Thirrja e Apostujve Fillestarë të Rivendosjes
Më 8 shkurt 1835, Jozef Smithi u kërkoi vëllezërve Brigam dhe Jozef Jang që të këndonin për të. Profeti mori atëherë një zbulesë që ishte koha që të thirreshin Dymbëdhjetë Apostujt.1
Jozef Smithi i kërkoi Brigamit të nxirrte një njoftim se një konferencë do të mbahej të shtunën e ardhshme. Ai i tha Brigamit se do të ishte një nga Të Dymbëdhjetët.2
Gjashtë ditë më vonë, shenjtorët u mblodhën. Jozef Smithi tha se një nga qëllimet kryesore të mbledhjes ishte që Tre Dëshmitarët e Librit të Mormonit – Oliver Kaudëri, Dejvid Uitmeri dhe Martin Harrisi – “të zgjidhnin dymbëdhjetë burra nga kisha si Apostuj”3. Oliveri dhe Dejvidi e kishin marrë më parë atë detyrë në qershor 1829, por, megjithëse ata i patën “kërkuar Zotit me agjërim dhe me lutje” për të përcaktuar Të Dymbëdhjetët, koha e duhur ende nuk pati ardhur.4 Tani, tha Jozefi, koha pati ardhur.
Të Dymbëdhjetët (sipas radhës së paraqitur në mbledhje) ishin Lajmën Xhonsoni, mosha 23 vjeç; Brigam Jangu, 33 vjeç; Hibër C. Kimballi, 33 vjeç; Orsën Hajdi, 30 vjeç; Dejvid W. Pateni, 35 vjeç; Ljuk Xhonsoni, 27 vjeç; Uilliam E. Mek-Lelini, 29 vjeç; Xhon F. Bojntëni, 23 vjeç; Orson Prati, 23 vjeç; Uilliam Smithi, 23 vjeç; Tomas B. Marshi, 34 vjeç; dhe Parli P. Prati, 27 vjeç. Të gjithë patën shërbyer më parë në misione. Tetë e patën shoqëruar Jozef Smithin në ekspeditën e Kampit të Sionit verën e kaluar.5
Pas caktimit të tyre, secili nga Apostujt u shugurua.6 Bekimet e shugurimit të tyre u plotësuan me premtime suksesi misionar. Hibër C. Kimballi më vonë kujtonte që bekimet “parashihnin shumë gjëra që duhej të ndodhnin, që ne duhet të kishim fuqinë për të shëruar të sëmurin, të dëbonim demonët, të ngjallnim të vdekurin, t’i jepnim shikim të verbrit, … të lëviznim male dhe të gjitha gjërat duhet të jenë të nënshtruara ndaj nesh nëpërmjet emrit të Jezu Krishtit”7.
Oliver Kaudëri theksoi gjithashtu vështirësitë me të cilat do të përballeshin: “Jini të përgatitur në çdo kohë të sakrifikoni jetën tuaj, nëse Perëndia do t’ua kërkonte atë për përparimin dhe ngritjen e kauzës së tij”. Oliveri i nxiti Apostujt të kërkonin njohje vetjake të Jezu Krishtit në mënyrë që të mund të dëshmonin për ekzistencën e Tij me siguri: “Kurrë mos pushoni së përpjekuri gjersa ta keni parë Perëndinë, sy më sy”8.
Duke filluar nga maji i vitit 1835, Apostujt ndërmorën disa misione kthimi në besim për Kishën dhe udhëheqja e tyre e përgjithshme gjithashtu bekoi shumë njerëz.