, të cilët i kishin dëgjuar në vendin e tyre të lindjes.
Unë takova disa fëmijë të moshës sime në kamp, përfshirë Danielin, një shahist i shkëlqyer. Nuk munda të luaja shah me të për fat të keq, se unë e pëlqej shumë shahun, por ata më ftuan të luaja futboll tavoline dhe ping-pong. Djemtë më thanë se ata kishin mall për shtëpinë e tyre dhe se donin me të vërtetë që të largoheshin nga kampi dhe të shkonin sërish në shkollë.
Pasi luajtëm futboll tavoline dhe ping-pong, ne u dhamë kutitë. Ndjehem mirë që munda të bëja një gjest dashamirës për fëmijët që jetonin në kampe.